Tuz – Policia Komunale e Komunës së Tuzit dhe Inspeksioni Komunal kanë dënuar një person i cili u gjet duke hedhur një sasi të madhe mbeturinash në zonën afër ndërtesës së Komunës së Tuzit. Nga Policia Komunale njoftohet se ndaj këtij personi është lëshuar urdhër kundërvajtës për deponim jo të rregullt të mbeturinave dhe për krijimin e deponisë së egër. “Policia Komunale dhe Inspeksioni Komunal i Komunës së Tuzit kanë intensifikuar aktivitetet e tyre për parandalimin e krijimit të deponive ilegale dhe ndëshkimin e personave juridikë dhe fizikë që lënë mbeturina jashtë vendit të caktuar për deponim”, thuhet në njoftim. Ata kanë bërë të ditur se kohëve të fundit janë intensifikuar aktivitetet e Policisë Komunale në terren, duke shtuar se punonjësit e Policisë Komunale do të forcojnë gjithashtu kontrollet dhe praninë në terren në përpjekje që të parandalojnë krijimin e deponive ilegale. “Shërbimi i Policisë Komunale dhe Inspeksionit Komunal dhe SHPK “Komunalno-Komunale” iu bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve afariste që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të ambientit, si dhe të vijojnë të denoncojnë të gjitha rastet e shkeljeve që konstatohen”, theksohet në këtë deklaratë.
t. u.