Botim që i reziston harresës në fushën e mjekësisë

Në shoqërinë e mjekëve shqiptarë nga Mali i Zi që veprojnë në Kosovë, si dhe në prani të dashamirëve të tjerë nga Kosova, u fol për rëndësinë dhe vlerën e këtij botimi, për kontributin e pashoq që këto emra të rëndësishëm të fushës së mjekësisë i dhanë shoqërisë sonë

Prishtinë – Të martën, më 24 maj, në Prishtinë u bë promovimi i monografisë “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”, të përgatitur nga prim. dr. Gani Karamanaga. Promovimi u organizua nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bashkimin e Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.
Në shoqërinë e mjekëve shqiptarë nga Mali i Zi që veprojnë në Kosovë, si dhe në prani të dashamirëve të tjerë nga Kosova, u fol për rëndësinë dhe vlerën e këtij botimi, për kontributin e pashoq që këto emra të rëndësishëm të fushës së mjekësisë i dhanë shoqërisë sonë.
Për librin kanë folur epidemiologu Prof. dr. Isuf Dedushaj (akademik), pulmologia Mr. dr. Burbuqe Shurdha, neuropsikiatrja dr. Sarije Pufja – Doko, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, dhe përgatitësi i monografisë Prim. dr. Gani Karamanaga.
Në fjalën e tij, Prof. dr. Isuf Dedushaj u fokusua te mjekët e parë shqiptarë në Mal të Zi.
Dr. Burbuqe Shurdha e cilësoi librin si mbamendje kolektive, si një botim tejet të rëndësishëm që i reziston harresës në fushën e mjekësisë, si një përkujtim, homazh, nderim e vlerësim për ata që nuk janë më.
Dr. Sarije Pufja-Doko, midis tjerash, e falënderoi dr. Karamanagën, sepse “shqiptarët është vështirë t’i bësh dy bashkë, derisa dr. Ganiu i mblodhi bashkë shqiptarët makar në libër.”
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i KKSH-së, Faik Nika, i cili nënvizoi se “pasuria më e madhe e një vendi janë burimet njerëzore dhe nëse këto pasuri arrijnë të gjejnë sinergjinë e duhur, mund të bëjnë shumë më shumë.”
Ai gjithashtu shtoi se KKSH do të përkujdeset që edhe në të ardhmen të mbështesë aktivitetet dhe botimet e kësaj natyre, të cilat kontribuojnë në ruajtjen e identitetit kombëtar.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat