
Jallia
Ishte një vajzë e re duke u larë në Jalli. Jallija-Kacemja (jallia, nga turqishtja – fushë në bregdet) gjendet në pjesën juglindore nën Kalanë e Ulqint. Në anë të majtë ishte Moli i Vogël, kurse në anë të djathtë Moli i Madh. Plazhi i Jallisë ka qenë me zhavor, me cektinë ranore, gjatësi prej 50 kurse gjerësi deri në 7 metra. Në pjesën e majtë të bregut gjendet Guri i Zi dhe shkëmbi i madh- Kacemja i lartë deri në tri metra mbi sipërfaqen e detit. Sipër Jallisë-Kacemes është Bedeni i Kanunes, Pallati Venediku dhe Tabja. Në rrugën që shkon për në Kala është Porta (hyrja) e Kalasë në pjesën jugore.
Në Jalli jemi larë në det, kemi bërë notimin e parë. Edhe katër fëmijët e mi dhe tre nipat e mbesat kanë filluar notimin dhe larjen në det aty. Më të vegjëlit kanë notuar deri te Guri i Zi, të rriturit kanë hypur dhe kërcyer nga Kacemja. Ndërmjet dy moleve djemtë e rinj kanë lujtuar vaterpollo. Më kujtohen lojtarët në dekadën e pestë-gjashtë të shekullit XX: Xhavid dhe Sani Ismajlaga, Rashko Zhivanoviq, Sllobo Markoviq, Sabri Kapllanbegu, Mustafë Nimanbegu. Më vonë kanë lujtuar edhe Lluka Gjuroviqi, Zuhdi Dema. Edhe ne nxënësit e shkollës tetëvjeçare kemi bërë gara në det. Më kujtohen edhe djemtë të cilët notoshin dhe u zhyteshin në det: Jakup Nimanbegu, Selatin-Tino Vogliqi, Zuhdi Bushati e të tjerë.
Në Molin e Madh janë gastuar barkat e vogla, kurse në Molin e Vogël sandallat dhe fllugat e peshkaxhive. Në pjesën tjetër të Molit të Madh kanë ardhur barka më të mëdha si edhe anijet për transport të mallrave dhe udhtarëve.
Martesa
Në Jalli Milihaja i ra “në sy” Zija Hidrit nga Ohri, i cili ishte në pushimin veror. Pas kthimit në Ohër, Zija Hidri kontaktoi me prindërit e Milihasë. Kështu ata u afruan dhe u martuan.
Biografia
Shkollimi
Zija Hidri u lind më 22 mars në vitin 1938 në Ohër.
Shkollën fillore edhe të mesmen i përfundoi në vendlindje.
Fakultetin Filologjik – dega fizikë dhe matematikë e përfundoi në Shkup.
Ka punuar në katundet e Tetovës, pastaj u punësua në Ohër te Shkolla “Vllazërim Bashkim”.
Presionet dhe jeta e vështirë
Në vitin 1981 ndodhën demonstratat në Kosovë. Ishte reagim i shpejtë kundër shqiptarëve në Kosovë, por edhe në vendet tjera ku jetonin shqiptarët. Pasoja të mëdha ishin në Ulqin si edhe në Maqedoni. Në vitin 1980 me nxënësit e tij të cilët kanë studiuar në Prishtinë, ka shkuar në ekskursion në Shqipëri.
Për atë shkak shumicën e organizatës e përjashtuan nga puna.
Zija Hidrin me disa shokët e tij të cilët atëherë ishin të larguar nga puna, kohë pas kohe i ftonin në polici, duke u shtruar pyetje dhe maltretuar. Kërkonin shkakun për t’i burgosur. Ua morën edhe pasaportat që mos të munden të largohen nga Jugosllavia e atëhershme. Zija Hidri gjithmonë u përgjigjte:
“Unë jam shtetas i Maqedonisë dhe i Jugosllavisë. Ohri është vendlindja ime. Por jam edhe shqiptar, nuk kam bërë asnjë farë gabimi.. punën time në arsim e kam punuar ashtu si lypet…kam familjen…”.
Gjithnjë kërkon arsye për ta burgosur.
Vëllau i Zijas ishte në Amerikë dhe ai ia nisi garancionin për shpërgulje në mergim. Kaluan 8 vjet derisa erdhen letrat. Zija Hidri ishte shumë i mërzitur nga papunësia dhe jeta e vështirë.
Mërgimi në SHBA
Definitivisht më 27 mars të vitit 1989, familijarisht me bashkëshorten Milihanë dhe dy djemtë u nisën për Amerikë. Nuk kanë njoftuar askënd prej familjes nga frika mos t’i ndalojnë dhe maltretojnë.
Vitet e fundit të jetes te Zija Hidri u paraqit sëmundja e Alchajmerit.
Familja e tij vendosi të shkojë në Ohër. Zija në Ohër ndihej me i kënaqur, ishte në mesin e njerëzve të vet edhe në vendin e vet.
Mbas një viti me këtë sëmundje të rendë, Zija Hidri ndërroi jetë më 6.6.2018.
