Vlerësohen me dy çmime për interpretim

Teatri për Fëmijë nga Ulqini mori pjesë në këtë festival me shfaqjen për fëmijë “Borëbardha” dhe u vlerësua nga juria me dy çmime: Çmimin për interpretimin më të bukur teatral dhe Çmimin e Dytë për interpretimin më të bukur në kinematografi. Në festival morën pjesë mbi 15 grupe dhe mbi 30 interpretues të roleve të ndryshme të aktrimit në katër disiplina: kinematografike, dramatike, teatrale dhe humoristike

Teatri për Fëmijë pranë Qendrës për Kulturë – Ulqin mori pjesë në edicionin e gjashtë të “Festivali i aktrimit jehon, rinia shqiptare triumfon”, që u mbajt në Tiranë, më 12 dhjetor 2022.
Festivali u organizua nga Shoqata Kulturore-Artistike “Jehona shqiptare”, në sallën “Tonin Arapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe në të morën pjesë mbi 15 grupe dhe mbi 30 interpretues të roleve të ndryshme të aktrimit në katër disiplina: kinematografike, dramatike, teatrale dhe humoristike.
Teatri për Fëmijë nga Ulqini mori pjesë në këtë festival me shfaqjen për fëmijë “Borëbardha” dhe u vlerësua nga juria me dy çmime: Çmimin për interpretimin më të bukur teatral dhe Çmimin e Dytë për interpretimin më të bukur në kinematografi. Juria e Festivalit përbëhej nga aktorë të njohur shqiptarë: Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), kryetare e jurisë, dhe Xhevat Limani, Pajazit Murtishi, Kliti Roshi dhe Ramazan Luga, anëtarë të jurisë.
Regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu thotë se ishte një kënaqësi e veçantë sepse ishte hera e parë që me Teatrin për Fëmijë marrin pjesë në festivale me karakter garues dhe aq më shumë kënaqësi fitimi i dy çmimeve.
“Ky ishte një nder për ne, kënaqësi, sepse fëmijët e kishin për herë të parë këtë përvojë dhe kënaqësia edhe më e madhe që ata të përfaqësojnë Ulqinin në Tiranë”, shprehet ajo.
Regjisorja thotë se ndonëse të vogël në moshë, fëmijët i ka bërë skena për vete.
“Fëmijët e zotërojnë skenën shumë mirë, ndoshta edhe më mirë se ne të rriturit. Është kënaqësi kur i shohim që edhe ata kënaqen. Kjo ishte edhe dëshira më e madhe pse unë dhe Jetmira (Hoxha) insistonim që ne të merrnim pjesë”, është shprehur ajo.
Shfaqja “Borëbardha” me të cilën Teatri për Fëmijë nga Ulqini është paraqitur në Festivalin e Aktrimit në Tiranë është shfaqur për publikun e Ulqinit vitin e kaluar, para sezonit veror, dhe po ashtu edhe në muajin nëntor të këtij viti.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat