Tuz- Në kuadër të javës së të hollave nga data 12 deri më 18 mars, përfaqësues të Bankës Qendrore të Malit të Zi e vizituan Gjimnazin “25 Maji” në Tuz, të cilët ligjëruan mbi temën “Paraja e Falsifikuar”.
Nxënës të disa klasave të vitit të katërt, patën rastin të dëgjojnë nga afër shumëçka që lidhet me fushën e financave, me fokus të veçantë për falsifikimin e parave dhe pasojat që sjell ky fenomen negativ për rrethin shoqëror.
Përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Malit të Zi kanë diskutuar me nxënësit në fjalë në detaje rreth parasë së falsifikuar, duke i udhëzuar dhe këshilluar se si ata në të ardhmen të veprojnë pozitivisht dhe të shmangin çdo veprim negativ i cili mund të sjellë pasoja për ta.
Gjatë këtij takimi zyrtarët në fjalë kanë dhuruar për Gjimnazin “25 Maji” në Tuz pesë kompjuterë të rinj të cilët nxënësit do t’i përdorin për mësimin në lëndën e informatikës.
Drejtoresha e Gjimnazit “25 Maji” në Tuz, Miliana Daboviq, ka falënderuar përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Malit të Zi për këtë donacion, duke e vlerësuar atë lart, pasi sipas saj me donacione të tilla çdoherë përfitojnë nxënësit dhe shkolla.
“Përdorimi i kompjuterit në orën mësimore ndikon pozitivisht pasi bëhet më efikas, më tërheqës dhe më interesant. Këta kompjuterë do të përdoren për zhvillimin e orës së informatikës si dhe për zhvillimin e orëve të hapura”, u shpreh Daboviq.
Java e parasë me nismë të lëvizjes ndërkombëtare për edukimin financiar të fëmijëve dhe të rinjve shënohet çdo vit në mbarë botën. Qëllimi i shënimit të Javës së parasë është që popullata më e re të njihet me nocionet bazë nga fusha e financave nëpërmjet formave didaktike të përshtatshme, me organizimin e ligjëratave dhe të aktiviteteve të tjera. t. u.