Dëshira të njëjta për mbarë njerëzimin

Tashmë jemi në vigjilje të Viti të Ri dhe ndërrimin e moteve, rëndom e prisnim me entuziazëm të veçantë, me dëshira dhe shpresa të reja. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kësaj radhe atmosfera festive dallon nga vitet e kaluara.

Merita Dukaj

Tashmë jemi në vigjilje të Viti të Ri dhe ndërrimin e moteve, rëndom e prisnim me entuziazëm të veçantë, me dëshira dhe shpresa të reja. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kësaj radhe atmosfera festive dallon nga vitet e kaluara. Edhe pse i kemi zbukuruar oborret dhe shtëpitë tona, ambientet përreth dhe sheshet kryesore, prapëseprapë, na mungon shumë nga ajo që ishim mësuar. Nxënësit, përqafonim njëri-tjetrin duke uruar gjithë të mirat në Vitin e Ri. Korridori i shkollës, oborri dhe klasa jonë ishin të zbukuruara me bredhin e Viti të Ri, me këngën dhe buzëqeshjen tonë, me përqafime dhe urime të pafund. Biseduam dhe flisnim ku do të presim mbrëmjen më të hareshme dhe më të gjatë të vitit, si dhe çka kemi përgatitur e kështu me radhë. E gjithë kjo, tashmë, na duket si një e kaluar e largët pasi viti 2020 që po lëmë pas, ishte vit i trazirave për mbarë njerëzimin. Ai, na largoi nga bankat e shkollës, nga shokët e klasës, nga mësuesit tonë, nga shkuarja e rregullt në shkollë, nga aktivitete dhe përvoja të shumta të cilat i takojnë moshës tonë e që i prisnim me padurim.
Ja, kështu e kaluam vitin që po lëmë pas, nga gjysma e muajit të tretë të tij e që vazhdon gjithnjë. Andaj, cila mund të jetë dëshira jonë më e madhe përveç se Viti i Ri, të jetë pa frikë nga sëmundja e shkaktuar nga virusi korona, për mbarë njerëzimin, që gjysmë-vjetorin e dytë ta vazhdojmë në bankat e shkollës sepse ato janë për nxënësit e saj, për njohje me mësime dhe njohuri të reja. Sa më parë të largohemi nga frika, ankthi dhe mërzia që ka shkaktuar armiku i padukshëm koronavirusi dhe që vitin 2020, ta kujtojmë vetëm në rreshtat dhe vargjet e shkruara dita-ditës. Të realizohen dëshirat tona që festat e ardhshme të na gëzojnë sinqerisht, pa droje nga sëmundja, nga të tjerët, të përqafojmë të dashurit tonë, shokët dhe shoqet në shkollë ashtu siç ishte më parë. Të mund të udhëtojmë dhe të takojmë të dashurit tonë, pa kufizime dhe frikë kudo. Por, edhe në këto kushte nga shtëpitë dhe dhomat tona, të mendojmë për ata që na duan dhe na mungojnë, për ata me të cilët kemi ndarë ditët e fëmijërisë, bankën e shkollës, lodra e përqafime, t’i kujtojmë me mesazhe të bukura që, së paku, në këtë mënyrë të ndajmë çastet e mbrëmjes më të gëzuar me ndonjë urim, me përqafime qoftë edhe nga larg për ata që na mungojnë. Të shpresojmë dhe urojmë se me vitin që po lëmë pas, të jetë e kaluar e gjithë ajo që na shqetësoi në vitin 2020. T’i gëzohemi Vitit të Ri, nga i cili dëshirat e mbarë njerëzimit janë, pothuajse të njëjta; shëndet e qetësi!
(Autorja është nxënëse e vitit II, SHMP “25 Maji”- Tuz)

Të fundit

më të lexuarat