Milihaja është vajza e Nail dhe Hasene Karamanagës, e lindur më 1952 në Kalanë e vjetër të Ulqinit. Fëmijërinë e kaloi me shoqet e saj Hyrije Karamanaga-Cungu (1951) dhe Fitnete Kapllanbegu-Karamanaga (1952). Shkollën fillore e përfundon në gjuhën joamtare në Ulqin. Gjithashtu edhe Shkollën e Mesme Ekonomike. Ka punuar në tregti deri në martesë.
Emigrimi në SHBA
Emigrojnë familjarisht në SHBA. Kanë pasur punë dhe jetë të suksesshme në Çikago. Pastaj shkuan të jetonin në jug të SHBA-së, në Atllanta.
Vizita në Australi
Në vitin 2010, Milihaja e vizitoi axhën Ibrahim në Australi. Ajo qëndroi dy javë në shtëpinë e tij. Ibrahimi përjetoi çaste të bukura, i erdh mbesa, bisedonin për të gjithë, për Kalanë, të afërmit e tyre…
Ajo thotë: “Kam qenë në Australi te axha Ibrahimi. Ai ishte shumë i sëmurë në spital. Kur më ka parë ka thënë: ‘Kjo isht dita ma e bukur e jemja në kyt jetë’. Të gjithë kohën kemi qenë bashkë. Gjithkujt i thoshte: ‘Kjo isht mesa jëme“.
Milihaja tregon se në albumin e axha Ibrahimit ka pasur disa fotografi me më të afërmit e tij pas mërgimit në Itali dhe Australi në vitin 1967. Ato fotografi nuk ia dha Melihasë. E ka marrë vetëm librin për Ligën e Prizrenit, të botuar në Itali në vitin 1978 në gjuhën shqipe. Edhe kjo gjë e dëshmon Ibrahimin si patriot, i dashuruar me vendlindjen, por edhe me kombin e vet shqiptar.
Milihaja thotë: “Axha Ibrahimi më ka thënë se në shkollën fillore mësuesi ka qenë Milutini. Ka mësuar me Hajlije Peshkun (vajzën e eff. Mulla Sulejman Peshkut), me Mina Mollabeqirin (e martuar për Shaban Cungun)…”.
Milihaja vazhdon: “Në spital gati çdo ditë e kanë vizituar ulqinakët: Ruzhdi Bilali me bashkëshorten, Muhamed Mujushi, Ismet Mollabeqiri, Shefkoja, djali i Cafo Ishmakut, Irfan Hoxha…”.
Babi i saj Nail Karamanaga (1925-1986) thoshte: “Erdhi Viti i Ri, erdhi 1 Maji, po na vjen vera”.
Legjendë
“Kam qenë nxënëse shkolle. Ishte natë duke u kthyer nga shkolla. Në bedenin te Fusha e Qehajës janë disa penxhere të rrumbullakëta me pamje nga deti. Ndërmejt dy penxhereve të fundit janë tri hapësira të vogla… Duke ecur menjëherë nga këto hapësira të vogla doli flakë e kuqe… U frigova, shpejtova dhe mbërrita deri te shpia jonë… Për këtë nuk i fola askuj. Kaluan disa ditë, te ne erdhi Hatmane Hoxha, vajza e kushërinit Musa Nagës. E shoqërova Hatmanen deri te Porta e Jallisë. I tregova se çka më ka ndodhur para disa netëve duke kaluar nëpër Fushë të Qehajës”.
Hatmanja ndali dhe më tha:
“Kam dëgjuar nga të moçmit se para njëqind vjetëve nuset janë marrë natën në kal. Njëherë duke kaluar kali me nuse te ato penxheret e vogla para bedenit te Fusha e Qehajës, nga deti e gjuajnë me top Kalanë, dhe atëherë vetëm nusja ka mbetur e vdekur… Ti nuk je vetmja që e ke pa flakën e cila del nga këto penxhere…”
Për mësuesen
Milihasë nuk i kujtohet mbyllja e shkollave shqipe në Ulqin (viti 1956).
“Kam mësuar në gjuhën serbo-malazeze. Më kujtohet mësuesja Lubica Aleksiq. Duke ditur se unë sllavishten e fol shumë keq, më ka thirrur pas orëve me më mësar. Disa herë më ka marrë në shtëpinë e saj në Lima. Më ka dhënë me hanger bukë e ullinj, ose diçka tjetër. Ka qenë grua dhe mësuese shumë e mirë”.
Ardhja e shkurtër në vendlindje
Ditë vere, gusht 2022. Milihaja erdhi në Ohër, pastaj shkurt e vizitoi edhe vendlindjen Ulqinin. Në ëmbëltoren “Hollyday” takuam Ardijanin, djalin e Milihasë. Ai ishte me djalin e vogël dhe bashkëshorten e tij nga Kosova. Ardijani na foli, iu kujtuan ditët të cilat e ka kaluar në Jalli duke u larë në det në Kaceme.
Në fund Milihaja shprehet: “Do të kthehem përgjithmonë. Do të jetoj në Ohër. Shpesh do ta vizitoj edhe Ulqinin”.
(Nga libri në dorëshkrim “Mërgimtar)