Tuz- Organizata Joqeveritare “Mladiinfo Montenegro” ka prezatuar dy aplikacione për të rinj në Tuz: Aplikacionin (m!M) dhe atë të “Erasmus Plus” si dhe projektin “Aktivizohu dhe merr pjesë”, gjatë një ligjërate dyorëshe të cilën e zhvilloi përfaqësuesja e kësaj OJQ-je, Milica Zhugiq, me nxënës të vitit të katërt të Gjimnazit “25 Maji” në Tuz.
Zhugiq gjatë kësaj ligjërate ka thënë se aplikacioni (m!M), konsiston në kërkimin e mundësive të reja për të rinj, një aplikacion i cili tha se shkarkohet nga “Google Play” nëpërmjet të cilit, të interesuarve ju ofrohen ndihma kur bëhet fjalë për trajnime të ndryshme, bursa, vullnetarizëm, stazh, konkurse, punësim dhe informacione të tjera.
“Të rinjve u prezantuam edhe aplikacionin “Erasmus Plus” si dhe ofertat aktuale për vullnetarizëm dhe trajnime në të cilat mund të kenë qasje gjimnazistët, për të cilat mund të informohen si në aplikacionin e sipërpërmendur ashtu dhe në adresën www.mladiinfo.me”, u shpreh Zhugiq.
Ndërkaq, Zhugiq ka vijuar më tutje me prezantimin e projektit “Aktivizohu dhe merr pjesë” i cili siç tha, ka si synim të përgjithshëm avancimin e veprimtarisë së punës të administratës lokale, realizimin e parimit të transparencës dhe përgjegjshmërisë në punën e administratës së Komunës Urbane të Tuzit.
“Qëllimi specifik është rritja e nivelit të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes. Në kuadër të këtij projekti kemi krijuar fokus-grupin, përmes të cilit kemi identifikuar problemet në komunitetin lokal në të cilat këta të rinj dë të dëshironin të ndikonin. Rreth 30 të rinj, gjatë kësaj ligjërate kanë shprehur opinionin e tyre se çfarë nuk ju pëlqën dhe çfarë do të donin të ndryshonin. Ata kanë rënditur në listën e dëshirave, ndërtimin e parkut, terreneve sportive dhe përmirësim në komunikacionin rrugor nëpër Tuz”, u shprehën nga kjo OJQ, duke shtuar se të rinjtë janë fokusuar më së shumti në ndryshime eventuale brenda shkollës, siç është rikonstruksioni i sallës së edukatës fizike, rikonstruksioni i bibliotekës së shkollës, ndërtimi i amfiteatrit, etj.
Në të njëjtën kohë, nga kjo OJQ kanë njoftuar për aktivitetin e radhës, që do të jetë takimi me përfaqësuesit e administratës lokale të KU të Tuzit, gjatë të cilit do të prezantohen konkluzionet e fokus-grupit dhe do të shkëmbehen ide dhe mendime për realizimin e atyre nevojave që të rinjtë i kanë identifikuar si më të domosdoshmet.
Organizata Joqeveritare “Mladiinfo Montenegro” është organizatë e të rinjve e cila merret me informimin dhe trajnimin e të rinjve si dhe me stimulimin e tyre për pjesëmarrje aktive në veprimtaritë jetësore të komunitetit. t. u.