(vijon nga numri i kaluar)
13 korrik 2019
Është ditë e shtunë dhe zakonisht si çdo të shtunë, do duhej të ishte pushim. Kjo ndodh në shumë vende të ndryshme në botë. Por, në shumë vende edhe më të ndryshme të botës, në këtë ditë, zakonisht nuk bëhet pushim. Dhe, nuk bëhet pushim për disa arsye, sepse duan t’i zgjasin ditët e punës, të fitojnë më shumë, edhe pse në Kosovë nga kjo ditë nuk fitohet më shumë, por vetëm humbet. Zakonisht, nëpër vendet e zhvilluara, demokratike, atje ku vlerësohet puna dhe punëtori, ku vlerësohet dija dhe njeriu, dita e shtunë konsiderohet ditë e veçantë e punës, pra ditë shtesë, me pagën dy herë apo tri herë më të lartë se ditëve të tjera të zakonshme, që janë nga e hëna në të premte. Sidoqoftë, kjo nuk ndodh në Kosovë dhe nuk ndodh në Shqipëri dhe nuk ndodh as në Mal të Zi, apo nëpër Ballkan në përgjithësi. Edhe pse, gjithmonë edhe pse, ka aty-këtu përjashtime, çuditërisht për mirë.
Kësaj radhe, ditën e shtunë e zgjodhëm vullnetarisht për të punuar dhe për ta kaluar ditën me një punë, që ne e konsideronim të rëndësishme. Rëndësia e punës në këtë rast ishte në përpjesëtim të drejtë me interesat produktive që në fund do të dalin, apo që pritnim të dalin. U takuam unë e profesoresha Florinë në kabinetin e saj në Fakultetin e Arkitekturës, edhe pse, në këtë kohë kur po e shkruaj, ende zyrtarisht nuk ka filluar si fakultet në vete, i cili pritet të fillojë në tetor, gjegjësisht në vitin akademik 2019-2020, por është ende Departament i Arkitekturës, i akredituar më në fund si Fakultet i Arkitekturës.
Përpos këtyre, në kutitë e arkitekt Agushit, gjej shumë dokumente të tjera, siç janë shkrimet e ndryshme mbi studimet e arkitekturës popullore shqiptare, të cilat ai i kishte mbledhur nga autorë të ndryshëm dhe nga libra të ndryshëm. Po ashtu, gjej dorëshkrime të tij origjinale mbi arkitekturat popullore të vendeve të ndryshme të Ballkanit. Disa prej këtyre dokumenteve ishin të renditura dhe të futura nëpër dosje
Nejse. Profesoresha ma liroi kabinetin dhe më la vetëm dhe të lirë, meqenëse po përgatiteshin, ajo së bashku me profesorë të tjerë, për provimin pranues të studentëve të rinj në arkitekturë, i cili do të mbahet të hënën. I afrova të dy kutitë me dokumentet e vjetra të arkitekt Agushit. Hapa kutinë e parë dhe ndjeva kundërmimin e atyre letrave të palosura palë-palë njëra mbi tjetrën, ashtu keq dhe ashtu pakujdesshëm, sa për t’i futur brenda. Dukej se ato letra mezi prisnin të shpaloseshin dhe prisnin me mallëngjim të vendosen e të radhiten në mënyrën e duhur. Ashtu të hedhura njëra mbi tjetrën, sikur donin të shprehnin përvajshëm një lutje të thellë, një lutje të bekuar, me shpresë që të pranohej dëshira e tyre. Sapo ndjeva një frymë që erdh dikund nga fundi i asaj kutie, që kalonte mespërmes fletëve, njollave të tyre, aromës së lagështisë dhe të mykut dhe ngjitej dalëngadalë sipër çdo flete dhe pasi i linte pas ato, ngjitej sipër fotografive, dhe, pasi i kalonte edhe këto, me lehtësi kalonte sipër vizatimeve dhe aty ndalej, ndalej e përshkonte çdo vijë e çdo hijezim që futej sa andej e sa këndej, të cilat unë nuk i shihja, ose e kisha të vështirë t’i shihja, ose më mirë, më bëhej sikur janë aty, por diçka më thoshte se kam kohë ende të mbërrij tek to. Dhe, përnjëherësh, ajo duhmë e aromës së dokumenteve më kaploi përpara dhe ma mbuloi fytyrën. M’u duk sikur vetë arkitekt Agushi m’u shfaq përpara, m’u soll rreth e rrotull, ma kaploi fytyrën dhe më zuri për fyti. M’u bllokua fryma. U ngrita me të shpejtë ta hapja dritaren dhe mora frymë thellë nga jashtë, me qëllim që të thithja ajrin e pastër. Ajrin e pastër të Prishtinës, domethënë tymin e veturave, kundërmimin e asfaltit, betoneve, tymin e oxhaqeve të Obiliqit, pluhurin e kudondodhshëm nëpër Prishtinë. Me një fjalë, thitha smogun dhe mbetjet ajrore që silleshin e vinin vërdallë nga një vend në tjetrin dhe mezi prisnin me padurim t’i futeshin dikujt në mushkëri.
E mora veten. Ajrin e keq e shtresova brenda meje me ujin që e piva dhe fillova punën. Fillova së pari me zbrazjen e dokumenteve, të cilat i mora një nga një dhe dy nga dy duke i renditur mbi tavolinë. Në tavolinë, së pari kisha bërë vend për dokumente, më saktë për shumë dokumente, sepse ma merrte mendja se tavolina do të mbushej me to. Dukumentet i merrja me kujdes, sikur të ishin copa kristali apo copa akulli, të cilat po t’i shtrëngoje më tepër se sa duhej me duar, apo po t’i mbaje më tepër se sa duhej në duar, ose do të thyheshin, ose do të shpërbëheshin. Prandaj, i mbajta aq sa duhet, as pak e as shumë, por aq sa duhet, domethënë mesatarisht.
Fillova me lëshimin e tyre mbi tavolinë, kuptohet kujdesshëm dhe më kujdesshëm i shikoja sepse më duhej t’i klasifikoja dhe t’i rendisja. Renditjen e bëra duke mbajtur shënime, afër dokumenteve të renditura, me nga një copë letër, në të cilën shënoja p.sh. planimetri (nga librat), ilustrime me renditje, vizatime (origjinale) – rilevime, gazeta, projekte, shkrime me figura 1, shkrime me figura 2, fusnota e të tjera të ngjashme dhe të pangjashme. I renditja mbi tavolinë dhe fillova ta ndajë atë në mënyrë simetrike, duke krijuar një drejtpeshim rreth ndarjes: disa dokumente të vogla në anën e majtë dhe disa dokumente të mëdha në të djathtën; pastaj, disa të mëdha majtas dhe disa tjera të vogla djathtas. Hapësirën para meje e mbaja të zbrazët, sepse aty i shikoja dhe pastaj i vendosja në vendin e tyre. Këtë punë, truri dhe duart sikur filluan ta pëlqenin, sepse pas një kohe, pavetëdijshëm, m’u duk sikur filluan të punonin vetë, si një makineri që ishte programuar fillimisht: nga shikimi me sy, bartja e pamjes në tru, i cili i jepte urdhër duarve t’i ndanin dokumentet, t’i palosnin, t’i renditnin, t’i kthenin mbarë dhe në fund t’i vendosnin në vendin e caktuar për to, që e kisha bërë gati më parë, apo nëse rastësisht mungonte, e krijoja aty për aty, duke iu bërë vend të ri dokumenteve të reja dhe e emërtoja atë vend, p.sh. si dorëshkrime apo autobiografia dhe dokumente të tjera (shkrime).
