Zhvendosja e selisë së myftiut nga Podgorica në Tivar

Referuar dokumentacionit arkivor shohim se, pa u përcaktuar data e saktë e fillimit, në intervalin kohor mars 1881 - qershor 1912 ekzistonte institucioni i Myftinisë në Malin e Zi. Në kuadër të marrëveshjes së Kongresit të Berlinit, tagrin për emërimin e myftiut e kishte Shejhu’l-Islami në Stamboll, kurse miratimi bëhej nga qeveria e Malit të Zi

Mr. Ali Bardhi

(vijon nga numri i kaluar)
Ekzistojnë disa mendime rreth shkarkimit të Mustafa Hilmiut. Sipas disa të dhënave, ai dha dorëheqje pasi ndërmjet Mbretërisë së Malit të Zi dhe tij ka ardhur deri te mosmarrëveshja, e në veçanti pas vendimit të qeverisë malazeze se të vdekurit nuk mund të varrosen para kalimit të kohës prej 24 orëve, çka ka qenë kundër dispozitave të sheriatit. (Bajro Agović, Džamije u Crnoj Gori, Almanah, Podgorica, 2022, f. 53.) Por kjo e dhënë nuk korrespondon me vitet, pasi sipas një dokumenti në arkivin e Cetinës, të vitit 1906, shohim ankesën e myftiut në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë rreth neneve 329, 362, 364 të Kodit Penal, në të cilat përfshihet edhe ndalesa e cekur më lart për moslejimin e varrosjes para 24 orëve (Hajrullah Hajdari, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018, ff. 274-275), çka jep të kuptojmë se po të ishte ky shkaku i shkarkimit, atëherë myftiu duhej të ishte larguar që në vitin 1906/1907 e jo të presë deri në vitin 1911.
Kurse sipas një dokumenti tjetër të arkivit të Cetinës, më 23.05.1911, sekretari i sheriatit Nikolla F. Lumoviq i dërgon një shkresë ministrit të Arsimit dhe Punëve Kishtare në Cetinë, i cili e informon se Shejhu’l-islami e ka shkarkuar myftiun Mustafa Hilmiun dhe flitet se arsyeja kryesore është sepse kadiu i Tivarit Murteza Karagjuzoviq dhe Jusuf Beg Resulbegoviq, deputet popullor, përfaqësisë osmane në Cetinë i kanë dhënë nënshkrimet kundër punës së rregullt të myftiut (Hajrullah Hajdari, po aty, f. 327.), çka me shumë gjasa kjo duhet që të jetë bërë më shumë shkak i shkarkimit të tij.
Ndërkaq, sipas dosjes personale të Mustafa Hilmiut në arkivin e Meshihatit në Stamboll shohim se ai qëndroi në këtë detyrë nga 27 shaban 1306 h. / 27 prill 1889 deri më 09 xhumade’l-ula 1329 h./ 25 nisan 1327 rumi / 08 maj 1911 miladi, kur u shkarkua nga Shejhu’l-islami. (MŞH.SAİD, 134/20, f. 1, 10, 11, 12, 15.)
Sipas një shkresë tjetër të kësaj dosjeje, të dërguar zyrës së Meshihatit Islam në Stamboll më 28 kanun-i sani 1327 rumi / 10 shkurt 1912, ndër të tjera citon për disa raportime të bëra në drejtim të tij si jo të drejta. Njëherazi shton se për çështjet gjyqësore të sheriatit të myslimanëve në Mal të Zi janë përkthyer edhe në gjuhën zyrtare të shtetit. Po kështu, nga kjo shkresë ai vë në pah planet e qeverisë malazeze që në mënyrë të njëanshme don që të emërojë kadiun e Tivarit, Murteza efendiun myfti të ri. Në shkresën në fjalë ceket se edhe pse qeveria malazeze ka në plan që ta emërojë myfti Murteza efendiun me mendimin që është shtetas i Malit të Zi, popullsia e besimit islam në Mal të Zi në mënyrë kategorike nuk e pranon atë dhe se emërimi i myftiut është e drejtë e garantuar dhe detyrë e shtetit osman në mënyrë që të ruajë influencën e vet. (MŞH.SAİD, 134/20, f.12.
Gjithnjë duke iu referuar dokumentacionit arkivor, menjëherë pas shkarkimit të Tikveshliut, e shohim të emëruar në vendin e lindjes së tij në kazanë e Tikveshit në detyrën e kajmekamit. Shih MŞH.SAİD, 134/20, f. 11.)
Menjëherë pas shkarkimit të Mustafa Hilmiut, Shejhu’l-islami i mori masat duke emëruar myfti të ri Mehmet Murat efendi Muratagën, i lindur në Podgoricë. (Haxhi Hafiz Mehmed Muradi, i biri i Haxhi Hasanit Murataga, lindi në fillim të muajit rebiu`l-evvel 1270 / dhjetor 1853 në kasabanë e Podgoricës, Vilajeti i Shkodrës. Ka përfunduar Medresenë e Podgoricës, ka marrë mësim nga shumë ulema të kohës. Ka folur dhe shkruar gjuhën turke dhe arabe, ndërsa ka folur shqipen, boshnjakishten dhe persishten. Ka ushtruar detyrën e naibit në disa vende si, në kazanë e Lezhës dhe Zadrimë të Vilajetit të Shkodrës (1884-1886), më pas në kazanë e Xhebelisimanit të Vilajetit të Halepit (1887-1890), më pas në kazanë e Beranit të Vilajetit të Kosovës (1890-1893), në kazanë e Peklinit të Vilajetit të Manastirit (1893-1895), në kazanë e Krujës të Vilajetit të Shkodrës (1895-1897), në kazanë e Gjilanit të Vilajetit të Kosovës (1898-1900), në kazanë e Ahtapolit të Vilajetit të Edirnesë (1901-1302), në kazanë e Axhilatit të Vilajetit të Tripolit-Trablus (1903-1905), në kazanë e Kazanit të Vilajetit të Tripolit-Trablus (1906-1909), në kazanë e Palankës të Vilajetit të Kosovës (1910-1911), si myfti i Malit të Zi (gusht 1911- maj 1912). Për më tepër shih Arkivin e Meshihait Stamboll – MŞH.SAİD, 135/25/1; BOA, HR.HMS.İŞO., 235/5.) Në bazë të dokumentacionit arkivor osman shohim se Murat efendiu figuron në detyrën e myftiut të Malit të Zi ndërmjet intervalit kohor gusht 1911 – maj 1912. (MŞH.SAİD, 135/25, f.18.)
Referuar dokumentacionit arkivor, përsëri u hapën mosmarrëveshje ndërmjet qeverisë malazeze dhe Shejhu’l-islamit. Sipas një dokumenti të datës 25 shubat 1327 rumi / 9 mars 1912, Shejhu’l-islami e kishte emëruar naibin e kazasë së Palankës, Mehmed Murad efendiun, kurse Qeveria e Malit të Zi donte të emëronte kadiun e Tivarit, Ali Murteza efendi Karagjuzoviqin. Shejhu’l-islami ishte kundër vendimit të Krajl Nikollës, pasi në bazë të nenit 27 të Marrëveshjes së Kongresit të Berlinit, çështja e emërimit dhe shkarkimit të myftiut i takonte Meshihatit Islam në Stamboll. Për më tepër, myftiu që emëroi Shejhu’l-islami ishte i lindur në Podgoricë, gjë që në këtë kohë kishin filluar debatet rreth shtetësisë së myftiut, njëjtë si për patriarkët që funksiononin brenda shtetit osman. Por çështja u thellua edhe më tej saqë më 1912 Ministria e Jashtme osmane i dërgoi ambasadorit të vet në Londër kërkesën për Konferencën e Londrës, ku referuar marrëveshjes së mëparshme të arritur në Kongresin e Berlinit ngulej këmbë që çështja e emërimit dhe shkarkimit të myftiut të Malit të Zi i takonte vetëm Meshihatit Islam në Stamboll. (BOA, HR.HMŞ.İŞO, 235/5 (faksimili nr. VI.); BEO, 4000/299971, ff. 5-6.; M Uğur Özcan, po aty, (kumtesë e pabotuar))
Nuk kemi të dhëna si ka vijuar më tej situata, të jetë zbatuar apo jo vendimi i Shejhu’l-Islamit për marrjen e detyrës së myftiut nga Mehmet Murat efendi Podgorica. (Në një defter në osmanisht për të ardhurat e Vakëfit të Madh të Ulqinit që ndodhet në arkivin e Mexhlisit të BI Ulqin është paraqitur se më 23 nisan 1324 rumi/ 6 maj 1908 miratimin e buxhetit të vakëfit të Ulqinit për vitin 1323 rumi/1907 – ruzi hazır/Shnjergj 1324 rumi/1908, e shohim vulën e myftiut të Malit të Zi, Mustafa Hilmiut dhe kadiut të Ulqinit, Hafiz Hysein Mujalit me anëtarët e tjerë. Po kështu edhe për vitet 1324-1325 dhe 1325-1326 rumi / korrik 1908-1909 dhe 1909-1910 e shohim nënshkrimin e myftiut Mustafa Hilmiut. Kurse për periudhën 1326-1328 rumi / korrik 1910-1912 mungon nënshkrimi i myftiut, pra kemi një boshllëk. Kurse sipas një shënimi të datës 19 eylül 1331 rumi / 19 shtator 2 dhjetor 1915 shohim të shënuar emrin e myftiut të ri Murteza efendiut, i cili së bashku me kadiun e Ulqinit dhe anëtarët e tjerë kanë miratuar buxhetet e vakëfit për vitet 1328/1912, 1329/1913, 1330/1914 dhe 1331/1915. Nga këto shënime shohim se ndërmjet viteve 1910 – dhjetor 1915 mungojnë vulat/nënshkrimet e myftinjve të Malit të Zi, Mehmet Murat efendiut dhe Murteza Karagjuzoviqit. Shih Defteri i Vakëfit të Madh – Ulqin, Bashkësia Islame – Ulqin.)
Për një çast ky dualitet duket se mbeti i paqartë. Por fakti se në këto momente situata politike në rajon po rëndohej, pasi po përgatiteshin luftërat ballkanike, lindi një situatë e re me të cilën vendimi i krajl Nikollës ishte më në favor. Duke qenë se po fillonin luftërat ballkanike, me të cilat Perandoria Osmane filloi të humbë administrimin e Ballkanit, shohim se më superior në këtë rivalitet do të mbesë për myfti Murteza Karagjuzoviqi (ndërmjet viteve 1912-1913, kur u zaptuan qytetet e veriut: Plevla, Bijello Pole, Berani etj. nga Vilajeti i Kosovës, gjegjësisht Perandoria Osmane, u formua myftinia e re me seli në Bijello Pole për qytetet e reja të fituara.), ku në mënyrë të njëanshme, më 17 qershor 1912 krajl Nikolla e emëroi myfti të Malit të Zi. Ai e filloi detyrën e myftiut duke e zhvendosur selinë e myftiut nga Podgorica në Tivar (Bajro Agović, Džamije u Crnoj Gori, Almanah, Podgorica, 2022, f. 54.), por pa iu dhënë dekreti (Menshura) nga Shejhu’l-Islami.
Pasi Murteza efendiu u emërua myfti i Malit të Zi nga krajl Nikolla, atij i duhej që të merrte dekretin nga Shejhu’l-Islami. Por ky emërim iu kërkua Vilajetit të Shkodrës. Ndërkaq, Vilajeti i Shkodrës pasi konstatoi që emërimi i myftiut nga krajli i Malit të Zi tashmë ishte i padobishëm për Perandorinë Osmane, zyra e Shejhu’l-Islamit nuk e pa të arsyeshme që t’i përgjigjej. (Abidin Temizer, Osmanlı-Kardağ sınır anlaşmazlıkları ve çözümü (1878-1912) (Temë magjistrature), 2007, f. 620.)

Përfundim

Nga sa u pa në artikullin e mëparshëm (të botuar në tre vazhdime) dhe në këtë artikull (pjesa e parë e të cilit është botuar numrin e kaluar), referuar dokumentacionit arkivor shohim se, pa u përcaktuar data e saktë e fillimit, në intervalin kohor mars 1881 – qershor 1912, ekzistonte institucioni i Myftinisë në Malin e Zi. Në kuadër të marrëveshjes së Kongresit të Berlinit, tagrin për emërimin e myftiut e kishte Shejhu’l-Islami në Stamboll, kurse miratimi bëhej nga qeveria e Malit të Zi.
Myftiu adminstronte jetën fetare islame, si edhe tre kadi (gjykata të sheriatit-mahkemei sherijje), në Ulqin, Tivar dhe Podgoricë.
Referuar këtij dokumentacioni arkivor shohim se në këtë interval kohor, në Mal të Zi janë emëruar këta myfti: Salih ef. Hyli (mars? 1881 – 1885?), Hasan Ismet efendi (shtator 1887 – prill 1889), Mustafa Hilmi Tikveshlia (prill 1889 – maj 1911), Mehmet Murat efendi Podgorica (gusht 1911- maj 1912) dhe nga qershori i vitit 1912 u emërua Ali Murteza Karagjuzoviqi deri në abrogimin e Myftinisë së Malit të Zi nga Mbretëria SKS.
Përveç kësaj, selia e myftiut të Malit të Zi deri në vitin 1887 ka qenë në Ulqin, e cila pas shumë ngjarjeve u zhvendos në qendrën e dytë islame – në Podgoricë, në kohën e Hasan Ismet efendiut, e cila zgjati deri në qershorin e vitit 1912, kur u zhvendos në Tivar, në kohën kur krajli në mënyrë të njëanshme emëroi myfti kadiun e Tivarit, Murteza Karagjuzoviqin.
Perandoria Osmane e kundërshtoi këtë vendim të njëanshëm, por ndryshimet politike në rajon u bënë shkak që vendimi i krajlit të ketë epërsi. Çështja u përkeqësua mjaft saqë më 1912 Ministria e Jashtme osmane nëpërmjet ambasadorit të vet dërgoi një notë proteste në Konferencën e Londrës, me të cilën pretendonte që çështja e emërimit dhe shkarkimit të myftiut të Malit të Zi i takonte vetëm Meshihatit Islam në Stamboll. Por kapitullimi i Perandorisë Osmane bëri që kjo çështje tashmë t’i mbesë qeverisë malazeze.
Në periudhën e cekur më lart kemi një ballafaqim në lidhje me kompetencat e emërimit të myftiut, qendrën, kompetencat e myftiut, gjuhën, vendin prej nga vjen dhe kombësinë e tij, çështje të cilat mbeten të trajtohen edhe më tej në të ardhmen, pikërisht për periudhën 1881-1912.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat