Disa besëtytni të pabaza në Triesh

Gjekë Gjonaj

Trieshianët besojnë në ato dukuri të cilat tek ata njihen si shenja të mira dhe të këqija. Thënë ndryshe besojnë se Zoti (Perëndia) paralajmëron për ndodhjen e disa gjërave nëpërmjet krijesave të tij, si për shembull: shfaqja e korbave të zi ndjell keq, lehja e qenit në formë ulërime drejtuar një ndërtese ndjell vdekje, kruajtja e hundës paralajmëron sherr, qëndrimi i pëllumbit të bardhë mbi çati ose shtëpi ndjell fat të mirë, kruajtja e dorës së majtë paralajmëron ardhjen e parave, rënia e një sendi në pozicionin e duhur sikur të ishte vënë me dorë paralajmëron ardhjen e një miku ose mysafiri, teshtima gjatë bisedës tregon për vërtetësinë e asaj që po thotë folësi , kur të zë lemza shumë tregon se dikush është duke të përmendur, numri 13, që ka të bëjë me lëvizjen e njerëzve , me lindjen, me martesën, me vdekjen, konsiderohet (cilësohet) një datë shumë e keqe dhe një ditë e mbrapshtë , “ogur i keq“. Ja edhe 7o besëtytni të tjera të pabaza që i shënuam në Triesh, të cilat nënat trieshiane ndër breza janë munduar t’ua fusin në mendje vazhdimisht fëmijëve të vet:

