Ulqin – Fondacioni “Studenti” ka organizuar të shtunën në Qendrën e Kulturës në Ulqin edicionin e 15-të të Garave të recituesve të rinj për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe në Komunën e Ulqinit dhe Tivarit.
Kryetari i Fondacionit “Studenti”, Hajredin Kovaçi, ka thënë në fjalën përshëndetëse se për shkak të situatës së rënduar epidemiologjike, sidomos në Komunën e Ulqinit, kanë qenë të detyruar që të shtyjnë mbajtjen e garave, “sepse puna me fëmijë është përgjegjësi e madhe!”
“Këto gara janë mundësi e mirë për zbulimin e talenteve të reja që një ditë mund të shkëlqejnë! Të dashur nxënës, Ju vleni, prandaj jeni këtu! Ju të gjithë jeni fitues!”, ka thënë ai, duke u drejtuar pjesëmarrësve.
Juria e përbërë nga poeti dhe studiuesi i letërsisë Dimitrov Popoviq, përndryshe redaktor për botimet në gjuhën shqipe në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore në Podgoricë, Edita Nimanbegu, shkrimtare, dhe Teuta Gjeçbritaj, mjeke dhe ish-pjesëmarrëse në Garat e recituesve të rinj, kanë vlerësuar dhe përzgjedhur fituesit
Kovaçi ka thënë se kanë arritur që Garat e recituesve të rinj të bëhen tashmë tradicionale, për ç’gjë ka falënderuar “të gjithë ata që ndër vite ndihmuan këtë aktivitet të bukur kulturor”, e në veçanti Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të Malit të Zi, i cili këtë vit ka mbështetur mbajtjen e tyre.
Në edicionin e sivjetshëm kanë marrë pjesë nxënësit e katër shkollave fillore në Komunën e Ulqinit dhe të Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros, si dhe nxënësit e Shkollës së Mesme “Vëllazërim Bashkim”.
Pasi që i ka dëgjuar të gjithë garuesit, juria e përbërë nga poeti dhe studiuesi i letërsisë Dimitrov Popoviq, përndryshe redaktor për botimet në gjuhën shqipe në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore në Podgoricë, Edita Nimanbegu, shkrimtare, dhe mjekja Teuta Gjeçbritaj, ish-pjesëmarrëse në Garat e recituesve të rinj, kanë vlerësuar dhe përzgjedhur fituesit.
Fitues i përgjithshëm i Garave të recituesve të rinj – Ulqin 2021 është shpallur nxënësi i klasës së nëntë në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga”, Behar Pali, i cili ka recituar poezinë “Nga gurët e kishave, nuk bëmë shtëpi, o Ti!” të poetit vendas Hajredin Kovaçi.
Në kategorinë e shkollave fillore, vendi i parë i takoi Arbana Curës, nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”. Për shkak të konkurrencës dhe paraqitjes së mirë të garuesve, juria ka vendosur që të ndahen dy çmime të dyta dhe të treta në këtë kategori. Me Çmimin e dytë janë vlerësuar Bora Kurti, nxënëse e klasës së tretë në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” dhe Hena Cungu, nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”. Ndërkaq me Çmimin e tretë janë vlerësuar Reina Fici, nxënëse e klasës së tetë në Shkollën Fillore “Marshall Tito” dhe Fjorentina Lekperi, nxënëse e klasës së nëntë në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Në kategorinë e shkollave të mesme kanë marrë pjesë vetëm dy nxënëse të Shkollës së Mesme “Vëllazërim Bashkim”, prandaj juria ka vendosur të ndajë një çmim. Me Çmimin e parë në këtë kategori është vlerësuar nxënësja e vitit të tretë, Leontina Elezoviq.
Fituesit e vendeve të para janë shpërblyer me të holla dhe diploma, ndërsa për të gjithë nxënësit garues dhe mësimdhënësit që i kanë përgatitur ata janë ndarë libra.
Drejtuesit e Fondacionit “Studenti” kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të mbahen edhe Garat e recituesve të rinj për të gjitha shkollat në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Garat e recituesve të rinj është konkursi i vetëm i këtij lloji ndër shqiptarët në Malin e Zi, të cilin Fondacioni “Studenti” e organizon që nga viti 2006.
i. k.
