
Daja im ishte një person i rëndësishëm në jetën time dhe ai kishte një vend të veçantë tek unë. Më dukej se isha i vetmi fëmijë i privilegjuar në botë që kisha një dajë që më lexonte gjithmonë mendjen. Më argëtonte dhe më frenonte në të njëjtën kohë. Kur unë kërkoja diçka që nuk shkonte, ai më thoshte se nuk ka. Ishte ky një mashtrim, por gjitnjë për të mirën time. Kur mua më kalonte dëshira e parealizuar, ai më ngucte:
- Hë, a të rrejta tash?
Edhe unë isha mësuar me këtë lojë mes meje dhe dajës dhe më pëlqente shumë. E dija se më “rren” për të mirën time, andaj kisha dëshirë të më “rrejë”.
Njëherë kisha dëgjuar disa fëmijë të mëhallës të thonin “sonte na vjen daja” dhe mendova se mos mua ma paskan marrë dajën! Kur daja erdhi për vizitë, i tregova se si disa fëmijë kishin edhe ata dajë. - Edhe ata kanë dajë – tha daja.
- Por jo ty – vazhdova unë.
- Jo, ata e kanë të vetin – tha daja dhe unë u lehtësova.
Pastaj daja bënte të tjera lojëra me mua. Shpesh më pyeste: - Kush asht ma i bardhë se pllumi?
- Nipi te daja – thosha unë përgjigjen që ai vetë ma kishte mësuar.
Daja atëherë qeshte dhe me vetëkënaqësi shtonte: - Ashtu pra.
Kur kishim ndonjë gjellë të mirë, kisha dëshirë të ishte daja aty. Për mua gjella më e mirë ishte supa e gjelit. Një ditë nëna kishte zier një gjel dhe daja erdhi. Por ai ishte për ngut dhe në vend që të hante me ne, tha: - Banu gati, eja me mua.
- Po gjeli? – thashë unë.
- Kena pre edhe na nji gjel – tha ai.
Nga dëshira e madhe që kisha për të shkuar te dajat, e sakrifikova supën e gjelit. Por kur u ulëm pranë sofrës së dajës, pashë se edhe ata kishin të njëjtën gjellë. - A e sheh, nuk të rrejta se edhe na kena pre gjelin – tha daja.
- Jo, – thashë unë. – Nuk është gjel, por pulë! – Dhe pa pritur përgjigje, futa dorën në sahan plot supë, nxora një copë mish e çova te hunda, e nuhata, pastaj vazhdova:
- I vjen era pulë!
Të gjithë në sofër ia plasën gazit, nuk e di a hanin apo më shumë qeshnin. Unë dhe daja ishim një trup dhe një shpirt. Ai më “rrente” dhe unë kënaqesha kur ma bënte këtë lojë.
Një ditë nënëdaja më tha: - Daja po martohet. Ka me ta marrë nusja dajën!
U mërzita pamasë dhe fillova ta marr inat nënëdajën që më foli kështu. Fillova të vras mendjen se ç’ishte kjo martesa dhe kjo nusja që dashka të ma marrë dajën. E pyeta edhe nënën, por ajo më tha se njëherë do të bëjmë dasmë e të tjerat do t’i kuptoja kur të rritesha.
Unë prisja dasmën me padurim, se ç’ka për të ndodhur me dajën. Dhe ajo ditë erdhi. Erdhën shumë njerëz që unë s’i kisha parë më parë. Erdhi edhe një lodraxhi, i cili quhej Shaqë, dhe i biente lodrës. - Dasma pa Shaqen me lodër nuk bahet! – dëgjoja dasmorët të flisnin me njëri-tjetrin.
Lodra buçiste dhe nxirrte tinguj të çuditshëm: da-da-dang, da-da-dang… Dhe kur e shpejtonte ritmin, mua më dukej sikur thoshte: iku-daja, iku-daja, iku-daja. Të gjithë dukeshin të gëzuar, ndërsa unë, çfarë të them, mua më buçiste në veshë: iku daja.
Dhe nusja erdhi. Më kishte sjellë dhurata edhe mua, por unë nuk u gëzova sepse mendoja ç’nuse është kjo që do të ma marrë dajën. - Daja nuk më rren ma, me siguri tash e rren nusen e tij! – i thashë nënës, pas disa ditësh. Ajo më lëmoi kokën dhe lotët nuk i mbante nga e qeshura. Nuk e kuptova përse nëna qeshte dhe qante njëkohësisht…
