Dëmet nga përmbytjet në infrastrukturë janë 1.15 milion euro

Guci – Komuna e Gucisë pret ndihmë në të holla nga Qeveria e Malit të Zi në mandatin teknik për sanimin e pasojave të para pak kohshme të përmbytjeve.
Për sanimin e dëmeve në infrastrukturën rrugore dhe komunale në Komunën e Gucisë, të cilat janë shkaktuar gjatë tri periudhave të përmbytjeve të fundit, është e nevojshme të ndahen rreth 1.150.000 euro. Këtë të dhënë në deklaratën për media e ka konfirmuar nënkryetari i Komunës së Gucisë, Edon Balidemaj duke theksuar se kjo e dhënë vetvetiu flet se moti i lig në ca muaj të fundit ka sjellë probleme të shumta në këtë trevë.
“Komisioni ka dalë në terren dhe ka konstatuar se moti i lig në dhjetorin e vitit të kaluar ka shkaktuar dëme prej rreth gjysmë milioni euro. Po ashtu, komisioni ka vlerësuar se në përmbytjet e janarit të këtij viti, dëmet kanë qenë rreth 650 mijë euro, që tërësisht së bashku kapin shumën 1.150.000 euro. Këtu nuk janë llogaritur dëmet e shkaktuara në pasuritë e patundshme private, por vetëm në rrugë, ura dhe në infrastrukturë tjetër. E gjithë kjo është dëshmi faktike se moti i lig, siç është e mundur edhe të shihet në vendin e ngjarjeve, ka shkaktuar rrëmujë të vërtetë në rrugët tona të komunikacionit”, ka thënë nënkryetari Balidemaj.
Ai në vazhdim ka shtuar se shërbimet kompetente të Komunës ia kanë dalur që të sigurojnë sado pak kalueshmërinë e rrugëve të dëmtuara, por në sanimin e detajuar të tyre ende nuk është nisur.
“Shërbimet tona, edhe pse në kapacitet të kufizuar, ia kanë dalë që përkohësisht të sigurojnë kalueshmërinë e të gjitha rrugëve të komunikacionit, mirëpo kjo nuk zgjidh tërë çështjen. Për sanimin e detajuar të infrastrukturës së dëmtuar (rrugëve, urave, etj) janë të nevojshme mjete të mëdha të cilat administrata lokale në këtë moment nuk i ka”, ka pohuar nënkryetari Balidemaj. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se Komuna e Gucisë pret ndihmën e Qeverisë në mandatin teknik për sanimin e dëmeve të shkaktuara.
“Qeveria është e njoftuar me dëmet e shkaktuara dhe sa të holla duhet ndarë për sanimin e tyre. Ne qartë kemi bërë me dije që sa më parë të jetë e mundur nga arka shtetërore të ndahen mjetet e nevojshme për rikonstruktimin e infrastrukturës së dëmtuar. Mirëpo, mjetet e duhura ende nuk janë orientuar për këto destinime që gjithsesi nuk është mirë. Për këtë apelojmë dhe insistojmë që institucionet kompetente shtetërore ta njohin këtë problem dhe t’ia shtrijnë dorën e ndihmës komunës sonë për funksionim të mëtejmë normal”, ka konfirmuar në fund të deklaratës për media nënkryetari i Komunës së Gucisë, Edon Balidemaj.
“Gjatë përmbytjeve të muajve dhjetor dhe janar janë vërshuar lumenjtë Gërnçar, Luça, Dola e Vruja, kurse prrojet e shumta aq shumë janë harlisur, saqë praktikisht çdo gjë kanë bartur para vetes. Rrëshqitjet në tri raste kanë shkaktuar dëme të mëdha në vendbanimet rurale, Kolinë, Krushevë dhe Martinaj, rruga ka qenë e mbuluar me material eroziv kah fshati Gërnçar i Epërm. Dhjetëra hektarë të tokës bujqësore janë shkatërruar dukshëm. Uji ka depërtuar në një numër të madh të shtëpive familjare, e shumë familje me atë rast kanë qenë të detyruara t’i braktisin shtëpitë e veta”, me mllef dhe emocion ka deklaruar qytetari Ismet Kolenoviq, njëri ndër shumë fshatarët e fshatit Kolinë, rrugët e të cilit kanë pësuar dëme në ca vende.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat