Plavë – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2022, e mbajtur të enjten, më 31 mars të vitit 2022, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, ku ishin të pranishëm 27 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë propozim vendimesh, raportesh e informatash, të organeve të qeverisjes lokale, të organizatave dhe të institucioneve publike që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës.
Seanca, të cilën e hapi kryetarja e Kuvendit të Komunës, Jasmina Cikotiq, filloi punën me miratimin e procesverbalit nga seanca e katërt e rregullt e KK, e mbajtur më 27 dhjetor 2021, dhe e vazhdoi me prezantimin e rendit të propozuar të ditës prej 18 pikash, i cili në propozim të kryetarit të komunës, Nihad Canoviq, kryetares së KK Jasmina Cikotiq, dhe përfaqësuesit të SHPK “Veprimtaritë Komunale” në Plavë, Skender Balliq, u shtua edhe me pesë pika të reja: Emërimi i sekretares së re të KK-së; Përcaktimi (vërtetimi) i numrit të këshilltarëve të KK-së së Plavës; Rregullorja mbi sistematizimin e vendeve të punës në SHPK “Veprimtaritë komunale” në Plavë; Vendimi mbi propozimin e çmimit të ujit të pijshëm; Vendimi mbi financimin e fasadës dhe pullazit të objektit banesor në pronësi të komunës, dhe Vendimi mbi plotësimin e vendimit për tokën ndërtimore.
Seanca filloi punën sipas rendit të plotësuar të ditës me emërimin e sekretares së re të Kuvendit të Komunës, juristes së diplomuar, Anella Musiq – Nikoçeviq, e cila në këtë post si ushtruese e detyrës së sekretarit, gjendet që nga seanca e katër e rregullt e KK-së e mbajtur më 27 dhjetor, ku në vend të sekretarit të mëparshëm, Adill Milushi, i cili në këtë post dha dorëheqje, u emërua në vend të tij. Emërimin e sekretares së re me vota të hapura e mbështetën 22 këshilltarë prej 27 sish sa ishin të pranishëm.
Mirëpo, pa dyshim, Raporti vjetor mbi punën e kryetarit të Komunës, të organeve të administratës lokale dhe të shërbimeve për vitin 2021 ishte tema qendrore e rendit të ditës në punën e seancës, të cilën në mënyrë koncize dhe analitike e parashtruan dhe e argumentuan kryetari i komunës Nihad Canoviq dhe kryeadministratori i qeverisjes lokale, Ervin Kandiq. Pas trajtimit dhe shqyrtimit kronologjik, në të cilin me diskutimet e veta morën pjesë katër këshilltarë, kryesisht të opozitës, të cilët dhanë vërejtjet dhe sugjerimet e veta, raportin në fjalë me votim të hapur e miratuan me 21 vota “Për”.
Me shumicë votash “Për” apo “Njëzëri”, këshilltarët në punën e mëtejme të seancës, e cila zgjati më se pesë orë, shqyrtuan dhe miratuan propozim vendimet, raportet, rregulloret dhe informatat e parapara në rendin e ditës.
Kjo ishte seanca e fundit në këtë mandat ngase së shpejti do të mbahen zgjedhjet lokale.
Sh. Hasangjekaj