Vlerë autentike e shqiptarëve

Studiues të profileve të ndryshme shkencore, të cilët janë marrë me raportet e ndryshme shoqërore të shqiptarëve, kanë spikatur një dukuri e cila është e veçantë te kombi ynë. Fjala është për tolerancën fetare që lidhet me besimin. Pra, kemi të bëjmë me një bashkëjetesë pa armiqësi e konflikte të besimtarëve me fe të ndryshme

Nail Draga

Dihet historikisht se besimi te shqiptarët fillon me ilirët, ku nga paganizmi përmes romakëve pranuan krishterimin në shek. IV, ndërsa më pas me ndarjen e krishterimit në vitin 1054, shqiptarët i përkasin Bizantit, përkatësisht ortodoksizmit, ndërsa nga shek. XV e më pas me paraqitjen e Perandorisë Osmane në Siujdhesën Ilirike, pjesa më e madhe e shqiptarëve kaluan në islamizëm. Ishin këto periudha të veçanta, me plot intriga, presione dhe kushtëzime të ndryshme, ku për të mbijetuar shqiptarët ishin të detyruar t’u përshtaten rrethanave të kohës.

Konvertimi në kontekst të kohës
Andaj, edhe dukurinë e konvertimit në fe të kohës duhet kuptuar në kontekstin kohor, për arsye politike e etnike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kemi raste të shumta nga klasa politike e kohës. Tashmë dihet se Balshajt në vitin 1369 nga ortodoksë kaluan në katolikë, pastaj ngjashëm vepruan edhe Skurajt, Muzakajt e Zahariajt. Ndërsa sipas rrethanave politike Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, ishte katolik si aleat i Venedikut më 1407, ortodoks si aleat i Stefan Llazareviqit më 1419-1426, mysliman si aleat i Muratit II më 1430-1438 dhe vdiq si katolik më 1443. Rastet e tilla të asaj kohe por edhe më pas janë të mjaftueshme për të kuptuar tolerancën fetare, e cila vazhdimisht ka qenë dhe mbetet preokupim i studiuesve të profileve të ndryshme shkencore.
Pikërisht në lidhje me këtë çështje, studiuesi i njohur i etnologjisë Kahreman Ulqini kohë më parë opinionit i paraqitet me librin “Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë”, botuar nga Shtëpia Botuese “Fiorentia”, Shkodër, 2016.
Autori çështjen e tolerancës e trajton në kompleksin e organizimit të vjetër shoqëror të shqiptarët, duke filluar me familjen fshatare, dokeve, duke e mbyllur me popullsinë qytetare dhe trajtimit të veçantë në shqiptarizëm. Në pjesën e dytë, vend të rëndësishëm zë shtojca, e cila sjell argumente për çështjet e trajtuara nga vise të ndryshme shqiptare, që janë dëshmi të pakontestuara për tolerancën fetare në kohën përkatëse.

Temë komplekse
Duke parë se kemi të bëjmë me një temë komplekse dhe me një periudhë të gjatë kohore, autori me të drejtë konstaton se hulumtimet rreth tolerancës fetare te shqiptarët patjetër duhet që argumentet dhe analizat e të dhënave dhe metodat e punës të jenë të afërta me ato të disa disiplinave shkencore si historia, etnologjia e sociologjia.Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në përfundime të qëndrueshme shkencore ndaj një teme e cila është intriguese për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore. Po ashtu një qasje e tillë është më e pranushme edhe për studiuesit e huaj, të cilët këtë çështje e kanë pothuaj të panjohur sa e si duhet, sepse shqiptarët janë model për botën bashkëkohore sa i përket tolerancës fetare, si pjesë e vetëdijes kombëtare gjatë shekujve.

Sfidë ndaj paragjykimeve
Autori në këtë botim na sjell episode të ndryshme që tregojnë tolerancën fetare të besimeve të ndryshme, kryesisht katolikë e myslimanë, nga krahina të ndryshme etnografike shqiptare por edhe qytete me të kaluar të bujshme historike sikur ishte Shkodra. Ishte kjo ndjenja e solidaritetit të gjakut dhe etnisë për të përballuar rrethanat e kohës. Veprimet e tilla ishin sfidë edhe ndaj elementeve të ndryshme konfliktuoze, të cilët kishin paragjykime të ndryshme apo ishin në shërbim të strukturave të huaja në hapësirën shqiptare. Edhe pse në themel të shoqërisë shqiptare me natyrë konservatore, qëndronte parimi i ruajtjes së traditës, ku toleranca fetare mbeti si kod i pranimit të të tjerëve fetarisht, mos fyerjen e besimit të tyre, respekt për praktikat e shfaqjet publike, bashkëjetesë normale në familjet me dy besime dhe pa paragjykime fetare në bashkësi të ndryshme shoqërore. Ishin këto tipare të ngulitura me shekuj në vetëdijen e shqiptarëve, dukuri kjo e cila na bën të mburremi në krahasim me popuj të tjerë, të cilët janë fetarë me fanatizëm ekstrem sikurse janë ortodoksët – fqinjët tanë të cilët si në të kaluarën dhe në ditët tona janë jotolerantë ndaj çdo kishe apo riti tjetër, duke qenë persekutues të vazhdueshëm nacional.

Shqiptarët model për popujt tjerë
Me këtë botim, përveç konsultimit të literaturës profesionale selektive, autori dëshmon se gjatë hulumtimeve të tij gjysmëshekullore në terren rreth organizimit të vjetër shoqëror e së drejtës popullore te shqiptarët, ka mbledhur një lëndë me vlerë shumëplanëshe nga trashëgëmia e kultura jonë popullore, ku toleranca fetare paraqet një ndër vlerat etnike më sublime të popullit shqiptar. Pikërisht kjo dukuri është hetuar edhe nga të huajt, të cilët kanë vizituar viset shqiptare nga mesjeta e vonë e më pas. Madje ata kanë qenë të befasuar me këtë qëndrim të shqiptarëve të cilët, edhe pse popull me tre besime, ishin dhe janë edhe sot model për popujt tjerë.
Andaj duke marrë parasysh rëndësinë që ka toleranca fetare për të sotmen dhe të ardhmen, është për t’u përshëndetur propozimi i autorit që një lëndë e tillë të mblidhet dhe të botohet në një vëllim të veçantë, si vlerë autentike e trashëgimisë sonë kulturore ndër shekuj. Një botim i tillë do të ishte si testament edhe për brezat që do të vijnë, duke dëshmuar se shqiptarët kanë se me çka të mburren, me një vlerë unikate e cila iu mungon popujve tjerë. Rastet e tilla janë të shumta, ku autori na sjell disa episode apo fragmente që kanë vlera autentike të tolerancës fetare. Andaj u mbetet institucioneve përkatëse shkencore që një propozim të tillë ta realizojnë në praktikë, sepse është obligim moral dhe profesional për të kaluarën tonë gjatë zigzageve të historisë, sepse ka ndodhur ajo që është e shkruar.

Përfundim
Një botim i tillë do të ishte i obligueshëm jo vetëm për studiuesit dhe individët e pasionuar pas trashëgimisë kulturore, por sidomos për studentët e katedrave të ndryshme, ku trajtohen çështje nga antropologjia e kultura popullore. Vetëm në këtë mënyrë toleranca fetare do të mbetet pjesë e identitetit tonë kombëtar, si vlerë e veçantë e popullit tonë në të kaluarën dhe në ditët tona. Është pikërisht kjo tolerancë fetare e cila na shfaqet kudo në të gjitha veprimtaritë e ndryshme shoqërore, duke dëshmuar në praktikë një dukuri me vlera të mëdha, sa shoqërore dhe kombëtare, duke na bërë unikat për popujt tjerë në botën bashkëkohore.
Madje ky është edhe mesazhi i këtij libri, i cili do të jetë i domosdoshëm për historianët, etnologët e sociologët si dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë njohuri për këtë dukuri shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve, në të kaluarën dhe në ditët tona.

(Ribotohet me rastin e vdekjes së Kahreman Ulqinit (1935-2026), studiuesit, historianit e etnologut të shquar shqiptar, i vlerësuar si një nga figurat më të respektuara të studimeve albanologjike)

Të fundit

më të lexuarat