“Buka e harruar”

Në fshatin Cemi i Trieshit, ku sot ndodhet vendkalimi kufitar Cem-Grabom mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, dikur kanë ekzistuar tre mullinj uji, të cilët para pesë dekadash furnizonin me miell tërë Malësinë e Madhe e më gjerë. Asnjëri prej tyre nuk ka mbijetuar. Ata jo vetëm se nuk janë funksionalë (nuk bluajnë më), por ka shumë vite që janë zhdukur. Kanë mbetur vetëm pak gjurmë të hershme të cilat dëshmojnë ekzistencën e tyre. Me zhdukjen e tyre është harruar edhe buka e gatuar prej drithit të bluar nga fërkimi i gurëve, të cilët i vinte në lëvizje fuqia e ujit

Gjekë Gjonaj

Mullinjtë e ujit në kohët e hershme përdoreshin nga popullsia vendase për plotësimin e nevojave të saj në bluarjen e drithit. Me miellin e bluar në këta mullinj përgatitej buka për gatim, buka e kallamboqit/misrit dhe ajo e grurit, miell për kaçamak dhe për të gjitha llojet e brumit.
Në fshatin Cemi i Trieshit, ku sot ndodhet vendkalimi kufitar Cem-Grabom mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, dikur kanë ekzistuar tre mullinj uji, të cilët para pesë dekadash furnizonin me miell tërë Malësinë e Madhe e më gjerë. Asnjëri prej tyre nuk ka mbijetuar. Ata jo vetëm se nuk janë funksionalë (nuk bluajnë më), por ka shumë vite që janë zhdukur. Kanë mbetur vetëm pak gjurmë të hershme të cilat dëshmojnë ekzistencën e tyre. Me zhdukjen e tyre është harruar edhe buka e gatuar prej drithit të bluar nga fërkimi i gurëve, të cilët i vinte në lëvizje fuqia e ujit.

Mulliri i Husajve
Mulliri i Husajve mund të jetë ndërtuar kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Vitin e saktë të ndërtimit të këtij mulliri nuk e mbajnë mend as trashëgimtarët e tij më të vjetër. Pronarë të këtij mulliri kanë qenë Kaçel Dedë Husi, Lucë Dedë Husi dhe Gjel Dedë Husi. Nevoja e familjes dhe e popullatës për të siguruar bukën ka bërë që këta tre vëllezër të fillojnë ndërtimin e mullirit të ujit. Ndërtimi i këtij mulliri të vogël, i cili e ka bluar drithin vetëm me një rrotë prej guri, ka qenë shumë i vështirë, për shkak të largësisë deri në lumin Cem. Për ta sjellë ujin, i cili shërben për të vënë në funksion gurin për bluarje, sikur ndodh me çdo mulli me ujë, është dashur të hapet vija e ujit, ndryshe kanali apo jazi siç e quanin cemakët (vendasit), i ndërtuar enkas në gjatësi prej afro 600 metrash dhe rreth 40-50 cm thellësi.
Nua (Toni) Nikprëlaj (88 vjeç), përdoruesi i fundit i këtij mulliri, tregon se si funksiononte ai dhe kujton ditët e para si mullis.
“Unë kam filluar të punoj në këtë mulli në moshën fëmijërore. Fillimisht ndërroja baballarët, ndërsa me kalimin e kohës dalëngadalë e mësova zanatin e mullisit, i cili nuk është aspak i lehtë. Të jesh mullis duhet me qenë punëtor i përgatitur dhe njohës i kësaj zeje, të cilën nuk mund ta kryejë çdokush. Uji vinte përmes jazit (kanalit) të posaçëm prej afro 600 metrash, i projektuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që të siguronte pjerrtësinë e nevojshme për ardhjen e sasisë së duhur të ujit. Uji me të mbërritur në afërsi të mullirit ishte projektuar që të kishte një lartësi dhe largësi të caktuar në mënyrë të tillë që të merrte pjerrësinë dhe njëkohësisht forcën e duhur, duke përshkuar një tjetër strukturë prej druri, punuar me dërrasa që quhej lugu i mullirit dhe përfundonte duke vënë në punë rrotën, e cila e sillte mokrën (gur i sheshtë e i rrumbullakët, mjaft i rëndë e me një vrimë në mes) e mullirit, i cili duke marrë shpejtësinë e nevojshme të rrotullimit realizonte bluarjen e drithit. Kokrrat e drithit bien njëra pas tjetrës në mesin e mokrës së mullirit që rrotullohet vazhdimisht. Një mekanizëm i thjeshtë druri që rrëshqet mbi sipërfaqen e palëmuar të mokrës komandon sasinë e kokrrave të drithit që presin për t’u bluar. Poshtë mokrës del mielli i sapobluar që mblidhet në një rezervuar, para se të hidhet në thes apostafat për këtë qëllim, ose hambarin e bereqetit siç quhet ndryshe”, thotë Nikprëlaj.
Ai pohon se mulliri ka punuar njëzet e katër orë, sepse kishte kërkesa të mëdha për bluarje të drithërave nga shumë qytetarë shqiptarë nga të gjitha trevat e Malësisë së Madhe, madje edhe nga fshatrat përreth me popullatë joshqiptare, të cilët pritnin edhe dy javë kohë për ta kryer bluarjen. Sipas fjalëve të tij, mulliri i tyre ka punuar më se një gjysmë shekulli me ndërprerje, sepse është dashur disa herë të rihapet kanali, i cili mbulohej nga dheu dhe shkëmbinjtë, për shkak të konfiguracionit të terrenit.

