Djegia ilegale e gomave, problem që vazhdon

Tuz – Përpjekja për të zgjidhur një problem të kamotshëm, që ka të bëjë me ndezjen ilegale të gomave të automjeteve në territorin e Komunës së Tuzit, mblodhi të mërkurën, më 2 shkurt 2022 në godinën e Komunës së Tuzit përfaqësues të Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Komunës së Tuzit, të SHPK “Komunale”, të Inspektoratit Komunal në Tuz, të Drejtorisë për Inspektoratin Ekologjik, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe të asaj komunale.
Në lidhje me këtë dukuri e cila vazhdon të krijojë një sërë problemesh mjedisore, jo vetëm tek ne por edhe në komunat e tjera në Mal të Zi, për gazetën “Koha Javore” u prononcua z. Mirsad Orahovac, menaxher i sektorit për veprimtari komunale në SHPK “Komunale”, i cili shprehet se konkluzioni i këtij takimi konsiston në dakordimin e të gjitha palëve që të veprojnë intensivisht për gjetjen e mënyrës së zgjidhjes së këtij problemi.
“Këtë problematikë do ta evidentojmë edhe në nivelet më të larta, në institucione kompetente, por edhe përmes mediave, në mënyrë që ky problem të gjejë një zgjidhje, që të gjindet një vend mbase edhe për krejt Malin e Zi, ku do të hidheshin këto goma. Ne, si Komunë e Tuzit u dakorduam që edhe në vijim të zhvillojmë takime me sipërmarrës të cilët kanë në pronësi servise që mbajnë goma të nxjerra jashtë përdorimit, e që duhet të hidhen”, u shpreh Orahovac.
Ai shton se të gjithë ata të cilët posedojnë goma të tilla, të paraqiten pranëvSHPK “Komunale” në Tuz, që ky institucion t’u sigurojë një zgjidhje për hedhjen e këtyre mbeturinave.
“Do të përpiqemi që të gjejmë një qendër grumbulluese, siç mund të jetë ndonjë magazinë apo hangar i vjetër ku do të mund të vendosen përkohësisht këto goma, derisa Qeveria të miratojë një plan për t’i ricikluar ato”, shton Orahovac.
Kjo problematikë e cila vazhdon të jetë shqetësuese vite me radhë, padyshim që ndikon negativisht në ndotjen e ajrit dhe të mjedisit jetësor në tërësi, dhe për këtë, përfaqësues të SHPK “Komunale” dhe të Policisë Komunale të Komunës së Tuzit, janë zotuar se do të shtojnë kontrollet e tyre në terren, me synim që të reagojnë në kohë për parandalimin dhe zvogëlimin e kësaj dukurie mjaft të shëmtuar dhe të dëmshme për vendin.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat