Zë i fuqishëm i vetëdijes kombëtare

Libri “Unë, bija e atdheut” është vepër autobiografike dhe reflektuese, në të cilën autorja rrëfen rrugëtimin e saj drejt zbulimit, pranimit dhe përqafimit të identitetit të saj shqiptar. Tema kryesore e librit është identiteti personal dhe kombëtar, ku autorja përshkruan procesin e rikthimit te rrënjët e veta, rikthim ky që sjell edhe dhimbje por edhe krenari

Ali Gjeçbritaj

Promovimi i librit “Unë, bija e atdheut” të Amina Nurajt është ngjarje kulturore në prag të Ditës së Flamurit – 28 Nentorit, që i tejkalon kufijtë e një mbrëmjeje letrare dhe shndërrohet në një ngjarje të vetëdijes kombëtare, që patjeter duhet të reflektojë edhe në disa treva edhe këtu te ne në Malin e Zi. Amina Nuraj është forca e një zëri që vjen nga një hapësirë ku ruajtja e identitetit shqiptar është sfidë e përditshme.
Amina Nuraj paraqet personalitetin që gërsheton artin e të shkruarit me atdhedashurinë, një aktiviste dhe autore që i jep jo vetëm letërsisë shqiptare dimensionin e qëndresës dhe të dëshmisë, por edhe jetës shoqërore në trevën nga vjen, dëshminë e pamohueshme të origjinës, e cila iu mohua pa të drejtë. E formuar në realitetin e Pazarit të Ri (Novi Pazar), në Sanxhak, ku çdo gjë që ishte shqiptare pothuaj u mënjanua nga jeta atje, ajo sjell këtu (në Ulqin – Krajë) shpirtin e shqiptarëve të vendit të saj përmes këtij libri, duke e rikujtuar publikun se kufijtë mund të na ndajnë fizikisht, të na ndajnë territorialisht, por jo zemrat dhe shpirtin e një kombi, të të njëjtit gjak.
Amina Nuraj është aktiviste e dalluar shqiptare nga Pazari i Ri (Novi Pazari). Aminën e njohim për angazhimin e saj në mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, traditës shqiptare në një rajon siç është Sanxhaku, ku shqiptarët janë margjinaliziar, pse jo dhe asimiluar pothuaj në tërësi.
Nga ky ambient lindi një yll që shndrit, doli një zë i fuqishëm i vetëdijes kombëtare dhe shndriti një personalitet që i jep guxim brezit të ri në Sanxhak që të mos i humbasin rrënjët e veta. Jemi me fat që Amina dhe vepra e saj janë protagonistë të kësaj mbrëmjeje, në këtë ditë të bekuar të kombit tonë, nëntorin e Alfabetit dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorit.
Libri “Unë, bija e atdheut” është vepër autobiografike dhe reflektuese, në të cilën autorja rrëfen rrugëtimin e saj drejt zbulimit, pranimit dhe përqafimit të identitetit të saj shqiptar. Recensuesit e kanë cilësuar veprën manifestim të ndërgjegjes kombëtare me tone të fuqishme patriotike dhe kulturore.
Tema kryesore e librit është identiteti personal dhe kombëtar, ku autorja përshkruan procesin e rikthimit te rrënjët e veta, rikthim ky që sjell edhe dhimbje por edhe krenari.
Lexuesi i vëmendshëm këtë do ta vërejë qartë gjatë leximit të librit. Rrëfimet në libër na mësojnë shumë për punën dhe veprën e autores dhe jo vetëm.
Autorja Amina Nuraj na pasqyron në libër rëndësinë e gjuhës shqipe si mjetin më të fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar. Nëse fjala e urtë popullore thotë “Gjuha ruhet atje ku shkruhet“, Amina jo vetëm se e ka mësuar ta flasë, por edhe ta shkruajë. Dëshmi për këtë është libri që kemi përpara e që paraqet pa asnjë dyshim një vepër me rëndësi dhe peshë të veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe e ndiejnë veten shqiptarë, kështu që ajo në këtë drejtim ka bërë hap gjigant duke marrë parasysh gjithmonë ambientin ku është rritur dhe ka vepruar.
Të lumshin Aminë e dashur!
Ajo në këtë vepër na jep një dëshmi të rrallë që mund të na vijë nga ai ambient, siç është Sanxhaku. Sfidat e shqiptarëve nga vjen autorja na mësojnë për një rezistencë të heshtur, ku kultura, historia dhe identiteti nuk njihen, ose shtyhen në margjina, andaj nisur nga e gjithë kjo autorja na rrëfen për një rezistencë të heshtur që shpërtheu përmes saj dhe shpreson që rrugëtimin e saj ta ndjekin edhe shumë të tjerë në mënyrë që margjinalizimi të shembet e heshtja të shpërthejë.
Kur ta lexoni librin do të shihni dhe do të bindeni edhe vetë se situata ka ndryshuar edhe atje. Kjo shihet në intervistat me të rinjtë dhe të tjerët që Amina i ka realizuar me ta.
Libri është i mbushur me plot pasion, lot, kujtime dhe ndjesi të forta të përkatësisë së autores.
Dikush me të drejtë mund të shtrojë pyetjen: Pse libri “Unë, bija e atdheut” është shumë me rëndësi për publikun, lexuesin shqiptar, për ne si komb, për ata që janë tjetërsuar dhe jo vetëm?
Unë them me plot gojë: Ajo, pra libri shërben si një thirrje e fuqishme për vetëdije kombëtare të Sanxhakut, të shqiptarëve të Sanxhakut, e nga ana tjetër është edhe një zë i shqiptarëve të vetëdijesuar atje që janë harruar. Libri është një zë për reflektim. Kjo vepër frymëzon ruajtjen e identitetit, gjuhës, trashëgimisë, kulturës, artit etj. Autorja është simbol i frymëzimit dhe i guximit.
Zgjimi i identitetit do ta kisha titulluar një kapitull të librit. Ja pse mendoj kështu:
Amina na rrefën për fëmijërinë, ku prejardhja shqiptare është e heshtur dhe pothuaj e padukshme, mirëpo Amina këtë e nxjerr në pah me dëshmi dhe të dhëna të shumta për prejardhjen e saj dhe të tjerëve si ajo. Këtë lexuesi do ta vërejë posa ta marrë në dorë librin dhe t’i hedhë një sy.
Kapitujt fillestarë të librit fokusohen te mungesa e informacionit për rrënjët e veta, presoni i mjedisit shumicë joshqiptar dhe ndjesia e një boshllëku identitar. Kjo pjesë e librit është e dhimbshme, por e sinqertë – një periudhë kërkimi që na shpjegon se për Aminën identiteti është më shumë se vetëm një fjalë.
Të kthehemi edhe një herë në fillim. Zbulimi i identitetit, i përkatësisë shqiptare, ku na vë në dije se rreth moshës së re (si fëmijë njëmbëdhjetëvjeçar) mëson se është shqiptare. Në moshën 15-vjeçare e mëson gjuhën shqipe pa ndjekur shkollën. Kjo është kthesa qendrore në libër. Këtu hasim përjetimin e habisë, të gëzimit dhe të tronditjes.
Nxitja që ta mësojë sa më parë shqipen, gjuhën e të parëve dhe dëshira për ta gjetur veten brenda historisë së kombit të saj, për mua si lexues është pjesa më emocionale e rrëfimit, që të bën të ndihesh plot krenari dhe i emocionuar. Ka këtu poetikë dhe art të mirëfilltë.
Autorja Amina Nuraj na bën me dije me librin e saj të parë, të titulluar “Unë, bija e ardheut”, një rrëfim personal ku përshkruan kthimin e saj në identitetin shqiptar, rrëfimet familjare dhe përvojën në shërbim të çështjes kombëtare në mjedisin ku është lindur, formuar e rritur. Ky libër me 191 faqe dhe me dhjetëra rrëfime, përmban historinë e autores, kthimin e saj në kombin dhe identitetin të cilit i përket, si dhe pjesë nga historia e familjes së nënës së saj.
Libri është i pasur edhe me shumë fotografi të vjetra nga Sanxhaku si dhe një mori pamjesh nga projektet e realizuara në zyrën e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, në Pazar të Ri (Novi Pazar).
Dhe në fund, lirisht them me plot gojë se autorja është zëri që jehon gjithandej, andaj Amina është një zë nga Sanxhaku që s’përkulet para presioneve.
E lindur dhe e rritur në Pazar të Ri (Novi Pazar), në një mjedis ku shqiptarët shpesh përballen me sfida të mëdha për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar, Amina Nuraj është bërë tashmë një simbol i qëndresës dhe krenarisë shqiptare. Pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga autoritetet serbe, ajo nuk i ka ndalur aktivitetet e saj kulturore, arsimore dhe patriotike. Përmes shkrimit, aktivizmit dhe përfshirjes në jetën publike, Amina Nuraj po përpiqet të zgjojë ndërgjegjen e shqiptarëve të Sanxhakut, duke u kujtuar se gjuha, kultura, tradita dhe historia janë themeli i ekzistencës sonë kombëtare.
Vepra “Unë, bija e atdheut” e Aminës del në pah si një rrëfim i thellë shpirtëror, ku ndërthuren përkatësia, qëndresa dhe dashuria e pakushtëzuar për atdheun. Libri nuk është thjesht një dëshmi personale, por një thirrje e fuqishme për vazhdimësinë e gjuhës, kulturës dhe vetëdijes kombëtare, kudo ku jetojnë shqiptarët.
Aminë e dashur, nga zemra të uroj shendet, suksese në punën tënde, në veprimtarinë tënde kombëtare, mbarësi në jetë dhe begati në familje!

(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Ulqin, më 24 nëntor 2025, dhe në Ostros/Krajë, më 26 nëntor 2025)

Të fundit

më të lexuarat