Ulqin – Për nder të pranimit të xhubletës në listën e trashëgimisë së UNESCO-s, Muzeu i Ulqinit, gjegjësisht Qendra për Kulturë, ka organizuar të premten mbrëma një veprimtari kushtuar kësaj veshjeje kombëtare, e vjetër katër mijë vjet, e cila konsiderohet më e vjetra në Ballkan.
Lidhur me vlerat e xhubletës, që vishet kryesisht në pjesën e Alpeve Shqiptare por edhe në disa pjesë të tjera të hapësirës shqiptare, si dhe rëndësinë e pranimit të saj në UNESCO, kanë folur Rita Kalaj – Shkurtaj, kryetare e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, aktivistja Leze Llazari, udhëheqësi i Muzeut të Ulqinit, Gazmend Kovaçi, dhe aktivistja Luljeta Avdiu – Cura.
Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, Rita Kalaj – Shkurtaj, ka thënë se xhubleta sot na identifikon si komb.
“Xhubleta shqiptare është një pasuri kombëtare dhe është një arritje shumë e madhe. Jo për faktin se u pranua një veshje, një veshje e një krahine. Por sepse në mes të asaj game të trashëgimisë kulturore, ne sot identifikohemi edhe si komb me diçka që është kaq e lashtë, kaq e mbrujtur me kulturë dhe kaq e vlefshme për të identifikuar kulturën që kemi trashëguar nga antikiteti deri në ditët e sotme”, ka thënë ajo.
Kalaj – Shkurtaj ka paraqitur me këtë rast librin “Xhubleta, pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, që është rezultat i punimeve të simpoziumit shkencor të organizuar nga shoqata që ajo drejton.
“Ky titull, gati-gati i parapriu asaj që ndodhi tani dhe sot me të drejtë mund të themi që xhubleta është një pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” ka folur për tri tipologjitë e veshjes së xhubletës: tipologjinë e xhubletës së Malësisë së Madhe, pastaj të Dukagjinit dhe të Pukës.
“Dhe të gjitha këto tipologji vijnë si ato rrathët kulturorë, ku sa më shumë largohemi, aq më shumë gjejmë elemente të huazuara. Por epiqendra e rrathëve kulturorë është Malësia e Madhe”, ka thënë Kalaj – Shkurtaj.
Ajo ka theksuar se xhubleta “është një veshje autentike që vajza e punon për ta vjetëruar dhe për t’i rezistuar përgjatë gjithë jetës së vet”, një veshje e personalizuar për fizikun e asaj që e ka punuar.
Kalaj – Shkurtaj ka thënë se me pranimin e xhubletës në listës e trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s nuk është arritur gjithçka.
“Jo, UNESCO-n ne e kemi këtu, sepse duhet ta trashëgojmë. E para, dijebërjen. Dhe unë e vlerësoj më shumë se asgjë tjetër faktin se dosja është plotësuar për dijebërje. Dijebërje do të thotë që ta trashëgojmë mundësinë dhe dijen për ta punuar. Ne trashëgiminë e kemi në duart tona. Nuk është thjesht pasuri se e kemi një veshje në duart tona. Ne e kemi dijen. Ne kemi plot persona që dinë ta punojnë. Pavarësisht se nuk dalin në kamera, ka shumë e shumë gra që e punojnë për mbesën, për vajzën, për nusen, dhe e nxjerrin në pajë. Dhe kjo mua më jep shumë e shumë kënaqësi, qoftë edhe nëse e riciklon”, ka thënë ajo.
Aktivistja Leze Llazari, e pasionuar pas veshjeve kombëtare, ka thënë se xhubleta është një thesar i trashëgimisë sonë kombëtare shqiptare dhe një vlerë kulturore me veçoritë e saj të mrekullueshme.
“Mu falë këtyre veçorive unikale, xhubleta e dijebërja arritën të mbrohen nga UNESCO, tashmë të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale… Ky është një lajm i gëzueshëm, është një ngjarje mbarëkombëtare”, ka thënë ajo.
Llazari ka folur për pasurinë e madhe etnografike të trevës sonë ku, sipas saj, dallojmë 13 veshje kombëtare, ndonëse një trevë kaq e vogël. Ajo ka thënë se këtë trashëgimi, të cilën na e kanë lënë të parët tanë, “si intelektualë, si njerëz, si institucione kemi obligim ta bartim dhe t’ua përcjellim brezave të rinj”.
Duke folur për xhubletën, Llazari ka thënë se ajo “nuk është më vetëm e malësorëve, por është e të gjithë kombit shqiptar”.
Ajo ka shprehur brengën për rrezikun që i kanoset xhubletës, por edhe veshjeve të tjera kombëtare, në Ulqin dhe në disa treva të tjera ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, sepse sot ka shumë pak xhubleta, një pjesë e të cilave janë dëmtuar e shkatërruar, kurse një pjesë e tyre kanë “emigruar” bashkë me të zotët e tyre. Për këtë arsye, ajo u ka bërë thirrje institucioneve lokale, arsimore e kulturore që të ndërmarrin masa adekuate, duke futur në shkollë lëndën e trashëgimisë kulturore, ndërsa në nivel të Komunës së Ulqinit të themelohet Sekretariati për Trashëgimi Kulturore etj.
Udhëheqësi i Muzeut të Ulqinit, Gazmend Kovaçi, ka thënë se “atë që nuk e kanë bërë institucionet, e kanë bërë shtëpitë tona, familjet tona, nënat tona, që na i kanë sjellë të gjalla kostumet dhe trashëgiminë kulturore”.
“Dhe ky është një shpirt që jeton dhe ka të ardhme, sepse trashëgimia është gjëja më e bukur dhe që ka të ardhme”, është shprehur ai.
Kovaçi ka thënë se për t’u pranuar një element në UNESCO duhet të jetë trashëgimi e gjallë.
Ai ka vlerësuar shumë të rëndësishëm faktin që në listën e trashëgimisë së UNESCO-s është regjistruar mjeshtëria e punimit të xhubletës apo dijebërja, sepse nëse nuk dimë ta punojmë, vetëm ruajtja e saj nuk ka shumë vlerë.
“Komunat që i rrethojnë Alpet Shqiptare janë institucionet që pa dyshim si vlerë kulturore që e kanë veshjen e xhubletës duhet të marrin iniciativën për atë që quhet dijebërje. Se kot e ruajmë një plis në muze, kot e ruajmë një artefakt në muze nëse nuk dimë ta punojmë”, është shprehur ai.
Në fund të aktivitetit, Muzeu i Ulqinit ka ndarë mirënjohje për zonjat Rita Kalaj – Shkurtaj “për ruajtjen dhe promovimin e xhubletës shqiptare”, Leze Llazari, Luljeta Avdiu – Cura, si dhe dy punonjëset e këtij institucioni – Liza Çilingiri dhe Zenepe Draga “për kontributin në ruajtjen e artefakteve në muze”.
Këtë aktivitet dhe mbrëmje kushtuar xhubletës e zbukuruan disa vajza dhe gra nga Ulqini dhe Malësia e Madhe, të veshura me këtë veshje kombëtare.
Xhubleta është një veshje prej leshi, e punuar me dorë, kryesisht e zezë dhe me motive shumëngjyrëshe. Karakteristikë e saj është pjesa e poshtme në formë të kambanës. Ajo vishej dikur nga vajzat dhe gratë në jetën e përditshme, kryesisht në pjesën e sotme të Shqipërisë së Veriut, por edhe në një pjesë të Malit të Zi dhe Kosovës. Në fund të nëntorit të këtij viti u bë publik lajmi për pranimin e xhubletës në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Në faqen e kësaj agjencie shkruan se xhubleta përfaqëson një trashëgimi të kulturës nga ilirët te shqiptarët, gjë që e bën atë veshjen më të hershme jo vetëm ndër shqiptarët por në përgjithësi në Ballkan.
i. k.
