Autori i revoltuar fton njerëzit që të mos maskohen

Tuz- Shkrimtari i ri nga Malësia, Mark Lucgjonaj ka përuruar romanin e tij të dytë të titulluar, “Ligji i Maskave”. Përurimi u mbajt në sallën e kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, në prani të një numri relativisht të madh të adhuruesve të fjalës së shkruar.
Kjo vepër letrare brenda kopërtinave të saj, pasqyron një sërë dukurish e problematikash nga jeta e përditshme në Malësi, të cilat lidhen me jetën politike, ekonomike e sociale të kësaj treve.
Autori i librit, Mark Lucgjonaj, për “Kohën Javore” tha se ky libër ka si tematikë kryesore portretizimin e atyre individëve të cilët tentojnë të largohen nga vetvetja dhe mospranimin e vetës së tyre ashtu siç janë në të vërtetë, në realitetin e përditshëm.
“Njerëzit janë të prirë të fshihen pas maskave, të paraqiten ndryshe nga ajo çfarë janë realisht dhe pikërisht protagonisti i këtij romani, Aleksandri gjendet përballë një situate e cila e çon të bëhet dikush tjetër. Aleksandri deri në çastet e fundit, kur e kupton se duhet të largohet ose të vendosë maskë, ai zgjedh të vendosë maskë por me synim që një ditë t’i shkatërrojë të gjitha maskat”, shprehet autori.
Ai sqaron se për botimin e këtij romani është frymëzuar nga jeta e përditshme në Malësi, sidomos nga sfera e politikës në vend, nga njerëzit e maskuar siç edhe e ka emërtuar këtë roman duke thënë se njerëzit e maskuar në këtë vend po tjetërsojnë dhe po shesin çdo gjë që i përket Malësisë.
Autori i romanit “Ligji i Maskave”, përmes kësaj vepre letrare, transmeton te lexuesit një mesazh, ku i fton të gjithë ata që vendosin maska, t’i heqin ato dhe të jenë vetvetja.
Ndërkaq, vështrimet e tyre për këtë vepër letrare në këtë përurim i kanë shpalosur Prof. Zija Vukaj dhe Prof. Dr. Ermira Çaku- Aliaj, të cilët e kanë vlerësuar këtë roman por edhe krijimtarinë e tërësishme të autorit Lucgjonaj, duke e inkurajuar atë që të jetë kreativ edhe në vazhdim për të nxjerrë në dritë vepra të reja letrare të cilat janë të nevojshme dhe të mirëseardhura në këtë trevë.
Mark Lucgjonaj ka lindur në Podgoricë më 30 gusht 1986. Në Tuz përfundoi arsimimin e mesëm, kurse studimet universitare i kreu në Prishtinë, pranë Fakultetit Filologjik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Studimet pasuniversitare për specializim në Etnologji dhe Letërsi i mbaroi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Përmbledhja poetike “Zhurma e mendimeve” është libri i tij i parë, ndërsa me romanin “Fshati i Heshtjes” filloi edhe krijimtarinë letrare në prozë. “Ligji i Maskave”, është romani i tij i dytë. Jeton dhe punon në Tuz. t. u.

Të fundit

më të lexuarat