
Ashtu si dikur Isa Boletini i qëndronte në krah Ismail Qemalit në Vlorë dhe në Londër, dy ndër figurat më të shquara të Pavarësisë së Shqipërisë do të jenë afër njëri-tjetrit edhe në Staten Island të Nju Jorkut.
Pas emërtimit të rrugës me emrin e Ismail Qemalit dy vjet më parë, një tjetër rrugë në Staten Island bashkemërtohet me emrin e Isa Boletinit.
Ceremonia është zhvilluar të dielën, më 30 nëntor 2025, në prani të një numri të madh të personaliteteve nga jeta politike dhe publike amerikane, atyre të ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, diplomatëve të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe një numri të madh të komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe qyteteve të tjera.
Nismëtari i këtij projekti, Naser Nika, kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, e ka cilësuar këtë si një ditë të veçantë për komunitetin shqiptar në Nju Jork.
“Sot nuk po ndërtohet thjesht një rrugë, sot po ndërtojmë historinë tonë, rrënjët tona dhe figurat që na dhanë identitetin kombëtar”, ka thënë ai në fjalën gjatë ceremonisë së inaugurimit.
Nika ka përkujtuar se para dy vitesh patën privilegjin të emërtojmë rrugën Ismail Qemali, njeriut që ngriti flamurin dhe vendosi themelet e shtetit shqiptar.
“Ai moment ishte një nga arritjet më të mëdha të komunitetit tonë këtu në SHBA, sepse tregoi se shqiptarët kur bashkohen arrijnë gjëra të mëdha. Sot ne vazhdojmë atë traditë të ndërtimit duke vendosur emrin e një figure tjetër madhore të kombit – Isa Boletinit, simbolit të trimërisë, besës dhe i qëndresës shqiptare… Fjalët e tij legjendare ‘Unë jam mirë kur është Shqipëria mirë’ janë sot mesazh i fortë për vëllezërit tanë këtu në diasporë – të bëjmë gjithmonë atë që duhet, t’i shërbejmë gjithmonë kombit tonë kudo të jemi”, ka theksuar ai, duke shtuar se emërtimi i një rruge në zemër të Nju Jorkut me emrin e Isa Boletinit “është një amanet për fëmijët tanë, një kujtesë për të gjithë ne dhe nderim i një figure të pavdekshme shqiptare”.
Kryetari i Bashkisë së Staten Island, Vito Fossella, i pranishëm në ceremoni, ka shprehur fjalë miradije për shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë të Nju Jorkut.
Ai ka vënë në dukje marrëdhëniet e tij të mira me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork, për të cilët ka thënë, ndër të tjera, se janë njerëz të mençur, familjarë, të guximshëm etj., duke i falënderuar që me punën e tyre e kanë bërë Staten Island ky që është sot.
Përfaqësuesja e përhershme e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Suela Janina, ka thënë se kjo është një nga ato ditët që të jesh përfaqësues i shtetit shqiptar të jep një kënaqësi të veçantë që shkon përtej detyrës.
“Dhe të kesh përballë një rrugë në Staten Island, ku janë bashkë Ismail Qemali dhe Isa Boletini, ka vërtet një domethënie shumë e madhe”, ka thënë ajo.
Sipas zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, Isa Boletini nuk ishte thjesht një luftëtar, por simbol i rezistencës, i besës, i guximit të një populli që kurrë nuk u nënshtrua.
“Isa Boletini thoshte: ‘Me vdekë për atdhe më duket si me le për së dyti’. Prandaj, rruga që sot po përurojmë nuk është vetëm një tabelë, ajo është amanet”, ka thënë ai.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës dhe kryetari i ardhshëm i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka thënë në fjalën e tij se ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara.
“Isa Boletini në Nju Jork është një mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhen mbrojtur çdo ditë”, ka thënë ai.
Ndërkaq ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka, ka thënë se kjo është një ditë e shënuar dhe ka përgëzuar komunitetin shqiptar në Nju Jork dhe SHBA për gjithçka që kanë bërë.
Ai i ka falënderuar “për punën që bëni për komunitetin shqiptar këtu, për vendlindjen atje dhe për të gjithë periudhën që keni ndihmuar shqiptarët kudo që jetojnë, dhe për ruajtjen e kulturës, identitetit shqiptar pikërisht këtu në Amerikë, për lidhjet që i mbani me vendlindjen”.
Për jetën dhe veprimtarinë e Isa Boletinit ka folur historiani Dr. Paulin Marku, ndërsa kanë përshëndetur edhe disa personalitete tjera të jetës publike në SHBA dhe në shtetet ku jetojnë shqiptarët, përfaqësues fetarë dhe të shoqatave atdhetare të shqiptarëve në Nju Jork etj. Në mesin e disa qindra pjesëmarrësve kanë qenë edhe ambasadori Blerim Reka, shef i misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, asambleisti në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut, David Carr, familjarë pasardhës të kryetrimit Isa Boletini etj.
Ceremonia e inaugurimit ka filluar me intonimin e himneve kombëtare të SHBA-së dhe atij shqiptar. Programi është shoqëruar me interpretime të grupeve folklorike të fëmijëve të shoqatave që tubojnë diasporën shqiptare në Nju Jork.
Pas ceremonisë është bërë zbulimi i tabelës që tregon rrugën Isa Boletini, si pjesë e Buel Avenue.
