Në Galerinë e Radiotelevizionit të Malit të Zi në Podgoricë, të enjten mbrëma, më 11 dhjetor 2025, u bë promovimi i botimeve muzikore për kuartetin harkor të kompozitorit të njohur malazez, Senad Gaçeviq – “Olive Tango”, një kompozim koncertal për kuartet harkor me elemente pak më popullore, dhe “Remembering Tevba”, një aranzhim i një punimi të mëparshëm për ansambël të vogël.
Në prani të figurave të jetës politike, shoqërore, artistike, mediatike etj. nga Podgorica, Ulqini dhe Tuzi, për këto vepra muzikore folën Lorenc Radovani, profesor i rregullt në Universitetin e Arteve në Tiranë, njëherësh redaktor i këtyre botimeve, kritikja muzikore Tijana Jovoviq dhe vetë autori Senad Gaçeviq, njëherësh profesor i rregullt në Akademinë e Muzikës në Cetinë.
Gjatë promovimit, përkthyesi Nikollë Berishaj e lehtësoi dialogun mes Prof. Lorenc Radovanit dhe udhëheqëses Tijana Jovoviq, duke përkthyer fjalët e tij në malazezisht dhe pyetjet e saj në shqip.
Autori i këtyre veprave muzikore, kompozitori i njohur Senad Gaçeviq, i tha gazetës “Koha javore” se ‘Remembering Tevba’ është praktikisht një kujtesë në një punim nga vitet e ‘80-ta, i cili quhet ‘tevba’ dhe se këtë herë, siç tha ai, është përpjekur që të krijojë një version për një ansambël më të vogël, që të jetë pak më operativ dhe të mund të marrin pjesë më shumë njerëz në ekzekutim.
“Dhe ja, kjo ka dhënë rezultate pasi kemi një pjesë që është vlerësuar mirë, edhe sonte në Podgoricë, kurse para pak kohësh kjo vepër muzikore është ekzekutuar edhe në Tiranë”, shprehet Gaçeviq.
Ndërkohë, ai thotë se ‘Olive Tango’ është një kompozim i ri me temë të Mirsad Serhatliqit, nga një pop këngë e tij, dhe në bazë të materialit në fjalë, ai ka bërë një version të lojës tango, e cila, siç tha ai, nuk ka vetëm karakter loje por dhe një lloj të karakterit koncertal, me kontraste në kuadër të kompozimit.
“Kjo është një vepër e përkryer koncertale, e cila tingëllon pak më popullore dhe për një publik më të gjerë”, theksoi kompozitori Gaçeviq.
I pyetur se si e shikon rolin e veprave të tij në avancimin e kulturës muzikore dhe bashkëpunimit kulturor në rajon, Gaçeviq thotë se kjo tregohet përmes rezultateve të caktuara.
“Muzika ime ekzekutohet në shtetet e rajonit dhe më gjerë, dhe kjo muzikë vlerësohet pozitivisht, praktikisht në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë dhe pak më tutje, por edhe në destinacione të tjera. Komunikimi midis profesionistëve të kësaj muzike është mjaftueshëm i mirë saqë vetë dëshirojnë ta ekzekutojnë, madje orkestra të ndryshme në meridiane të ndryshme. Për autorin e muzikës është gjë e mirë që veprat e tij mund të interpretohen pa qenë ai vetë i pranishëm”, u shpreh autori Gaçeviq.
Ai thotë se gjuha muzikore është universale dhe kjo dëshmohet më së miri teksa kompozitorët i dërgojnë notat në destinacione të ndryshme, përmes adresës elektronike.
“Dhe ato tashmë janë gati atje për interpretim dhe nuk kërkon ndonjë ndërmjetësim shtesë, siç ndodh te shkrimtarët, ku duhet përkthim në gjuhë të tjera, sepse gjuha e muzikës është shumë e lehtë, universale dhe komunikon lehtësisht në mbarë botën”, thotë kompozitori Gaçeviq.
Në përgjigje të pyetjes se nëse planifikon ndonjë projekt ose kompozim të ri që do të lidhë më tej skenën muzikore të Malit të Zi me Shqipërinë dhe më gjerë, kompozitori Gaçeviq thotë se së bashku me Prof. Lorenc Radovanin, para këtij promovimi, kanë vendosur kornizën për një orkestër të përbashkët të instrumenteve të telit me interpretues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, me vokale dhe muzikë nga të dyja vendet, të zhanreve të ndryshme.
“Pra, gjysma e instrumentistëve do të jenë nga Mali i Zi dhe gjysma nga Shqipëria. Gjysma e programit do të jetë e bazuar në muzikën malazeze dhe gjysma tjetër në muzikën shqipe dhe unë pres që kjo të ndodhë shumë shpejt, pas Vitit të Ri, me një koncert në Shqipëri dhe Mal të Zi”, u shpreh kompozitori dhe profesori universitar Senad Gaçeviq.
Redaktori i këtyre veprave muzikore, profesori i rregullt i Universitetit të Arteve në Tiranë, Lorenc Radovani, i pyetur nga gazeta “Koha javore” se si e vlerëson rëndësinë e veprave të Senad Gaçeviqit për skenën muzikore bashkëkohore, thotë se ai është një autor shumë interesant, që ka dhënë një kontribut të çmuar në kulturën e muzikës së kultivuar, jo vetëm të Malit të Zi por dhe më gjerë.
“Në prill të vitit 2026, simfonia e Senad Gaçeviqit do të luhet nga orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar. Kjo tregon edhe një herë vlerën e punës, të mendimit dhe të kulturës së thellë që ky krijues i servir komunitetit. Kontributi tjetër i Prof. Senadit është ai pedagogjik, duke dhënë një kohë të gjatë mësim me studentët në Cetinë në klasën e kompozicionit”, shprehet Radovani.
Ai tha se Gaçeviqi ka dhënë kontribut edhe në fushën e etnomuzikologjisë, me publikimet dhe botimet, me gërmimet dhe studimet e ndryshme për të sjellë në artin e tij vlerat më të mira që kanë kulturat popullore, si të Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Turqisë etj.
Radovani gjithashtu theksoi se ne si dy popuj jemi të ndryshëm, por kemi shumë ngjashmëri.
“Njerëzit duan të dinë për kulturat e njëri-tjetrit. Ne po përgatisim një seri aktivitetesh për të ardhmen, sepse në të kaluarën jemi mirëpritur, duke filluar që nga viti 2011 në Cetinë, ku kemi performuar në koncerte të përbashkëta me autorë nga Mali i Zi dhe Shqipëria si dhe nga autorë të tjerë ndërkombëtarë”, shprehet Radovani.
Ai më tej shprehu nevojën për më shumë mbështetje institucionale, për më shumë përpjekje dhe vëmendje nga institucionet, që vërtet të mund t’ia transferojnë këto vlera njëri-tjetrit, për t’u njohur më mirë.
Promovimi është organizuar nga Radiotelevizioni i Malit të Zi, ndërsa veprat muzikore janë botuar nga Shtëpia Botuese “Flash” nga Tirana.
t. u.
