Vizitë Manastirit-qytetit ku lindi alfabeti dhe u shqua gjuha shqipe

Luljeta Avdiu – Cura

Manastiri, ishte kryeqendër e Vilajetit të Manastirit, dhe përfshinte një sipërfaqe prej 22.000 km katrorë, në të cilin bënin pjesë tokat shqiptare deri në Elbasan, duke përfshirë edhe territore të tjera deri afër Janinës dhe më gjerë. Manastiri është qytet i hershëm mesjetar i banuar nga popullsia arbërore dhe graviton në arteriet më të rëndësishme të Ballkanit mesjetar. Në këtë qytet janë të njohur karvanët tregtarë, të cilët ekspozonin mallrat dhe produktet tjera nga Lindja dhe Perëndimi. Sot, Manastiri historik i alfabetit quhet – Bitolë, është qyteti i dytë më i madh në Maqedoni dhe shtrihet në pjesën jugore të këtij vendi.
Gjatë fillim shekullit XIX, Manastiri ka qenë një nga vatrat kryesore të klubeve shqiptare, të cilat aspironin përhapjen e arsimit shqip kudo ndër shqiptarë. Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi (në kapërcyellin e shek. XIX-XX), shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm shqip. Pas revolucionit xhonturk (1908), duke përfituar nga koncesionet e vogla që i bënë në fillim xhonturqit, Manastiri bëhet çerdhe e vërtetë e klubeve shqiptare, patriotëve shqiptarë dhe shtypshkronjave të librave në gjuhën shqipe.
Në këtë periudhë Rilindësit tanë me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti unik të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë ndasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Lufta për ruajtjen e gjuhës së një populli është edhe luftë për identitet e mbijetesë të atij kombi! Kështu do të thoshte Mit`hat Frashëri, pas vendimeve historike të Kongresit të Manastirit (14 – 22 Nëntor 1908), pikërisht në kohën kur Rilindësit tanë ishin të preokupuar edhe me nevojën e krijimit të një shteti kombëtar. Një alfabet unik do të ndihmonte padyshim, si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit tonë kombëtar – të bashkimit politik të popullit shqiptar, i cili do të finalizohet më 28 Nëntor 1912, në Kuvendin Gjithëkombëtar të Vlorës.
(Sh.Berisha, botuar në Pashtriku 2012).
Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për çështjen e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:”… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”. Kështu shkruante Mid’hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare.
Ndër pjesëmarrësit e shquar në Kongresin e Manastirit qenë At Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh nën kryesinë e At Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe At Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.
Tri alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës, i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine.
U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete tjera, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi t’i pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.
Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.
Mustafa Kemal ose Mustafa Kemal Ataturk, ka lindur më 12 mars të vitit 1881 në Selanik. Ai ishte një udhëheqës ushtarak turk, themelues i Republikës Turke dhe kryetari i parë i saj nga viti 1923 e deri më 1938.
Siç dihet, Mustafa Kemal Ataturku është shkolluar në Manastir në periudhën 1896-1898, ka qenë nxënës i dalluar me “Epaulet numër 7348”. Ndikim të madh te Ataturku ka pasur shkolla në Manastir, për të cilën ai vetë ka shkruar në kujtimet e tij ku thekson se “shkolla i mëson mendjet e të rinjve të jenë njerëzorë, ta duan kombin dhe atdheun, të jenë krenarë e të pavarur!
Në dhomën e tij përkujtimore gjithashtu gjendet edhe letra që paraqet pjesë nga sagat më të mëdha të dashurisë në këto hapësira. Bëhet fjalë për mesazhin e vajzës nga Manastiri Eleni Karinte për Ataturkun. Dashuria e tyre mbeti e parealizuar dhe për këtë arsye shumë veta i quajnë Romeo dhe Zhulieta të Ballkanit.
Te ndërtesa ktheva shikimin nën ballkonin e Karintes, ku të dashuruarit gjithmonë shkëmbenin shikimet e tyre, vizitova hapësirën dedikuar njërit prej personazheve më të shquar historikë, i cili ka thënë „paqe në shtet, paqe në botë” dhe u njoha më mirë me jetën e tij, i cili një pjesë të madhe të rinisë kaloi në Maqedoni.

Vizitë Herakleas
Heraklea, një qytet i lashtë i njohur për mozaikët e tij ngazëllues, teatrin antik dhe banjat romake, është një nga qytetet më të mira të ruajtura nga periudha antike. I themeluar nga Filipi II i Maqedonisë në shekullin IV p.e.s., Heraklea gjendet 2 kilometra larg qytetit të sotëm të Manastirit dhe është themeluar pas pushtimit të rajonit të Lynkestëve nga ana e mbretit të Maqedonisë Antike. Emri i qytetit, Heraklea, vjen nga heroi i mitologjisë greke, Herakliu. Për shkak të vendndodhjes së tij strategjike, Heraklea ishte një qytet i rëndësishëm në periudhën antike dhe ka shërbyer si kufiri midis Maqedonisë dhe Epirit. Në veri kufizohej me Pajonët.
Qyteti antik ishte një pikë kalimi e rëndësishme për rrugën romake “Via Egnatia”. Heraklea gjithashtu shquhet për teatrin e tij të ndërtuar nga perandori romak Adriani dhe përdorur gjatë ngjarjeve në frontin e Antoninus Pius. Zbulimi i këtij qyteti ka ndodhur në vitin 1931, ndërsa teatri është zbuluar më vonë në vitin 1968.
Qyteti i Herakleas konsiderohet si zona më e mirë arkeologjike e Maqedonisë. Përgjatë shekujve, qyteti ka përfshirë në vete kultura të ndryshme. Kjo qendër sociale dhe kulturore është sulmuar dhe pushtuar nga romakët, sulmuar nga gotët, pastaj ka rënë në duar të Bizantit, për t’u shndërruar në qendër peshkopale. Më vonë, në shekullin e shtatë, rajoni është pushtuar nga popullsia sllave. Mozaiku i gjetur në Heraklea është vendosur në kartëmonedhën 5000 denarëshe të Maqedonisë, në vitin 1996.
Për ata që janë të interesuar për të eksploruar trashëgiminë antike në Maqedoni, vizita në Heraklea është një detyrim. Ky qytet i lashtë ofron një rrëfim të pasur të historisë dhe kulturës së këtij qyteti të lashtë , duke e bërë kështu çdo vizitë një eksperiencë të paharrueshme.
Vizita në qytetin e Manastirit ishte një përjetim i bukur, një ecje e paharrueshme nëpër Çarshinë e vjetër që do të më mbesë përgjithmonë në kujtesë. Ecja nëpër Çarshi krijoi një atmosferë magjike që më bëri të ndihem shpirtërisht pjesë e një periudhe të kaluar.
Çarshia e Manastirit shkëlqente nga pamja e monumenteve fetare. Xhamitë dhe kishat e lashta me arkitekturën e tyre të veçantë përbënin një element të çmuar për trashëgiminë kulturore. Emocioni i përjetuar gjatë kësaj ecjeje ishte i papërshkrueshëm. Çdo hap nëpër rrugë më bënte të ndihesha e mahnitur nga bukuria dhe thellësia e historisë që përcillte çdo pllakë dhe çdo fasadë.

Të fundit

më të lexuarat