Gjeta, e çfarë nuk gjeta! Gjeta skica e rilevime të shtëpive të vjetra të qyteteve të ndryshme të Kosovës. Këto rilevime kanë një rëndësi të veçantë, sepse tregojnë saktësisht ndërtimet e planimetrive, gjendjen ekzistuese të para gjysmë e më shumë shekulli në Pejë, Gjakovë, Gjilan, Prishtinë e Janjevë. Dhe kanë një rëndësi tjetër të posaçme, sepse, ma merr mendja që gjysma, apo më shumë se gjysma e atyre shtëpive tani nuk janë më ashtu siç kanë qenë atëherë, apo thjesht nuk janë më mbi sipërfaqen e tokës. Sepse janë të rrënuara, janë të zhdukura. Nga koha, lufta apo vetë dora e njeriut
Në atë moment vjen profesoresha Florinë, hyn në kabinet dhe më përshëndet me buzëqeshjen e saj të ngrohtë. Habitet me klasifikimin që kisha arritur të bëja deri në atë kohë. Rri pak me mua, bisedojmë dhe ik për të vazhduar punën me përgatitjen që ishin duke e bërë. Megjithatë, nuk po e lë hëpërhë të ikë, sepse nuk e di saktë se kur m’i la çelësat e kabinetit: kur erdha në fillim dhe u takuam, apo tani kur ma bëri vizitën e parë, apo në vizitën e dytë kur më solli edhe kafe, apo njëherë tjetër në vizitën e tretë. Sido që të jetë, atë ditë m’i la çelësat e kabinetit të saj, me qëllim që të vija kur të doja dhe kur të mundja dhe të dilja kur të ma merrte mendja mua. Ishte gjest i mirë nga ana e saj, sepse në njëfarë mënyre tregoi besim tek unë dhe respekt. Besimin dhe respektin edhe unë ia shprehi sa herë që e takoj.
Vazhdoj me punën, të cilën e mora shumë seriozisht. Shoh planimetri të shumta dhe i shoh prerjet e tyre, të cilat m’i kujtuan mjeshtrit ndërtues dhe për një kohë u humba në botën e tyre. Isha aty, së bashku me pronarët duke analizuar, siç thotë arkitekti i famshëm Emin Riza, mundësitë e tyre për të ndërtuar diçka, gjendjen e tyre ekonomike dhe së bashku me mjeshtrit të realizonim atë që duhej të realizohej, në të vërtetë, atë që realizohej me ato mundësi të pronarëve. Dhe, u realizuan ndërtime të jashtëzakonshme, ndërtime të ulëta dhe të larta, dy, tre, apo ndoshta edhe katër kate; me bodrume dhe pa to; me harqe; katrore; drejtkëndore; simetrike; asimetrike; të rregullta dhe të çrregullta; kthina të organizuara me një funksionalitet të harmonishëm për nevojat e kohës, të cilat përbënin kështu, një planimetri, që dinin vetëm mjeshtrit popullorë ta bënin. Këtyre planimetrive, i bashkëngjiten fotografitë e shtëpive tradicionale, hollësi të çative, konstruksioneve, dyerve dhe dritareve. Kështu, sikur e plotësojnë njëra-tjetrën dhe kështu, sikur harmonizohen dhe krijojnë një laramani arkitekturore dhe artistike me njëra-tjetrën njëkohësisht.
Përpos këtyre, në kutitë e arkitekt Agushit, gjej shumë dokumente të tjera, siç janë shkrimet e ndryshme mbi studimet e arkitekturës popullore shqiptare, të cilat ai i kishte mbledhur nga autorë të ndryshëm dhe nga libra të ndryshëm. Po ashtu, gjej dorëshkrime të tij origjinale mbi arkitekturat popullore të vendeve të ndryshme të Ballkanit. Disa prej këtyre dokumenteve ishin të renditura dhe të futura nëpër dosje. Ato që gjendeshin dikund tjetër, nëpër dosje të tjera apo vetëm të hedhura ashtu pa kuptim, i merrja dhe iu bashkëngjitja dokumenteve të njëjta apo të ngjashme, duke krijuar kështu, një ndarje më të mirë, që të mund të gjenden më mirë dhe më lehtë. Krijova edhe ndarjen e dosjeve me ngjyra dhe mbi secilën shkrova emërtimin se çfarë ka në të, si p.sh. KOSOVAFILM 1985, dorëshkrime dhe fjalori, vizatime (fotokopje), dokumente dhe biografia në shqip e tjerë.
