Çdo vit e më pak nxënës në SH.F. ”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Krajës

Teksa në rrugët dhe oborret e shumë shkollave fillore dëgjohet zhurma nga zërat e fëmijëve të emocionuar dhe entuziazmuar, në objektin modern jashtëzakonisht të bukur të SH.F. “Gjergj Katsrioti-Skënderbeu” në Ostros të Krajës, të cilin do ta dëshironin shumë qytete në Mal të Zi, kjo zhurmë edhe këtë vit shkollor 2022/2023 ka munguar. Arsyet kryesore janë shpërnguljet e vazhdueshme të kranjanëve, rënia e natalitetit dhe migrimi jashtë shtetit.
Drejtori i ri i shkollës, Sami Doda thotë se çdo vit ka më pak nxënës në bankat e kësaj shkolle për shkak të largimit të popullatës vendase nga Kraja, e cila për fat të keq gjithnjë e më shumë po boshatiset. “Këtë vit shkollor janë regjistruar 78 nxënës, 5 më pak se një vit më parë. Ata i kemi shpërndarë në 7 paralele në shkollën amë dhe 3 paralelet e ndara në Arbnesh (5 nxënës), në Skje (1 nxënës) dhe Bobosht (4 nxënës), ndërsa për herë të parë u ulën në bankat e shkollës 7 nxënës. Mësimi këtë vit shkollor filloi normalisht pa masa kufizuese për shkak të pandemisë së korona virusit. Kjo na gëzoi shumë të gjithëve, punonjësve të shkollës, mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve të tyre. Për këtë fillim të ri shkollor i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në hapësirat brenda dhe jashtë objektit të shkollës, të cilat na mundësojnë që procesi mësimor të zhvillohet pa asnjë problem dhe në kushte shumë të mira. Nxënësit që në fillim të vitit të ri shkollor janë pajisur me tekste të nevojshme mësimore, të cilat sivjet për herë të dytë ua ka siguruar falas Ministria e Arsimit e Malit të Zi ”, pohon Doda. Ai shton se për të gjithë nxënësit që do t’u duhej të udhëtonin disa kilometra këmbë për të ndjekur procesin mësimor, shkolla meqë ka në dispozicion tri mjete të veta transporti, u ka siguruar atyre transportin falas, e kjo falë ministrisë përkatëse e cila i mbulon këto shpenzime.
I pyetur për numrin e mësimdhënësve të kualifikuar, drejtori Doda thekson se në procesin mësimor janë të angazhuar 17 mësimdhënës, ku shumica e tyre plotësojnë normën, kurse pjesa tjetër është e plotësuar me profile të përafërta nga shkollat e trevave përreth.
Në qoftë se rënia e numrit të nxënësve në shkollën e Krajës vazhdon me këtë ritëm, norma e mësimdhënësve do të bie gjithnjë e më shumë, madje do të rrezikohet edhe mbyllja e disa paraleleve ekzistuese.

Gj. Gjonaj

Të fundit

më të lexuarat