Ulqin- Organizata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi” ka filluar realizimin e projektit “Vizibile-gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara” në dy komuna shqiptare në Mal të Zi, Ulqin dhe Tuz, me të cilin parashikohet që të trajtohen të drejtat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara.
Në fund të muajit janar, koordinatorja e projektit “Vizibile-gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara”, znj. Sabra Deceviq, organizoi një mbledhje me udhëheqësin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, kryetarin e Kuvendit, Ardian Mavriq dhe sekretaren, Valdete Osmani-Husiq.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, Sabra Deceviq në prononcimin për gazetën “Koha Javore” shprehet se përveçse i njoftoi zyrtarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit me këtë projekt, ajo tha se u definua edhe hapësira për bashkëpunim në realizimin e përbashkët të disa aktiviteteve që do të ndikojnë dukshëm në identifikimin e nevojave të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara.
“ E pastaj edhe në krijimin e kushteve më të volitshme për zbatimin e atyre aktiviteteve që do të kontribuojnë në përmirësimin e pozitës së grave dhe të vajzave me aftësi të kufizuara. Komuna e Ulqinit për momentin nuk ka asnjë plan të veprimit i cili i përkushtohet kësaj problematike dhe do të ishte interesante të fitohen sa më shumë informata në terren që do të mund të shfrytëzohen për hulumtim dhe analizën e situatës së pozitës së grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara” u shpreh Deceviq.
Znj. Deceviq shton se mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, edhe pse nga ana legjislative çdo gjë duket në rregull, nga ana praktike mund të thuhet se nuk janë shfrytëzuara të gjitha të drejtat që këtyre personave u takojnë me Kushtetutë dhe me ligje të vendit tonë, dhe mbi të gjitha me Konventën për të Drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Projekti në fjalë ka për qëllim ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit dhe njohurive për të drejtat dhe nevojat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Krahas fuqizimit të 25 grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara nga Tuzi dhe Ulqini të cilat do të kalojnë gjithsej 10 punëtori, (5 punëtori për qytet), me projekt do të fuqizohen kapacitetet e përfaqësuesve të institucioneve publike nga Ulqini dhe Tuzi, në mënyrë që gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara të kenë qasje dhe përkrahje edhe më të madhe nga institucionet publike.
Realizimi i projektit ka filluar në janar të viti 2024 dhe do përfundojë në gusht të këtij viti. Përveç Komunës së Ulqinit, ditëve të ardhshme, planifikohen takime me përfaqësues të Komunës së Tuzit, ku po ashtu do të definohen aktivitetet e përbashkëta dhe implementimi i të gjitha aktiviteteve të parashikuara me projekt.
Ky projekt mbështet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi.
Projekti në fjalë do të japë në të njëjtën kohë një pasqyrë më të qartë të nevojave të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në zonat ku nuk janë zbatuar më parë projekte të rëndësishme për promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara. Veçanërisht, pasi projekti synon të trajtojë çështje komplekse të diskriminimit ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, që rezulton në diskriminim e shumëfishtë ndërsektorial të këtij grupi.
Përveç Komunës së Ulqinit, ditëve të ardhshme planifikohen takime me përfaqësues të Komunës së Tuzit, ku gjithashtu do të definohen aktivitetet përbashkëta dhe implementimi i të gjitha aktiviteteve të parashikuara me projekt.
t. u.