Gjeta, e çfarë nuk gjeta! Gjeta skica e rilevime të shtëpive të vjetra të qyteteve të ndryshme të Kosovës. Këto rilevime kanë një rëndësi të veçantë, sepse tregojnë saktësisht ndërtimet e planimetrive, gjendjen ekzistuese të para gjysmë e më shumë shekulli në Pejë, Gjakovë, Gjilan, Prishtinë e Janjevë. Dhe kanë një rëndësi tjetër të posaçme, sepse, ma merr mendja që gjysma, apo më shumë se gjysma e atyre shtëpive tani nuk janë më ashtu siç kanë qenë atëherë, apo thjesht nuk janë më mbi sipërfaqen e tokës. Sepse janë të rrënuara, janë të zhdukura. Nga koha, lufta apo vetë dora e njeriut. Për këtë arsye, dokumentet e tilla duhet të ruhen, të mbahen me kujdes, sepse nuk gjenden të dyta si ato. Meqenëse institucionet shtetërore po kujdesen pak, ama fare pak, ose aspak, për trashëgiminë e ndërtuar apo së paku dokumentimin e tyre, ja, gjendemi ne, profesoresha Florinë, Shkëlzeni edhe unë bashkë me ta, që sjellim diçka në dritë që shtetit në përgjithësi as nuk i shkon mendja që ka apo që ka pasur ndonjëherë diçka të tillë. Ne jemi duke e sjellë të shkuarën tonë, historinë arkitektonike të vendit tonë, jemi, mund të them lirisht, duke i bërë nder të madh. Edhe një kontribut, sado i vogël, mbi arkitekturën popullore, mbi trashëgiminë kulturore në përgjithësi, mbi një njeri të harruar, mbi një arkitekt të devotshëm, ja, po e sjell profesoresha, analisti dhe unë, ish-studenti dhe tani arkitekti i papunë. I papunë, sepse dihet si janë ngjarjet dhe mundësitë tani për tani, sidomos në Kosovë. Dikush e gjen punën shpejt, dikush më ngadalë, dikë puna e pret te dera dhe dikujt i vjen puna akoma pa i ardhur ftesa. Shkurt e shqip, dikujt ia do dhe i shkon kungulli mbi ujë, gjithmonë.
Tani shoh forma abstrakte, disa të kuptueshme dhe disa tjera të pakuptueshme. Megjithatë, më shumë të kuptueshme, figura të deformuara, të çoroditura, të kthyera disa mbarë e disa mbrapshtë, disa kërcënueshëm e disa sikur hedhin valle hareshëm. Vërej figura që i ngjajnë njeriut, por që mund t’i them lirshëm njeri, njeri ai nuk është; shoh figurë misterioze, sikur ka dy krahë anash, e poshtë tyre edhe këmbë dhe çiftit të krahëve e këmbëve i bashkohen edhe dy koka – vërej që është qenie me dy krena dhe me bisht të hapur. E dalloj që është paraqitje abstrakte dhe e stilizuar e shqiponjës, që zakonisht ashtu në atë mënyrë dhe ngjashëm është paraqitur nëpër qilima te ne. Dhe, si përfundim, shikoj që përpara kam projektet e tapicerive që kishte bërë arkitekti. I klasifikoj edhe këto, duke i vënë një mbishkrim të thjeshtë, tapiceri.
Pasi bëj ndarjen e të gjithë dokumenteve e të dy kutive, nëpër dosje apo thjesht duke i lënë të palosura mbi tavolinë, them se kisha mbaruar punë për sot. Dal jashtë kabinetit, të cilin e mbyll dhe vazhdoj drejt korridorit, shkallëve, korridorit të poshtëm, shkallëve të tjera, hollit hyrës, erëmbrojtësit dhe gjendem jashtë. Gjendem jashtë nën qiellin e vranët, i cili pritej nga çasti në çast të sillte shi. Dhe shi solli, dhe flokë e trup m’i lagu. Dhe bashkë me djersën, ma largoi edhe lodhjen e kësaj dite. Dhe duke kaluar shiu, e duke dalë përsëri dielli, që zakonisht këtu në Prishtinë ndërron moti disa herë në ditë, mbërrij në apartamentin tim. Dhe për çudi, nga lodhja që ndieja sa isha në fakultet, tani mezi pres të vijë dita e nesërme.
(vijon)