Derisa dekada më parë, njerëz nga të gjitha krahinat e Malësisë së Madhe dhe Kuçit prisnin në radhë me ditë e javë për të bluar drithin në mullinjtë e Cemit të Trieshit, sot kanë mbetur vetëm rrënojat e tyre, kurse fshatit i ka humbur një pjesë e historisë


Nga Shtjefën Ujkaj, njohës i mirë i trashëgimisë kulturore të Malësisë, mësojmë se nga ky mulli unik në llojin e vet s’ka mbetur asgjë, përveçse disa gurë ciklopikë dhe rrota e mullirit, për të cilën është kujdesur Kolë Nika Ujkaj.
“Ai këtë gur të mullirit e ka gjetur te një ushtar i Ushtrisë jugosllave, i cili e kishte marrë duke menduar se nuk i nevojitet kujt, dhe e ka kthyer para 30 vitesh në oborrin e shtëpisë së Nikollë Lucë Dedës Nikprëlaj”, thekson Ujkaj.
Ky gur tani gjendet te shtëpia e Nikollë Lucajt.

Mulliri i Gërmanit dhe i Nikmarashit
Në Cem të Trieshit, përveç mullirit të Husajve kanë ekzistuar edhe dy mullinj të tjerë – mulliri i Gërmanit dhe i Nikmarashit.
“I pari ka qenë pronësi e përbashkët e Lucajve dhe Ujkajve dhe ndodhet në afërsi të shkollës katërklasëshe, në anën tjetër të lumit Cem. Ai, për dallim nga mulliri i Husajve, nuk ka punuar nga uji i lumit Cem, por nga Sheu i Vukladit dhe Gurra e Linit rrëzë Qeut të Ohotës në Gërma të Delajve. Mulliri i Nikmarashit ka punuar nga rrjedha e ujit të Sheut të Lazër Keqit”, pohon Ujkaj.
Në mungesë të ujit, kryesisht përgjatë verës së thatë, këta mullinj kanë qenë sezonalë dhe e nisnin punën në varësi të reshjeve.
Mullisit e mullinjve të përmendur si pagesë për bluarje nuk merrnin para, por ujem (në miell ose drithë). Ujemi nuk ishte i lartë, por as i ulët. Për 100 kilogramë drithë duhej t’i jepnin mullisit 2.5 kilogramë drithë. Profesioni i mullisit në mullinjtë e zakonshëm (me ujem) ishte një punë e paguar mirë, e cila siguronte të ardhura të tilla ditore kur punonte 24 orë, sa për të blerë 3-4 babune (enë druri e rrumbullakët me një vesh) drithë (përafërsisht një thes me miell), që për ta siguruar me punë të zakonshme do të duhej të punoje diku tjetër një muaj kohë.
Derisa dekada më parë, njerëz nga të gjitha krahinat e Malësisë së Madhe dhe Kuçit prisnin në radhë me ditë e javë për të bluar drithin në mullinjtë e Cemit të Trieshit, sot kanë mbetur vetëm rrënojat e tyre, kurse fshatit i ka humbur një pjesë e historisë.

Të fundit

më të lexuarat