Çmimi i Parë për performancën më të mirë në kërcim

“Puna jonë e palodhur u shpërblye kur u vlerësuam me vendin e parë për performancën më të mirë të kërcimit – një dëshmi e muajve të përkushtimit dhe përgatitjes. Ne u larguam nga Turqia duke u ndjerë jashtëzakonisht krenarë dhe mirënjohës për përvojën si dhe shpresojmë të vazhdojmë të ndajmë kulturën tonë dhe ta bëjmë emrin tonë të njohur në skena edhe më të mëdha në të ardhmen”, shprehet Amra Demiri, kryetare e AKV “Trojet Tona”

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona” nga Ana e Malit (Komuna e Ulqinit) mori pjesë më 28 shtator deri më 2 tetor 2024 në Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit dhe Muzikës Popullore në Fethiye, përkatësisht qytetin Ölüdeniz të Turqisë.
Në këtë festival morën pjesë ansamble nga 14 shtete dhe sipas kryetares së AKV “Trojet Tona”, Amra Demiri, ndjenja e miqësisë dhe e shkëmbimit kulturor ishte e pabesueshme.
Ajo tregon se ditën e parë të qëndrimit të tyre në Ölüdeniz, pjesëtarët e AKV “Trojet Tona” e kanë shfrytëzuar për t’u njohur me këtë qytet duke eksploruar rrugët, dyqanet dhe kafenetë plot gjallëri.
“Në ditën e dytë, ishte koha për t’u fokusuar në arsyen e vërtetë të udhëtimit tonë: përfaqësimin e Ulqinit në ceremoninë e hapjes së Festivalit. Të veshur me kostumet tona tradicionale, performuam herët pasdite, duke ndarë vallet dhe traditat tona shqiptare me publikun turk. Populli i Turqisë tregoi një vlerësim të madh për kulturën tonë dhe ne, nga ana tjetër, u përkushtuam t’u jepnim atyre shfaqjen sa më autentike dhe energjike të trashëgimisë sonë, gjithmonë me buzëqeshje dhe plot krenari”, shprehet kryetarja e AKV “Trojet Tona”.
Po atë natë, pjesëtarët e këtij ansambli morën pjesë në një konkurs kërcimi, të organizuar në kuadër të Festivalit, duke interpretuar dy nga vallet tona tradicionale.
Ndërkaq mbrëmjen e ardhshme ishte nata e finales së madhe, e cila u mbajt në qendër të qytetit, ku njerëzit ishin tubuar për të parë ansamblet që shfaqnin kulturën unike të vendeve të tyre.
“Ne dhamë gjithçka, të vendosur për të lënë një përshtypje të qëndrueshme. Ajo që vërtet i dalloi ‘Trojet Tona’ ishte aftësia jonë për të sjellë energji dhe atmosferë në çdo ngjarje. Ne nuk po performonim vetëm; ne po krijonim një hapësirë mikpritëse, ku të gjithë mund të ndjenin gëzimin dhe entuziazmin e Festivalit”, shprehet Amra Demiri, valltare dhe kryetare e AKV “Trojet Tona”.
Puna disamujore për të marrë pjesë në këtë festival u shpërblye me çmimin për performancën më të mirë në kërcim.
“Puna jonë e palodhur u shpërblye kur u vlerësuam me vendin e parë për performancën më të mirë të kërcimit – një dëshmi e muajve të përkushtimit dhe përgatitjes. Ne u larguam nga Turqia duke u ndjerë jashtëzakonisht krenarë dhe mirënjohës për përvojën si dhe shpresojmë të vazhdojmë të ndajmë kulturën tonë dhe ta bëjmë emrin tonë të njohur në skena edhe më të mëdha në të ardhmen”, përfundon Demiri.
AKV “Trojet Tona” është një ndër shoqëritë kulturore-artistike më aktive në komunën e Ulqinit, pjesëmarrëse dhe fituese e çmimeve në disa festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat