Veprimtaria e Hajrudin Pufjes, i njohur si Hajro Ulqinaku, është e begatë, perlë që ka vlerë jo vetëm për kulturën e Ulqinit, por edhe për atë mbarëkombëtare. Ky krijues me dashuri punoi për të mirën e vendlindjes duke ndriçuar shumë personalitete të kësaj treve. Libri “Zëri i detit” është zëri i Hajro Ulqinakut, i Ulqinakut të Madh i cili punoi për të mirën e vendlindjes. Ai iu kthye Itakës dhe mbeti biri i saj besnik me vepra që janë xhevahirë
Asllan Bisha
“Zëri i detit” është libri i ri i Hajro Ulqinakut. Ai u lind në Ranë të Ulqinit më 1938. Hajrudin Pufja mësimet e para i kreu në vendlindje buzë detit. U dashurua me detin qëkur ishte nxënës i shkollës fillore, kur ishte normalist në Prishtinë. Që në kohën kur ishte normalist, i lindën dëshirat për t’u arsimuar dhe për të afirmuar vlerat kulturore të vendlindjes dhe kombit. Pas mbarimit të normales, e emëruan mësues në Ostros të Krajës, ku u mësoi shkronjat fëmijëve me dashuri.
Ai kishte etje për të mësuar dhe i vazhdoi studimet në Beograd. Sa më larg vendlindjes dhe detit, aq më shumë i shtohej dashuria për vendlindje. Dhe këtu nisen shkrimet e para nga letërsia, folklori, gjuhësia. Kreu Fakultetin e albanologjisë në Beograd. Pas kësaj u punësua në Ferizaj, ku filloi punën në arsimimin e brezave të rinj. Themelon seksionin letrar “De Rada” dhe nxit aktivitetin letrar.
Ishte gazetar i Radio Prishtinës dhe nga viti 1974 punon gazetar, redaktor i Programit për Fëmijë deri në vitin 1990, kur u përjashtua nga puna me dhunë nga policia serbe.
U kthye në vendlindje, por për autorin e shumë veprave letrare, autorin e librit “Fëmijët e detit”, të botuar më 1967 në Prishtinë, “Margaritarët e zez” (1969) dhe të 15 librave për fëmijë nuk u gjet një vend pune.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “785” të revistës Koha Javore