  1. Kur macja e zezë ua “ pret” (ndërprenë) rrugën atëherë do t’u shoqërojë një fat i keq.
  2. Kur i kryqëzon gishtat tregues me njëri-tjetrin mendohet se ky gjest transmeton fat të mirë dhe largon shpirtrat e këqij.
  3. Kur i kërsasim (trokasim) gishtat e dorës ose prekim një copë druri besohet se kemi shmangur fatin e keq.
  4. Kur të kruhen duart do të marrësh ose do të japësh para ( lekë).
  5. Besohet se nëse të kruhet dora e djathtë do të japësh para, por nëse të kruhet e majta, do të marrësh para.
  6. Nëse i prisni thonjtë e këmbës dhe të dorës përnjëherë, dikush do të vdesë në ditën tuaj të dasmës – apo do të ketë edhe dasmë edhe vdekje për një ditë.
  7. Mos i pre thonjtë natën.
  8. Mos i pre thonjtë ditën e diel se t ‘çohen bjezga.
  9. Thonjtë nuk priten ditën e martë e të premte se dalin bjezga .
  10. Kur t’i pritni thonjtë , mo0s i qitni kudo se , se të dalin qejza ( bjezga) mbas thonjsh.
  11. Rrobat natën nuk duhen nderë se është keq.
  12. Nëse të kruhet hunda do të zihesh.
  13. Nëse të dhembin eshtnat ( kockat) do të çartet ( prishet) koha.
  14. Nëse të puthin pas qafe nuk të shkon fjala.
  15. Nëse të dridhet syri mos e trego, se syri sheh gjithçka e nuk tregon.
  16. Nëse të ngrihet gaca përpjetë në vatër, prite një mik.17.Nëse të del në maje të gjuhës një pupërr, ke nëmë ( mallkuar) dikë pa hak ( të drejtë).
  17. Nëse e diktoni gjarprin në shtëpi, mos e vrisni se është ora e shtëpisë..
  18. Kur të kthehen njerëzit prej varrezave duhet t’i lajnë duart para se të hyjnë në shtëpi, sepse niellin ( ndjellin ) mort.
  19. Kur e çon bagëtinë , për ta shitur në Pazar (treg), tukja ( heqja) pak qime e qitja në vathë se është mirë.
  20. Nëse dëshiron të mbrohesh nga njerëzit e këqij, mbaji me vete tri kokrra hudra të bardha ( hudhra), tri kokrra grurë, tri kokrra kafe, dy kokrra sy bagëtie, tre guralecë prej tri mëgjeve të panjohura, ose një lëkurë gjarpri.
  21. Nuni nuk duhet me hëngër asgjë gjatë ceremonisë të pagëzimit të fëmijës, se atij do t’ i prishen dhëmbët.
  22. Bagëtisë së bukur , vendosja një bukuroshe në ballë.
  23. Nuk duhet ndenjur në tri rrugë kryq.
  24. Nëse digjesh në gisht, preke veshin se të pushon.
  25. Mos rri në prak ( prag) të derës se të dalin fjalë.
  26. Nuk duhet marrë përnjëherë dy nuse sepse nuk bëjnë hajr ( mbarësi- baft).
  27. Nëse të thyhet pasqyra prite rrezikun.
  28. Kur të vdekurit i rrinë gjymtyrët e pangrira, prite tjetrin fill pas tij.
  29. Porsa të piellin ( pjellin ) lopa, veni tufën në bisht e në briena ( brirë), për mos me ta marrë mësysh.
  30. Nëse martohen dy motra në një konak ( shtëpi) , njëra mbetet pa nafakë ( fat të mirë).
  31. Nëse të gilizatet ( giciloj) maja e hundës , prit idhnim (hidhërim)
  32. Nëse të vërcikat ( lëvizë) qoshja e syrit, pritë flamën ( gripin).
  33. Nëse luajnë vargonjtë mbi zjarr , hyn borxh i zoti i shtëpisë.
  34. Mos përdor gërshanët (gërshërët) natën se është gjynah ( mëkat-gabim).
  35. Mos hidh dramcat ( dromcat) e bukës jashtë shtëpisë se ikën bereqeti.
  36. Mos e kapërce njeriun se nuk rritet.
  37. Hyr me këmbë të djathtë që të eci mbarë.
  38. Të hënën nuk pritet e nuk shkohet në vizita kryeshëndoshe se nuk niset java keq.
  39. Mos i kryqëzo duart se të lidhet fati.
  40. Mos vesh rrobat e burrit se nuk i shkon fjala burrit.
  41. Flokët që të rriten, priten me hënë të plotë.
  42. Mos fishkëlle natën se tërheq të keqen e natës.
  43. Mos i lavdëro fëmijët te të tjerët se i merr sysh ( syri i keq).
  44. Po të preu rrugën macja e zezë, nuk të ecën mbarë.
  45. Kur të zë lemza, dikush po të kujton.
  46. Kur t’merr lemza pas darket, dikush flet keq për ty.
  47. Mos e ndërro vendin se do të ndërrosh burrat kur të rritesh.
  48. Mos u shih ( shiko) në pasqyrë natën se çmendesh.
  49. Nëse harron lugë në tavolinë , kur e ngre, prit miq.
  50. Numrit 13 kurrë mos i beso se është hije zi.
  51. Mos e lërë kafshatën e fundit sepse të ikën kësmeti.
  52. Mos pini ujë në të njëjtën gotë (bidon ) ku ka pi tjetri, se do të ziheni.
  53. Mos fshini duart njëkohësisht dy veta me një peshqir/rubë, se do të përlaheni.
  54. Mos qit lëburën ( lëvozhgën ) e vezës në zjarr , se s’bëjnë pulat ve.
  55. Mos ha me lugën që trazon gjellën, se do trazosh llafet.
  56. Mos ndërro lugën, se ndërron gruan/burrin.
  57. Pi ujë një herë më i vogli, pastaj më i madhi e me radhë.
  58. Nuk ecet (në rrugë) kur po kalon një arkivol (me të vdekurin brenda), se është keq.
  59. Sa herë thua “larg qoftë…” për diçka, lëviz vendit.
  60. Nëse dikush ka marrë dikë mësysh (zakonisht tek fëmijët e vegjël), merri një qime diku të personit që ka syrin e keq dhe digje atë pranë personit që është marrë mësysh.
  61. Mos u merr me zjarrin natën, se do bësh urinën në gjumë (zakonisht tek fëmijët, nuk kam dijeni për të rriturit).
  62. Kur të nget lemza, të mban dikush nëpër gojë. Nëse e gjen se kush, atëherë të pushon.
  63. Kur të skuqet veshi i majtë të mbajnë nëpër gojë gratë, ndërsa kur është i djathti burrat.
  64. Kur thyhet një gotë do të thotë që e mori syrin e keq gota. Është shenjë e mirë.
  65. Nuk duhen shkelur dromcat e bukës, se ikën bereqeti.
  66. Nuk duhet të shikosh natën në pasqyrë, se të ik bukuria.
  67. Në qoftë se të priste rrugën gjarpri, të shkon dita mbrapsht.
  68. Kur qyqja ( kukuvajka) këndonte në një pemë afër shtëpisë, aty do të kishte fatkeqësi.
  69. Qeni që lehte natën parandiente fatkeqësi në familje.
    Këto dhe disa besëtytni të tjera kanë mbetur pjesë e shoqërisë trieshiane që nga brezat e mëparshëm dhe vazhdojnë ende të besohen, por edhe të kenë frikë.

Të fundit

më të lexuarat