Kur lexon librat e Gjekë Gjonajt, nuk mund të mos mrekullohesh prej punës së tij dhe nuk mund të mos e adhurosh atë njeri të palodhshëm. E them këtë, sepse e di fort mirë ç’do të thotë të jetosh në Republikën e Malit të Zi dhe të shkruash në këtë mënyrë. Me shkrimet e tij Gjekë Gjonaj i mban gjallë dhe i ringjall njerëzit e vendit të vet. Ai, me anë të shkrimeve, i mban gjallë dhe i ringjall gjer në përjetësi të gjitha trevat shqiptare që sot ndodhen nën Mal të Zi
Gjokë Dabaj
Kur e sheh në hartë atë pjesë toke shqiptare që shtrihet nga Çakorri deri te Ada në Grykë të Bunës e që dikush e ka quajtur figurativisht Rripi numër 2 i Gazës, të ngjan me ca mbetje gjeografike që zor se i hyjnë në punë dikujt. Mirëpo, kur e lexon lirin e Gjekë Gjonajt “Bijtë e Shqipes”, zbulon aty një thesar njerëzor gati të pabesueshëm. Rron Kombi ynë edhe në ato ngastra toke, që ngjajnë në hartë me ca copa letrash të grisura! Rron dhe nxjerr thesare pa ndërprerë! Nxjerr ai vend i shqiptarëvet të atillë personalitete që edhe vende të mëdhenj s’i lindin e s’i rrisin dot!
Njerëzit që ka përshkruar Gjeka në këtë libër, janë aq shumë sa do të duhej një simpozium më vete për t’i pasqyrur e për t’i njohur vlerat e tyre jo me të gjitha veçoritë e hollësitë, por përsëri vetëm pjesërisht. Mendja dhe talenti i atyre njerëzve, i atyre malësorëvet tanë, kanë pushtuar sot edhe Amerikën. Nuk themi kanë mbërritur deri në Amerikë, por themi e kanë pushtuar Amerikën, sepse shumë prej tyre tashmë janë bërë, sidomos në fushën e biznesit, njerëz me peshë dhe gjurmëlënës në ambientet ku jetojnë. Por jo vetëm kaq. Ata janë njerëz që paranë e fituar nuk e ruajnë sënduqeve apo në skuta bankash, por e japin dhe e shpenzojnë edhe në të mirë të Kombit, prej të cilit kanë dalë dhe të cilit, edhe pse larg, vazhdojnë t’i takojnë e t’i shërbejnë.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “791” të revistës Koha Javore
