Datë e rëndësishme dhe historike për komunën

Tuz – 1 Shtatori – Dita e Komunës së Tuzit u shënua me një sërë aktivitetesh të ndryshme. Në mbrëmjen e 1 shtatorit, para godinës së Komunës së Tuzit në ambient të hapur, është mbajtur solemnisht kremtimi i kësaj dite të shënuar për institucionin e vetëqeverisjes lokale, ku morën pjesë nëpunës të komunës, klerikë, ambasadorë, kryetarë komunash, deputetë, bashkatdhetarë dhe veprimtarë nga Diaspora, si dhe personalitete të tjera të sferave të ndryshme të jetës.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, z. Fadil Kajoshaj tha se pavarësisht se viti i kaluar ishte një vit pandemie me plot vështirësi, si për individë ashtu edhe për institucione, u tregua se ne duam dhe dimë.
“Këtë e dëshmojnë projektet zhvillimore të realizuara me sukses, si dhe aktivitetet e ndryshme në kulturë, sport, e posaçërisht nga lëmia e bujqësisë. Mundet edhe më mirë, e duhet edhe më shumë, prandaj jemi të hapur për këshilla e sugjerime, por dhe për kritika konstruktive. Çdokush ka të drejtë për mendim ndryshe dhe në bindje se punën që e bëjmë ne do ta bënte më mirë, por askush nuk ka të drejtë të mohojë suksesin që shihet dhe preket”, theksoi ndër të tjera Kajoshaj.
Në të njëjtën kohë, kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit, u shpreh se gjatë punës së tyre të rrugëtimit dyvjeçarë si komunë e plotë kishte individë skeptik, ngase sipas tij, kishte akterë politikë që prodhonin propagandë manipuluese.
“Ndërsa sot, pas dy vitesh, zërat e tyre nuk dëgjohën më për këtë çështje. Pra, konstatimet tona me dekada që Malësia ka kapacitet për të qenë komunë e suksesshme, janë dëshmuar me punë dhe veprime konkrete të administratës sonë, vetëm gjatë këtyre dy viteve. Ky vend kishte nevojë urgjente për ndërhyrje, për shkak se vite e dekada nuk ishin kryer as investimet më thelbësore të nevojshme për jetën e përditshme. Qytetarët tonë ishin lënë në mëshirën e moszhvillimit në çdo aspekt, si në atë ekonomik, ashtu edhe në atë infrastrukturor e kulturor”, tha Gjeloshaj.
Ai më tutje ka bërë një bilanc të punëve të realizuara përgjatë këtyre dy viteve, por edhe planet dhe projketet që kjo komunë i ka hartuar dhe që planifikon t’i jetësojë në vijim, si dhe ka shpalosur prioritetet që kjo administratë do të ketë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Në Ditën e Komunës, nderohen me mirënjohje vullnetarët e kohës së karantinës në Malësi
Në Ditën e Komunës së Tuzit, kryetari i komunës, z. Nikë Gjeloshaj ka ndarë mirënjohje për vullnetarët të cilët në ditët më të vështira u gjenden përkrah qytetarëve.
Nga Komuna e Tuzit kanë vlerësuar se angazhimi dhe përkushtimi që vullnetarët treguan për të ndihmuar komunën dhe komunitetin gjatë karantinës, është diçka për të cilën Komuna e Tuzit do t’ju jetë përherë mirënjohëse.

Në mbrëmjen solemne u bë ndarja e Çmimit “1 Shtatori – Dita e Komunës“ – 2021
Fitues të çmimit të sivjetshëm të Komunës së Tuzit u nderuar: shkrimtari, publicisti dhe gazetari, z. Fran Camaj me motivacionin “Për kontributin në fushën e arsimit, të gazetarisë e letërsisë si dhe veprimtarisë shoqërore të gjithanshme në dobi të Malësisë, shqiptarëve në Malin e Zi dhe kulturës kombëtare”, Smail Maliq Çunmulaj me motivacionin “Për veprimtari shoqërore, politike dhe ekonomike në të mirën e Malësisë”, dhe Zef Dedvukaj me motivacionin “Për veprimtari humanitare”.
Në Ditën e Komunës është hapur edhe Zyra e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.
Rikujtojmë se vendosja e datës 1- Shtator si Dita e Komunës së Tuzit korrespondon me datën kur sipas Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi, në vitin 2018, Komuna e Tuzit fitoi zyrtarisht statusin e Komunës së pavaruar, dhe miratimi i datës 1 shtator – Dita e Komunës së Tuzit ishte miratuar me shumicë votash nga këshilltarët e kuvendit, pas një Propozim-vendimi nga këshilltarët e koalicionit qeverisës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat