Zëri i shuar i lahutarëve nga Kraja dhe Ana e Malit

Gjekë Gjonaj

Në të gjitha trevat shqiptare shtëpia pa lahutë, shtëpia ku s’këndoheshin këngë kreshnikësh, konsiderohej si “ shtëpi e lanun”. Një shtëpi që e ka lahutën nuk bën me e varë kudo, thuhet ndër shqiptarë. Ajo sipas traditës varet vetëm mbi oxhak, ndërsa mbi lahutën nuk varet asgjë tjetër. Lahuta bashkë me pushkën kanë qenë binom në ballin e murit. Sipas dokumenteve përkatëse, lahuta ka një histori të saj. Studiuesit dhe historianët mendojnë se gjurmët më të vjetra të lahutës janë të ndryshme. Disa prej tyre mendojnë se fillimet e saj gjenden që në kohët më të lashta. Të tjerët e lidhin me shekullin e 8-të dhe të 9 -të e më pas, ndoshta në këtë të fundit sipas studiuesve siç është etnomuzikologu i madh, i ndjeri Ramadan Sokoli, kemi dëshmi më të hershme që vijnë nga burimet e literaturës persiane. Historiografia shqiptare e vendos lahutën në të njëjtën kohë me kontaktin e parë të mirëfilltë mes botës arabe dhe asaj evropiane, por, siç shprehen studiuesit ka edhe një variant tjetër që lahutën e vendos në këto troje.
Historianët tanë dhe etnologët kanë shkruar e dokumentuar se lahuta (lavda) tashmë është vegël muzikore popullore e shqiptarëve, respektivisht e përdorur në zonën veriore të Shqipërisë ( Malësi të Madhe), në zonat e thella të Nikajve e të Mërturit, Rozhajë, Plavë e Guci, Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, në Sanxhakun e Pazarit të Ri, në zonat e Malësisë së Gjakovës e të Rugovës, në Rrafshin e Dukagjinit, Komunën e Medvegjës, Komunën e Bojnikut, Komunën e Bujanocit etj.
Edhe në krahinën e Krajës dhe të Anës së Malit sipas dëshmive të tregimtarëve popullorë e të studiuesve, tradicionalisht janë kënduar e dëgjuar këngë nga rapsodë të Eposit të Kreshnikëve, me nderim të veçantë jo vetëm ndër kuvendet e gjera popullore, ndër dasma e festa të tjera apo pranë oxhaqeve të shtëpive të tyre, netëve të gjata të dimrit, por edhe para fillimit të një beteje, madje edhe në zjarrminë e luftës, sikurse edhe në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë Malit të Zi. Lahuta, simboli i lashtësisë së kombit dhe vegla më e vjetër kordofone me një tel, vazhdon ende jetën në shumë familje shqiptar ku nuk ka më lahutarë. Këto instrumente që kalojnë në shkallën e vjetërsisë së veglave më të moçme, mund të vërehen të varura në muret e shumë shtëpive shqiptare brenda trojeve të veta etnike dhe në diasporë, të cilat i hijeshojnë ato me zbukurimet dhe simbolet e tyre – figurat mitike ilire të gjarprit, kokës së dhisë me dy brirë që aludon në epokën e Skënderbeut, por edhe më heret në epokën e Piros, ose me zbukurimet me shqiponjë, me portretin e Gjergj Kastriotit, dhe me portrete të figurave të shquara të Rilindjes, të UÇK-së dhe të Adem Jasharit. Kjo dëshmon se burrat e trevave shqiptare e kanë pasur lahutën ushqim shpirti. Me lahutë i është kënduar heronjve dhe ngjarjeve të lavdishme të shqiptarëve ndër shekuj.
Kjo pasuri kombëtare e shqiptarëve e cila ka lënë gjurmë të forta në historinë e Shqipërisë së Veriut, në Krajë dhe në Anë të Malit po zvogëlohet (humbet) çdo vit e më shumë. Sot është shuar zëri i lahutës në këto treva shqiptare nga rapsodë vendas. Asnjë shoqëri kulturore – artistike në Anë të Malit nuk ka asnjë lahutarë, por detyrohen të “ huazojnë” lahutarë nga treva të tjera shqiptare me rastin e pjesëmarrjes së tyre në festivale folklorike jashtë shtetit.
Hulumtuesi i njohur Prof. Dr. Zymer Neziri në librin e tij studimor “Eposi i Kreshnikëve në Ballkan”, botuar nga Instituti Albanologjik, Prishtinë 2021, shkruan se në Krajë ka evidentuar 4 lahutarë pas vitit 2012 dhe 3 lahutarë para vitit 1912.
“Lahutarë të Krajës pas vitit 2012 kanë qenë Nasuf Mujë Bogdani (1916-2012) nga katundi Ftjan i Krajës – Tivar, Imer Veli Gjeçbritaj (1929), katundi Arbnesh, Krajë – Tivar, Gjokë Zef Llukiqi (19490-2013), katundi Brisku Nalt, Krajë – Tivar dhe Ali Qemal Kovaçi, katudni Arbnesh, Krajë – Tivar.
Lahutarët e Krajës pas vitit 2012 kanë qenë: Maci i Çekut Margjonojn (1862-1953), katundi Kullomzë – Ulqin, Stjepa’j Gjoks Nils Nilonj (1901 -1976), katundi Kullomzë – Ulqin dhe Luan Nurja Bardhi, katundi Kështenjë, Krajë – Tivar.
Lahutarë të Ulqinit (shënimi im – Anës së Malit) pas vitit 2012 janë dy: Prekë Shkreli, katundi Amull, Ulqin, tash jeton në SHBA dhe Vasel Shkreli, katundi Amull, Ulqin, tash jeton në SHBA”, shkruan studiuesi Neziri.
Nga hulumtimet e mia në terren, në Krajë dhe Anë të Malit kam evidentuar edhe lahutarë të tjerë, tashmë të ndjerë. Ndërkaq në qytetin e Ulqinit nuk kemi njoftime apo të dhëna gojore apo shkencore se ulqinakët e kanë përdorur ndonjëherë lahutën si trashëgimi të babës, gjyshit, stërgjyshit…
Tregimtari Vebi Gjoni, nga fshati Selitë – Anë e Malit, më njoftoi se babai i tij , Xhemal Gjoni (1931-2002) ishte lahutar. “Këngët më të preferuara të tij kanë qenë “Hasan Aga” dhe “ Po bisedojnë dy plaka t’veja”. Xhemali përveçse ka kënduar në ahengje familjare e raste të tjera, ka marrë pjesë edhe në festivale prestigjioze të folklorit që janë mbajtur në Kosovë dhe Shqipëri. Ai herën e fundit ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar i cili u zhvillua në Kalanë e Beratit-Shqipëri, më 20 shtator të vitit 1995.
Tregimtari Zef Kovaçi me prejardhje nga Shestani, pohon se edhe axha i tij Kolë Luci Kovaçeviq (1912-2014), i binte dhe i këndonte bukur lahutës. “Kola kishte një zë të mrekullueshëm si pushka, prandaj të gjithë e dëgjonim me vëmendje e kënaqësi të madhe”, shprehet tregimtari Kovaçi.
Zvogëlimi i numrit të lahutarëve shqiptarë çdo vjet e më shumë duhet të na shqetësojë. Është deshpëruese e dhëna e publikuar në media se vetëm 20 lahutarë kanë mbetur në trojet shqiptare. Kjo shuarje e kësaj tradite shekullore jo që është për të ardhur keq, por kjo është katastrofë, për të mos thënë tragjedi.
Fundi i rapsodëve mendojmë se ka ardhur për shkak se nuk ka më heronj dhe lahutarët kanë filluar t’i këndojnë njëri-tjetrit!? Me shpikjet e reja teknologjike në kohën e internetit, rapsodët janë “arratisur” si kreshnikët, për të mbetur bij të sojit të mirë, prej fisit të mirë dhe të papërsëritshëm të kohëve të hershme.

Të fundit

më të lexuarat