
‘’Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tënd gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë e vendit tënd vetëm atëherë kur ajo e meriton’’ (Mark Twain)
Çdo vit më 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku i sivjetshëm shënon 247-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë origjinale amerikane të asaj kohe kanë shpallur përgjithmonë pavarësinë dhe lirinë e tyre nga sundimi mbretëror britanik.
Dokumenti i shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së është njëri ndër dokumentet, ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë, që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe zhvillimin e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi anembanë botës.
Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti ose pushteti dhe si të tilla ato edhe mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas deshirës e qejfit të autoritetit ose mbretit, sepse sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi. Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 Korrik 1776, ka hedhur poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat e një personi dhe një populli nuk jepen nga qeveria ose autoriteti, cilido qoftë ai, por nga vet Krijuesi i gjithësisë – nga Perëndia. ‘’Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë’.’ Është kjo fraza, ndoshta më e famshme në tekstin e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Mesazhi kryesor i kësaj dite, si për amerikanët ashtu edhe për popujt anembanë botës, është se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi, jo vetëm në tekstin e dokumentit të Pavarësisë së Amerikës, por edhe në historinë e njerëzimit në përgjithësi. Duke shpallur se është Perëndia dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti që jo vetëm amerikanëve, por të gjithë njerëzve kudo, u ka falur të drejta themelore, të barabarta dhe të pamohueshme, dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim – për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e tyre në mbështetje të interesave dhe mirëqenies së qytetarëve.
247 vite më parë, shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe, por pavarësia ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në shpalljen e pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anembanë vendit.
Por ç’prej nënshkrimit të këtij akti dramatik pothuaj dy shekuj e gjysmë më parë, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, ndonëse kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapë se parapë ekziston vetëdija se mbetet ende shumë për t’u bërë. Se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Përëndia dhe natyra kërkon vigjilencë të vazhdueshme, sidomos nga intervenimet e qeverive cilat do qofshin ato – që kanë për obligim kushtetues t’i mbrojnë dhe jo t’i shkelin e t’i shkatërrojnë liritë dhe të drejtat e popullit të garantuara në shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Koncepti i fjalës liri, kjo e drejtë e pamohueshme e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore si një e drejtë e pamohueshme për të gjithë njerëzit pa dallim më 4 Korrik 1776. Ideja se njerëzit duhet të gëzojnë këto të drejta të pamohueshme, të akorduara nga Përendia dhe jo nga ndonjë pushtet i kësaj bote, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e ‘’qytetëruar’’. Madje edhe sot, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë në shumë pjesë të botës nga diktatorë, autoritarë të lloj-llojshëm dhe regjime shtypëse, të cilat mendojnë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që vetëm ata si autoritarë të gjithëpushtetshëm i rregullojnë dhe i zbatojnë sipas dëshirës dhe vullnetit të vet për interesa personale. Diktatorë të tillë edhe sot urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të lindur nga shpallja e Pavarësisë së Amerikës më 4 Korrik 1776. Parim ky, sipas të cilit, është e drejta e popullit kudo e në çdo vend të botës të ndryshojë regjimin ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër pushtet, i cili do të mbrojë këto të drejta e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anembanë botës.
Për t’u siguruar se këto të drejta do të ishin gurthemeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat, sot e asaj dite, garantojnë liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit si edhe amandamente të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshme të shtetit dhe nga autoritetet qeveritare. Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të përpjekjeve të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ka thënë: “Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të kufizuar të drejtat e popullit, por është një instrument i popullit për të kufizuar veprimtarinë e qeverisë. Përndryshe, qeveria do të dominojë jetën dhe do të kufizojë të drejtat tona’’.
Është me vend që këto vlera e të drejta bazë e të pamohueshme të njeriut, të skalitura në dokumentin e shpalljes së Pavarësisë dhe më vonë në Kushtetutën e Amerikës, të kujtohen dhe të celebrohen sot në këtë 247-përvjetor të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Është gjithashtu e nevojshme që këto ngjarje historike për popullin amerikan të kujtohen edhe nga popujt anembanë botës, pasi këto parime të mishëruara në shpalljen e Pavarësisë së Amerikës pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë vendeve dhe janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e nënshkruar nga shumica e shteteve të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Le të jetë pra 4 Korriku 2023 një festim i garancisë dhe i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, jo vetëm për çdo shtetas amerikan, por të kujtohet gjithashtu edhe nga popujt anembanë botës përfshir kombin shqiptar. Kjo ditë e shënuar patriotike për amerikanët, sipas Mark Twain mund të na mësojë se ‘’Patriotizëm do të thotë ta duash atdheun tënd gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë e vendit tënd vetëm kur ajo e meriton’’.
Si e tillë, me gjithë të metat dhe pakënaqësitë e sfidat që shprehen dhe me të cilat përballet ky vend, edhe 247 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së saj, Amerika vazhdon përpjekjet e saj për një “bashkim edhe më të përsosur” të këtij kombi të madh, ndërkohë që mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anembanë botës, përfshirë kombin shqiptar. Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Në këtë 247-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Zoti e bekoftë kombin amerikan dhe kombin shqiptar – në miqësi të përjetshme me njëri-tjetrin!
