Armët fshehin misterin

Më 15.03.1992, rreth orës 23:00, në kufirin shtetëror në Sukubinë (Komuna e Ulqinit) është vrarë në rrethana ende të panjohura polici Miodrag Rackoviq, ndërsa u plagos rëndë inspektori i policisë Zhelko Stamatoviq

Muhamet Nika

(vijon nga numri i kaluar)
Më 15.03.1992, rreth orës 23:00, në kufirin shtetëror në Sukubinë (Komuna e Ulqinit) është vrarë në rrethana ende të panjohura polici Miodrag Rackoviq, ndërsa u plagos rëndë inspektori i policisë Zhelko Stamatoviq.
Hetuesia as sot e kësaj dite nuk arriti ta zbulojë shkakun e vërtetë të ndodhjes së ngjarjes, ose e ka zbuluar por qëllimisht nuk e publikoi. Edhe sot mbeti enigmë pse iu dha një hapësirë shumë e madhe në lajmet kryesore të Televizionit të Mali te Zi, gazetës “Pobjeda” etj..
Në këtë kohë, në një artikull të gazetës “Pobjeda”, më 16.3.1993, me nëntitull “Armët fshehin misterin”, përveç tjerash thuhej: “Në kohën e kryerjes së hetimit, gjykatësi hetues në vendngjarje kishte gjetur një sasi të madhe armatimi, pushkë të ndryshme dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. Këtë e dëshmojnë edhe dëshmitarët okularë të cilët në të gdhirë të së nesërmes kishin parë disa ushtarë që nga vendi i ngjarjes tërhiqnin municionin e mbetur aty”.

Ekstrakt procesverbali
Nxjerrë nga takimi me qytetarët e Bashkësisë Lokale Sukubinë, mbajtur më 18.3.1992, me rastin e vrasjes në kufi të një polici dhe plagosjes së një tjetri, më 15.3.1992. Në tubim ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e organeve të policisë, të cilët iu përgjigjën ftesës, dhe përfaqësuesit e organeve ushtarake, të cilët nuk iu përgjigjën ftesës. Nga strukturat udhëheqëse të Bashkësisë Lokale, të pranishëm në grupin punues ishin: Ilmi Kovaçi, Shefqet Draga, Isat Kurti.
Muharrem Avdiu, kryesues i takimit, deklaroi: Natën kritike qytetarët e këtij fshati me ankth pritën që të zbardhë. Ata ishin të shqetësuar nga rafalët e pushkëve automatike, kurse më së shumti kanë qenë të shqetësuar qytetarët nga të cilët policët kërkuan ndihmë për të plagosurit. Sjelljet e tyre të manifestuara me krisma dhe shtyrje të dyerve duke i kërcënuar se do t’i vrasin të gjithë, janë për çdo gjykim.
Sadber Kurti: Do ta përshkruaj ngjarjen siç më ka ndodhur mua. Në orën 20:30 policët erdhën duke thirrur ‘gazda’. U trishtuam të gjithë në familje. Pastaj nëna e ka çelur derën. Dy vetë ishin në uniformë. Njëri ishte ushtar. Kërkonin veturën. Unë u thashë se vetura nuk punon. Për fat, i gjeti çelësat menjëherë dhe pasi e provuan veturën, atëherë i gjuajtën çelësat duke më sharë me nënë dhe babë. Pastaj ikën duke gjuajtur me rafalë që i përngjante një lufte të vërtetë.
Adem Mustafa: Kërkojmë që organet kompetente të na e sqarojnë ngjarjen.
Dragan Matunoviq: Së pari, mbledhjen të premten e kemi shtyrë sepse ju patët rast vdekjeje në fshat. Kurse për të dielën kanë qenë të paralajmëruara dy mbledhje – në Fraskanjel dhe në Shën Gjergj. Atë ditë u lajmërua komandanti Miroviq i karakollit dhe tha që atë ditë ka qenë i zënë, prandaj edhe nuk është mbajtur mbledhja.
Beqir Mustafa: Duhet të gjithëve të na prekë kjo ngjarje. Teksti është i tillë që në mes nesh krijon një situatë të tendosur. Dëshirojnë të krijojnë një situatë që nuk i përket kësaj ane. Ne jemi mësuar nga kjo gazetare Jovanka Ljubenko, sepse që kur kanë filluar proceset demokratike ajo shumë keq shkruan për ne.
Për sa i përket ngjarjes, ne shumë pak dimë pasi që në atë kohë kemi qenë në gjumë. Krejt këtë ngjarje duan t’ia veshin kësaj popullate. Të kërkohet nga organet që këtë ta shpjegojnë në mënyrë reale. Duhet të jemi syçelur për të gjitha gjërat.
Sreto Glenxha: E përshëndes këtë takim, i pranoj këto që ndodhën në territorin e Bashkësë Lokale. Është gjynah që nuk kemi pasur takime të tilla më shpesh, sepse nuk do të kishte ndodhur kjo. Dihet se çfarë është kufiri, ndërsa disa konstatime që kjo është një ngjarje e inskenuar, nuk qëndrojnë. Duhet të jeni të sigurt që një gjë të tillë askush nuk e ka parapërgatitur.
Nuk mund të japim vlerësime me rastin e kësaj ndodhjeje. Kompetent për këtë është gjykatësi hetues i Gjyqit të Lartë në Titograd. MPB-ja nuk është e autorizuar ashtu siç shkruan shtypi.
Mbetet detyrë që gjykatësi hetues të lajmërojë për këtë që ka ndodhur (hetuesia as sot e kësaj dite nuk e zbardhi çështjen).
Dragan Matunoviq: Sipas Ligjit federativ, çdo shtetas i RSFJ-së duhet të ketë leje për qarkullim dhe vendbanim në zonën kufitare. Deri sot 60 njerëz, që do të thotë nga ana juaj, e kanë shkelur regjimin kufitar. Kjo e tëra është e rregulluar me ligj dhe policia ka të drejtë që në thellësi t’i kontrollojë lejet. Procesmbajtës: Abaz Mustafa (vijon)

Të fundit

më të lexuarat