Diskutim për pjesëmarrje në forumin e fëmijëve që do të mbahet në Abu Dhabi

Tuz – Organizata Joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) ka organizuar në Tuz, një takim me përfaqësuesit e institucioneve publike dhe të shoqatave joqeveritare nga Tuzi dhe Podgorica, dhe të Shoqatës “Mozaik“ nga Visoko e Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat në fokus kanë mirëqenien e fëmijëve dhe të drejtat e tyre.
Gjatë kësaj punëtorie, OJQ “Djeca Crne Gore- Fëmijët e Malit të Zi“ prezantoi punën e shoqatës e cila tash e 11 vjet, është duke realizuar programin e Shoqatës Ndërkombëtare “Arigatou International” e cila bazohet në katër shtylla apo programe veprimi si: në Rrjetin global të Religjionit për Fëmijë me seli në Nairobi; Edukimin Etik për Fëmijë me seli në Zhenevë; Zhdukjen e Varfërisë me seli në Nairobi dhe Lutjet dhe Veprimi për Fëmijë, me seli në SHBA.
Sipas drejtoreshës ekzekutive të OJQ-së “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi), Sabra Deceviqit, rrjeti i shoqatave në fjalë bashkon shoqata të ndryshme në botë të cilat aktualisht numërojnë 77 shtete të cilat kanë për qëllim që përmes bashkëpunimit ndërfetar të ndërtojnë një botë më të mirë për fëmijët.
Në këtë takim kjo shoqatë ka prezantuar edhe forumin e ardhshëm i cili do të organizohet në muajin nëntor të këtij viti në Abu Dhabi të Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ky forum me temën “Fëmiu Thërret” do të bashkojë një numër të madh të përfaqësuesve nga e gjithë bota, duke u nisur nga liderët politikë, fetarë, përfaqësues të shoqatave etj. Nga ky forum do të dalë një Deklaratë e cila do të jetë pjesë e politikës dhe praktikës së çdo shteti i cili do të kyçet në këtë forum” u shpreh drejtoresha ekzekutive, Sabra Deceviq.
Në përfundim të kësaj punëtorie, pjesëmarrësit dhanë një kontribut në përcaktimin e problemeve me të cilat ballafaqohen fëmijë, kur bëhet fjalë për sigurinë, mjedisin e sigurt dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Gjithashtu u theksua problematika e dhunës së bashkëmoshatarëve, situatës politike në Mal të Zi e cila siç tha znj Deceviq, nuk është stabile dhe nuk fokusohet në mirëqenien e fëmijëve.
“Sepse ekziston nevoja që të flitet dhe të veprohet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për krijimin e kushteve për një pjesëmarrje më aktive të fëmijëve dhe të rinjve” u shpreh Deceviq.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat