Blen makinën speciale të kombinuar për punë të ndryshme

Guci – Para pak ditësh, Komunës së Gucisë iu dorëzua makina speciale e kombinuar e markës “Hidromek HMK1025 Alpha”, e blerë në kuadër të projektit “POPOS” për nevojat e banorëve, të cilën e financon Ambasada japoneze. Përkitazi me këtë, në muajin mars të këtij viti në Beograd, kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, nënshkroi marrëveshjen mbi grantin me ambasadorin e Japonisë në Mal të Zi, Takahiko Katsumata, pas së cilës, ekipi projektues i komunës, në përbërje mr. Huso Brdakiq menaxhues dhe Semih Rexhepagiq anëtar i ekipit, i është përvishur zbatimit të procedimeve për realizimin e këtij projekti.
Pas zbatimit të suksesshëm të tenderit dhe procedimeve të tjera administrative, blerja e makinës në fjalë i është besuar firmës SHPK “Vladex” nga Velika Drenova (Drenova e madhe), e cila me çmim më të volitshëm ka marrë pjesë në tender, e cila është edhe importuese e përgjithshme dhe përfaqësuese e këtij brendi.
Grantet e Ambasadës së Japonisë “POPOS”, kanë për qëllim që të përkrahin zhvillimin shoqëror përmes projekteve, për nevojat themelore të banorëve, andaj edhe përkundër konkurrencës së madhe, Komuna e Gucisë është komuna e vetme në Mal të Zi e cila ka fituar grantin në vitet 2020/2021, përmes programit “POPOS”. Përndryshe, vlera e vërtetë e kësaj makine është rreth 87.000 euro. Por, Komuna e Gucisë të njëjtën e ka blerë për 70.920 euro, meqë është liruar nga pagesa e TVSH-së sepse është fjala për donacion ndërkombëtar.
Ambasada e Japonisë për blerjen e kësaj makine Komunës së Gucisë i ka paguar mjete në të holla në shumë prej 73.000 euro, ashtu që me tepricën e mjeteve të pashpenzuara do të bëhet blerja e pajisjes shtesë për makinë.
Makina e kombinuar në fjalë, i është dorëzuar në shfrytëzim ndërmarrjes SHPK “Veprimtaritë komunale” në Guci, e cila do të shfrytëzohet për pastrimin e borës, gërmimin e kanaleve për rrjetet e ujësjellësve, pastrimin e aluvioneve, etj.
Dorëzimit solemn të makinës Komunës së Gucisë dhe dorëzim-pranimit të saj SHPK-së “Veprimtaritë komunale” për shfrytëzim, kanë qenë të pranishëm: kryetarja e komunës, Anella Çekiq, nënkryetari i komunës, mr. Huso Brdakiq, shefi i Policisë komunale, Semih Rexhepagiq, drejtori ekzekutiv i SHPK “Veprimtaritë komunale”, Demir Bajroviq, drejtori teknik, Emir Delanin, menaxhuesi i shitjes së SHPK “Vladex” nga Drenova e madhe, Bojan Matiq, si dhe drejtuesit dhe makinistët të cilët do të ngarkohen me makinë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat