Apel për jetuar jetë të shëndetshme

Tuz – OJQ, “Shoqëria Malazeze për Luftën Kundër Kancerit” në bashkëpunim me SHF “Mahmut Lekiq” në Tuz, duke shënuar fundin e vitit shkollor 2023/24, organizuan ekspozitën e pikturave më të mira të nxënësve nga shkollat fillore në Mal të Zi, me tematikën: “Rreziqet që sjellë duhanpirja për shëndetin”, e cila u shfaq në hollin e SHF “Mahmut Lekiq”.
Siç njofton shoqata në fjalë, në këtë konkurs i cili ka qenë organizuar për nxënësit e të gjitha shkollave fillore në Mal të Zi, nga klasa e katërt deri në të nëntën, kanë mbërritur numër i madh i punimeve të punuara në teknika të ndryshme.
Ata më tej kanë risjellë në kujtesë për të disatën herë se nga pasojat e duhanpirjes, si njëra ndër sëmundjet më të rënda, gjatë vitit të kaluar, referuar OBSH-së, kanë humbur jetën në mbarë globin, mbi 6 milionë persona, kurse në Mal të Zi, mbi 1.500.
“Ky numër për fatin tonë të keq, në vitet e ardhshme dhe kjo me siguri deri në vitin 2030, do të rritet si te ne ashtu edhe në botë, dhe kështu do të arrijë shifrën në mbi nëntë milionë persona të vdekur në vit si pasojë e konsumimit të prodhimeve të duhanit”, theksojnë nga kjo ojq.
Ndërkohë, nga kjo organizatë janë shprehur se, që nga themelimi i saj e deri më sot, kanë ndërmarrë aktivitete parandaluese për të ndalur, siç kanë thënë ata, epideminë e duhanpirjes.
“E cila konsiderohet shkaktari kryesor i riskut për shfaqjen e shumë sëmundjeve. Për këtë arsye, duhet që tek fëmijët, që në vegjëli të mbillen vese të shëndetshme të të jetuarit” kanë thënë ndër të tjera nga kjo shoqatë.
Mesazhi që është përcjellë nga ekspozita për fëmijët është, se mënyra e jetesës në një masë shumë të madhe ndikon në gjendjen shëndetësore.
“Dhe për këtë arsye, duhet të jetojmë jetë të shëndetshme, t’i kushtohet kohë mësimit dhe përvetësimit të shprehive të punës dhe krahas kësaj, assesi të mos harrohet se duhet të merremi me sport, që të jemi aktiv dhe që trupi të jetë në formë” kanë porositur nga kjo organizatë joqeveritare.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat