Ashensor për Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin

Vlera e donacionit kap shumën 75 mijë dollarë. Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Sadije Hollaj, ka thënë se ashensori i ri do të mundësojë një qasje më të lehtë dhe të barabartë për të gjithë pacientët, por veçanërisht për ata më në nevojë

Ulqin – Shtëpia e Shëndetit në Ulqin është pajisur me ashensor falë donacionit me vlerë 75 mijë dollarë të bashkatdhetarëve tanë Dina dhe Ahmet Kurmemaj, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ceremonia e inaugurimit të ashensorit është zhvilluar të premten (23 shkurt 2024) në Shtëpinë e Shëndetit – Ulqin, me pjesëmarrjen e personelit mjekësor të këtij institucioni shëndetësor, përfaqësuesve të Spitalit të Përgjithshëm të Tivarit, pushtetit vendor në Ulqin, pacientëve dhe përfaqësuesve të Fondit Humanitar “Trojet Tona”, përmes të cilit është realizuar donacioni.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit – Ulqin, Sadije Hollaj, ka falënderuar donatorët Ahmet dhe Dina Kurmemaj për veprën fisnike dhe humanizmin e rrallë.
“Sjellja juaj, veprat tuaja dhe humanizmi juaj i vazhdueshëm ju ka shndërruar në simbol të përkujdesjes dhe respektit ndaj dinjitetit njerëzor. Ju jeni shembulli më i mirë se si distanca nga vendlindja ka shumë pak peshë kur lidhja me vendin është e përjetësuar në mendje dhe në zemër”, është shprehur ajo.
Hollaj ka thënë se ashensori i ri do të mundësojë një qasje më të lehtë dhe të barabartë për të gjithë pacientët, por veçanërisht për ata më në nevojë.
“Vepra juaj është dëshmia më e mirë se si ndërtohen ura solidariteti, bashkëpunimi dhe shprese”, ka theksuar ajo.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit ka falënderuar edhe Fondin Humanitar “Trojet Tona” për angazhimin e tyre të palodhshëm për të ruajtur lidhjet e veçanta të mërgatës sonë në SHBA me vendlindjen si dhe kompaninë “Rapex” nga Tivari për ndërtimin dhe vënien në funksion të ashensorit.
Përfaqësuesja e Fondit Humanitar “Trojet Tona”, Vjollca Lika – Çobaj, ka thënë se donacionet që vijnë nga Familja Kurmemaj gjithmonë bartin me vete edhe një mesazh solidariteti që t’i ndihmojmë dhe t’i gjendemi pranë njëri-tjetrit.
Ajo ka thënë se sigurimi i ashensorit për Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin është një donacion në kujtim të të ndjerit Ramadan Kurmemaj, babait të Ahmetit.
“Edhe ai, si shumë bashkëvendas tanë shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një jetë më të mirë, kushte më të mira dhe duke qenë në një vend të panjohur, vështirësitë dhe sfidat ishin të mëdha. Por gjithmonë ka pasur njerëz të dashur e bujarë që të kanë hapur një derë apo të kanë shtrirë një dorë për të ndihmuar, për të kaluar barrierat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet secila familje kur shpërngulet në një vend të ri”, është shprehur ajo, duke falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer në realizimin e projekteve udhëheqjen dhe stafin e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin.
Në emër të Komunës së Ulqinit ka përshëndetur nënkryetari Beqir Sella, i cili ka falënderuar për donacionin familjen Kurmemaj dhe Fondin Humanitar “Trojet Tona”.
Në fund të ceremonisë, në shenjë falënderimi Shtëpia e Shëndetit – Ulqin ka ndarë mirënjohje për Dina dhe Ahmet Kurmemajn.
Familja Kurmemaj është një nga donatorët më të mëdhenj në komunat e Ulqinit dhe Tivarit, por edhe në komunat tjera të Malit të Zi, sidomos në fushën e shëndetësisë. Ky është donacioni i dytë që gjatë këtij muaji Dina dhe Ahmet Kurmemaj, përmes Fondit Humanitar “Trojet Tona“ realizojnë për banorët e Ulqinit. Para disa ditësh (14 shkurt 2024), Dina&Ahmet Kurmemaj në bashkëpunim me Fondin Humanitar “Trojet Tona” ndanë ndihmë prej 400 euro për çdo fëmijë të Qendrës Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa dhe Vështirësi në Zhvillim “Sirena”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat