Tuz – Në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, të enjten mbrëma më 10 korrik 2025, u mbajt koncert recital i këngëtarit të mirënjohur Nikollë Nikprelaj, me rastin e 50-vjetorit të karrierës së tij muzikore, me moton “Unë, biri yt Malësi”.
Në prani të një numri të madh të publikut vendas, nga trevat shqiptare dhe diaspora, koncerti solli një repertor të krijimtarisë së pasur muzikore dhe artistike të Nikprelajt, i shoqëruar nga formacioni orkestral profesionist i qytetit të Shkodrës, nën udhëheqjen e Ilir Zogajt dhe Gazmend Krajës.
Në emër të organizatorit të koncertit përshëndeti kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i cili e cilësoi këngëtarin Nikollë Nikprelaj si një figurë që me zërin e tij i ka bërë të ndihen krenarë.
“Jemi dëshmitarë të një jete të tërë përkushtuar karrierës, traditës, dashurisë për vendin, për gjuhën e për flamurin. Nikollë Nikprelaj nuk është vetëm këngëtar, ai është biri i Malësisë që me zërin e tij krenohet çdo shqiptar kudo”, u shpreh Gjelaj.
Ai, në emër të institucionit që drejton, e falënderoi këngëtarin Nikprelaj, duke e cilësuar atë si “zëri ynë dhe krenaria jonë në çdo skenë ku ka kënduar”.
Në fjalën përshëndetëse, këngëtari i mirënjohur Nikollë Nikprelaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit, këtë koncert e vlerësoi si më të rëndësishmin në këtë gjysmë shekulli.
Ai, duke treguar për fillimet e karrierës së tij muzikore, u shpreh se rruga nëpër të cilën ka kaluar për të ardhur deri këtu ku është sot, nuk ka qenë e shtruar vetëm me lule, por edhe me gjemba.
“Por durova dhe fitova. Fitoren po e festoj sonte këtu para jush. Udhëtuam të gjithë së bashku me mua dhe më sollët në këtë skenë, në këtë moment”, u shpreh Nikprelaj.
Ai më tej tha se gjatë rrugëtimit të tij artistik ka përjetuar shumë keqtrajtime, burgosje dhe shumë nga ato që nuk do të duhej t’i kalonte një këngëtar.
“Dhe pikërisht për këto këngë që do t’i këndoj sonte këtu. Madje një kohë dhe për një kohë të gjatë kam qenë i ndaluar edhe në emisionin shqip të Radios së Malit të Zi. Pastaj kur festuam 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë këtu në Tuz, të nesërmen me dekret, ai regjim që ishte këtu në Tuz na ndaloi koncertin, tubimin për të kënduar dhe për t’u gëzuar”, u shpreh Nikprelaj.
Ai kujtoi se ndryshimi i pushtetit në Tuz solli një kthesë të madhe për Malësinë, duke e rikthyer në skenë edhe atë vetë. Si shenjë të këtij ndryshimi përmendi vendosjen e bustit të Skënderbeut në sheshin që mban të njëjtin emër në Tuz.
Këngëtari Nikollë Nikprelaj e nisi koncertin me një këngë majëkrahut, për të vijuar më pas me interpretimin e disa prej këngëve më të suksesshme ndër vite, si: “Në majë të bjeshkëve të Malësisë”, njëra ndër këngët e para të artistit në fjalë, më pas kënga “Baca Kurti s’din ç’është droja”, “Jam shqiptar, jam malësor”, “Fukaraja”, “Heu, ku je lahutë shqiptare”, “Pse jem toskë e pse jem gegë” etj.
Këngëtari Nikollë Nikprelaj bëri të ditur gjatë këtij koncerti se të gjitha këngët më të njohura të tij i ka bërë vetë, tekstin dhe muzikën.
Në këtë koncert u shfaq edhe një film i shkurtër dokumentar, i cili rrëfente për udhëtimin muzikor të këngëtarit Nikprelaj ndër vite, aty ku kishte filluar gjithçka, nga vendlindja e tij, Trieshi, e deri në Prishtinë (Kosovë), që e afirmoi atë si këngëtar të këtij rangu që e njohim sot.
Përmes këtij filmi u shfaq një kronologji e aktiviteteve të tij artistike deri në ditët e sotme, me një rrëfim nga shumë këngëtarë dhe kompozitorë të njohur kombëtarë, të cilët u shprehën në superlativ për këngëtarin Nikollë Nikprelaj, duke e cilësuar atë si një talent të rrallë, me një zë unik dhe mjeshtër të këngës popullore shqiptare.
Në koncertin recital nuk munguan as emrat e mëdhenj të skenës mbarëkombëtare, si Afrim Leka, virtuoz në çifteli, Ylli Baka, Kastriot Tusha dhe Shkurte Fejza, të cilët përshëndetën kolegun e tyre dhe publikun në Malësi me disa nga hitet më të njohura të tyre.
Gjithashtu me një këngë përshëndeti publikun edhe Albin Nikprelaj, djali i këngëtarit Nikollë Nikprelaj.
Nikollë Nikprelaj shpallet “Qytetar Nderi i Komunës së Tuzit”
Kuvendi i Komunës së Tuzit, në seancën e fundit të mbajtur më 9 korrik 2025, ka propozuar dhe miratuar vendimin për shpalljen “Qytetar Nderi i Komunës së Tuzit” të këngëtarit Nikollë Nikprelaj.
Nga Komuna e Tuzit, me rastin e këtij vendimi, theksuan se artisti Nikollë Nikprelaj është një emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën tonë muzikore dhe kulturore, “që me zërin, këngët dhe dashurinë e tij për Malësinë, ai ka ruajtur dhe promovuar vlerat tona kombëtare, duke na përfaqësuar me dinjitet kudo ku ka kënduar”.
Sipas institucionit në fjalë, ky vlerësim simbolik është një shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndër vite dhe një urim i veçantë për këtë jubile të rëndësishëm të jetës dhe veprimtarisë së tij artistike.
Titulli “Qytetar Nderi i Komunës së Tuzit” iu nda këngëtarit Nikollë Nikprelaj pikërisht gjatë koncertit të tij recital.
Nikollë Nikprelaj, përveçse interpretues i qindra këngëve me tematika të ndryshme, veçanërisht të epikës dhe lirikës, është autor tekstesh dhe kompozitor, por edhe instrumentist që di të luajë në disa instrumente muzikore si lahutë, çifteli, fyell etj. Ai konsiderohet si një artist shumëdimensional.
Nikollë Nikprelaj u lind më 12 prill 1961 në fshatin Bëkaj (Triesh), zona e Malësisë së Mbishkodrës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tuz, dhe më pas studimet e larta në Prishtinë, në Akademinë e Arteve, në drejtimin e pikturës. Diplomoi në vitin 1988, nën mentorimin e akademikut Prof. dr. Rexhep Ferrit. Pas studimeve punoi profesor i artit figurativ në Gjimnazin e Tuzit për katër vjet.
Në vitin 2012 këndoi himnin për 100-vjetorin e Pavarësisë në Kuvendin e Shqipërisë, së bashku me katër këngëtarë të tjerë nga pesë trevat shqiptare.
Në vitin 2019 u dekorua nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me çmimin “Mjeshtër i Merituar”.
Në vitin 2022, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh”.
t. u.
