Angazhim për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të lashta

Tuz- Trashëgimia kulturore autoktone e trevës së Malësisë, ruajtja dhe kultivimi i vlerave të çmuara të thesarit tonë, duket që është sot e disa vite më parë në epiqendër të shoqërive kulturore-artistike që veprojnë në Malësi, edhe pse ndoshta jo në atë masë që kërkohet.
Herë pas here ato pak SHKA aktive në Malësi, impenjohen për të organizuar ndonjë ngjarje kulturore (koncert), për të shpalosur krijimtarinë e tyre të trashëguar folklorike muzikore me objektiv kryesor ruajtjen, kultivimin dhe avancimin e vlerave të thesarit të pasur kulturor-artistik që treva e Malësisë e posedon ndër shekuj.
Fundjavën e kaluar, SHKA “Rapsha” ka ftuar të gjitha shoqëritë kulturore- artistike që veprojnë në Malësi për t’iu bashkëngjitur koncertit të tyre, mirëpo vetëm SHKA “Besa” nga Trieshi, SHKA “Liria” nga Mileshi, SHKA “Dedë Gjon Luli”- Traboin, SHKA Rapsha- Drume i janë bashkëngjitur ftesës së organizatorit, të mbështetur edhe nga QKI “Malësia”.
Shoqatat pjesëmarrëse kanë shfaqur një koncert me këngë e valle të muzikës folklorike popullore kushtuar folklorit në Malësi me moton “T’i ruajmë dhe kultivojmë vlerave tona kulturore“.
Interesimi për t’a ndjekur këtë koncert ka qenë i lartë. Salla e QKI “Malësia” ka qenë e stërmbushur, ndërsa repertori i pasur i SHKA-ve pjesëmarrëse është mirëpritur ngrohtësisht nga audience, duke u duartrokitur dhe ndjekur me shumë ëndje.
Folkloristët pjesëmarrës kanë sjellë çaste të këndshme dhe argëtuese për audiencën pjesëmarrëse, një repertor të ndërthurur me këngë, melodi instrumentale e skenografi vallesh të ndryshme të trevës së Malësisë.
Organizatori kryesor i këtij koncerti, SHKA “Rapsha”, ka bërë me dije se në muajin gusht, për të pestën herë me radhë, për katër netë rresht do të jetë organizatore dhe nikoqire e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsha 2017”, i cili do të mbahet në Vitojë nga data 18 deri më 20 gusht. t. u.

Të fundit

më të lexuarat