Veshjet e Anës së Malit, thesar i traditave të kulturës popullore shqiptare

Gjekë Gjonaj

Trashëgimia etnografike e Anës së Malit përbën një pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare me vlera të pazëvendësueshme. Një rol të rëndësishëm në kulturën dhe trashëgiminë e banorëve të kësaj zone luajnë edhe veshjet dhe kostumet e tyre popullore që vlerësohen të jenë një thesar i traditave të kulturës popullore shqiptare. Ato janë një nga aspektet e rëndësishme të mënyrës së jetesës të cilat me larminë dhe variantet e tyre pasurojnë trashëgiminë kulturore shqiptare. Kjo trashëgimi kulturore jomateriale është krijuar në vijimësi nga popullata vendase dhe është përcjellë brez pas brezi. Në këtë zonë veshjet tradicionale të grave janë ruajtur më me shumë kujdes se ato të burrave. Ato konsiderohen si objekte etnografike të përdorimit të përditshëm ose në raste festash, të përbëra prej materialeve të tilla si liri, leshi, lëkura, pambuku, mëndafshi, etj.
Nëpërmjet studimit të veshjeve popullore anamalase ne njihemi jo vetëm me një aspekt shumë të rëndësishëm të mënyrës së jetesës, por edhe me aspekte të tjera si zhvillimi ekonomik, shoqëror, kulturor e artistik të kësaj treve ku këto veshje janë mbajtur. Trashëgimia dhe ruajtja e kostumeve popullore të fshatrave të veçanta të trevës së Anës së Malit është një element mjaft i rëndësishëm për t’u vlerësuar.

Veshja e femrave të besimit islam
Veshjen e Anës së Malit studiuesit e kanë konsideruar të bukur dhe të lashtë. Referuar autorëve vendas Syme Kokajt, Dedë Ndoc Filipajt, Muhamet Nikës dhe Shaqir Ismailit, në këtë zonë mbretëronte një spektër dhe kolorit i pasur veshjesh me varietete të ndryshme popullore si: veshja e anamalases së besimit islam, veshja me xhubletë e malësores, veshja e bregasores dhe veshja karakteristike e grave të besimit katolik të Klleznës. Ato konsiderohen si objekte etnografike të përdorimit të përditshëm ose në raste festash, të përbëra prej materialeve të tilla si liri, leshi, lëkura, pambuku, mëndafshi, tirku, shajaku, etj.
Veshja kombëtare e kësaj zone sipas Ismail Shaqirit “ishte standarde, me kostume tradicionale provinciale: xhamadan, anteri, bohçe të kuqe si shenjë nusërie, ose bohçe me ngjyra të ndryshme, me shami, brenavekë, shallvare etj”. Përveç këtyre elementeve si pjesë të tjera më të rëndësishme të kësaj veshjeje Muhamet Nika veçon: “mbulesat e kokës (degërmiet), brezin, çorapët dhe këmishat e pambukta. Në varësi prej moshës shpirtërore të individit imponohet ky klasifim: veshja e përditshme, veshja solemne (teshat e mira) që përkojnë me veshjen kombëtare të bazenit të Shkodrës. Ndërkaq në varësi prej moshës imponohet ky klasifikim: veshja e vajzave, e nuseve, e grave dhe e plakave. Ngjyrat më të theksuara të këtij koloriti janë: e kuqja, e verdha, e bardha, e gjelbërta, e kaltërta, e zeza, etj”. Syme Kokaj pohon se “tek veshja e femrave të fshatrave malore kanë qenë më të përdorshme këmishat e gjata deri në thembrat e këmbëve, brezi ose rrypca, xhamadani zakonisht i zi, jeleku me mëngë të gjata, brekët e gjata, çorapët e leshta të bardha me maje të kuqe, bohçja për nuse e kuqe me ngjyra të theksuara për dallim nga ajo e plakave, grave veja dhe vajzave dhe gjysma për lidhjen e flokëve në formë trekëndëshi e mbi të shamia e kuqe, e verdhë, ose roze për nuse, apo degërmi e bardhë për plaka e mbështjellë nën gushë dhe për vajza degërmia e bardhë është lidhur nën fyt, aq sa mos t’u duken flokët”. Ndërsa tek veshja e grave të fshatrave fushore, thekson Kokaj, më të preferuara kanë qenë brenavekët me ngjyra e lule varësisht nga mosha, anteria e qëndisur ose havra shkurticë deri nën bel, rrypica ose brezi, shamia e kokës sipas moshës, etj. Anamalaset kanë përdorur edhe veshjen e ashtuquajtur “allaturka” përmes së cilës mund të dallohet pa vështirësi se cilës krahinë i takon.

Veshjet e femrave të besimit katolik
Kjo zonë karakterizohet edhe me veshje të femrave të besimit katolik si: veshja me xhubletë e malësores në fshatin Amull dhe klleznores në fshatin Kllezën. Këto kostume kanë variante që ndryshojnë sipas moshës, krahinës, kushteve të punës, jetesës, zakoneve e festave. Në to pasqyrohen veçantitë e kulturës dhe të shijeve artistike të bartësve të tyre, të ruajtura me vazhdimësi në epokat e mëvonshme historike sidomos në mjediset fshatare.
Veshjet popullore në Anë të Malit për fat të keq janë drejt zhdukjes. Ato çdo ditë e më shumë po modifikohen, po transformohen. Gratë e reja të kësaj treve viteve të fundit nuk tregojnë interesim për kostumet tradicionale, por ato po rikthejnë punimet artizane duke modernizuar traditën e nënave, gjysheve e stërgjysheve të tyre.

Veshjet e meshkujve
Sipas Ismail Shaqirit “te meshkujt e kësaj treve veshja kombëtare shqiptare u reduktua me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Me mbylljen e kufirit me Shqipërinë në verën e vitit 1948, njerëzit tynë (shënimi im-anamalasit) nuk kishin mundësi si më parë të tregtonin në Shkodër, ku e blenin veshjen kombëtare shqiptare krutane që përdorin anamalasit: kësulën dibrane, brezin e Selanikut, çakshirët me spik ose brekushet. Të rrallë kanë qenë pleqtë me veshje tjetër të improvizuar deri në vitet e ‘60 të shekullit XX”.
Burrat anamalas përveç çakshirëve kanë veshur xhamadanin e zi të qëndisur nga shajaku, këmishën e bardhë, kurse në kokë kanë mbajtur kësula të kuqe, franceze të zeza dhe të bardha dibrane.
Nga hulumtimet e mia në terren jam vërtetuar se qeleshja apo plisi i bardhë ka qenë pjesë e zakonshme e kostumit dhe veshjes kombëtare të anamalasve jo vetëm të besimit katolik por edhe islam. Këtë e dokumenton edhe fotografia e familjes Kurti nga Sukubina nga viti 1928.
Klleznori i fundit i cili e ka mbajtur gjithmonë deri në vdekje plisin e bardhë në kokë ka qenë Gjergj Ndoc Filipaj, me të cilin kam biseduar në shtëpinë e tij familjare në fshatin Kllezën në mars të vitit 2005, kur ai i kishte afruar të nëntëdhjetat.
Siç mësuam nga kolegu Esat Mehmeti nga brezi i fundit plisin e bardhë e kanë mbajtur Isa Dan Mehmeti (Draginë), Haxhi Dul Mehmeti (Draginë) dhe Kasem Hajdar Avdiu (Sukubinë).

Të fundit

më të lexuarat