Bashkim i gastronomisë, turizmit dhe traditës

Në emër të organizatorit, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, ka thënë se ky manifestim u ofron mundësi turistëve dhe të gjithë vizitorëve që ta shijojnë këtë specialitet (bamjen), i cili është regjistruar si prodhimi i nëntë i mbrojtur me markën e cilësisë së Malit të Zi. Për dallim prej viteve të kaluara, edicioni i sivjetshëm ka pasur karakter garues. Vizitorët e shumtë nga vendet e ndryshme kanë shijuar specialitetet nga bamja, të përgatitura në mënyra të llojllojshme nga gjellëbërësit pjesëmarrës në manifestim

Ulqin – Për të gjashtën herë, Pallati Venezia ka organizuar të mërkurën mbrëma (23 gusht 2023) në mjediset e saj në Kalanë e Ulqinit manifestimin tradicional “Ditët e bamjes”, ku kanë marrë pjesë gjellëbërës nga vendet e rajonit (Mali i Zi, Kosova, Bosnja e Hercegovina) dhe bota (Gjermania, Bangladeshi).
Në emër të organizatorit, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, ka thënë se ky manifestim u ofron mundësi turistëve dhe të gjithë vizitorëve që ta shijojnë këtë specialitet (bamjen), i cili është regjistruar si prodhimi i nëntë i mbrojtur me markën e cilësisë së Malit të Zi.
Ajo ka theksuar se qëllimet e këtij manifestimi janë të shumta dhe me rëndësi të madhe jo vetëm për popullatën vendase, përmes markës “Bamjet në mënyrën ulqinake”, por edhe në nivelin nacional si njohja e popullatës me vlerat ushqyese të kësaj bime, nxitja e kultivimit të saj si dhe nxitja e traditës dhe kulturës së kësaj treve.
Ekspertja për skemat e cilësisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore, Merisa Çekiq, ka vlerësuar se ky manifestim do të kontribuojë për njohjen e Ulqinit dhe të vetë Malit të Zi.
Duke folur për markën e mbrojtur të cilësisë së specialitetit “Bamjet në mënyrën ulqinake”, ajo ka thënë se ky nuk është thjesht produkti i nëntë i mbrojtur me markën e cilësisë së Malit të Zi, por është produkti i parë i mbrojtur si specialitet tradicional i garantuar, që i jep rëndësi më të madhe.
“Vetë fakti që me këtë markë është i mbrojtur si produkt i parë duhet të përbëjë krenari, jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për vetë shtetin. Është nder të prezantosh një produkt të tillë në këtë mënyrë”, është shprehur Çekiq.
Menaxherja e Komunës së Ulqinit, Ivana Karagjinoviq, ka thënë se oferta turistike e Ulqinit është vërtet e shumëllojshme, por ajo që organizatori ka bërë me këtë manifestim është posaçërisht e rëndësishme, sepse “ka bashkuar gastronominë, turizmin dhe traditën tonë në një”.
Ajo ka vërejtur se ky manifestim rritet nga viti në vit dhe se ajo që e gëzon është zgjerimi i programit të tij.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, ka thënë se nëse gjysheve dhe nënave tona u takon falënderimi për gatimin e specialiteteve nga bamjet, Pallatit Venezia që e ka vazhduar këtë traditë i takon një falënderim i madh.
“Përpos detit të bukur dhe plazheve ranore, ne duhet ta ruajmë traditën tonë në këtë mënyrë”, është shprehur ai.
Për dallim prej viteve të kaluara, edicioni i sivjetshëm ka pasur karakter garues. Juria, në krye të së cilës ka qenë gjellëbërësi i njohur malazias Vuk Mitroviq, njëherazi kryetar i Shoqatës së Shefave të Kuzhinave të Malit të Zi dhe anëtar i përjetshëm i Asociacionit të Kuzhinierëve Botërorë, ka vlerësuar me vendin e parë Rashming Ullah-Critchley dhe Rushna Khatun nga Bangladeshi. Ato e kanë ndarë vendin e parë me grupin e përbërë nga gjellëbërësit Miodrag Jovanoviq, Ivana Nikoliq dhe Ümran Terk. Vendi i dytë i ka takuar gjellëbërësit Bobo Çupiq nga Podgorica, kurse vendi i tretë kuzhinierit të njohur nga Ulqini, Dragan Briskoviq.
Organizatori ka ndarë mirënjohje për kuzhinierin Vuk Mitroviq dhe kuzhinierin e ndjerë Nijazi Resulbegoviq, për mbështetjen në themelimin dhe organizimin e këtij manifestimi ndër vite.
Vizitorët e shumtë nga vendet e ndryshme kanë shijuar specialitetet nga bamja, të përgatitura në mënyra të llojllojshme nga gjellëbërësit pjesëmarrës në manifestim. Përpos kësaj, ata kanë përcjellur programin muzikor dhe artistik të muzikantëve dhe aktorëve nga Mali i Zi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat