Ulqin – Piktorja e re, Lisa Nimanbegu, studente në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Rijekë (Kroaci), ka hapur të shtunën mbrëma (2 shtator 2023), në mjediset e hotelit “Pirate” në Kalanë e Ulqinit, ekspozitën e saj të parë personale, të titulluar “O ti det”.
Në veprat e saj mbizotëron deti, anijet, ngjyra e kaltër. Kjo lidhje e saj me detin dhe anijet është në njëfarë mënyre e natyrshme dhe e kuptueshme duke qenë se është rritur pranë detit.
Piktorja Mersiha Resulbegoviq – Mavriq ka thënë se Lisa në thelb flet për dashurinë dhe bukurinë që i jep deti.
“E rritur në Qytetin e Vjetër të rrethuar nga deti, nuk është çudi që frymëzimin e gjeti te deti dhe kjo u pasqyrua në pikturat e saj. Shprehja artistike e Lisës theksohet nga karakteristikat e shpirtit mesdhetar. Përkatësia e detit u jep pikturave të cilat janë të ndara në dy pjesë të saj, një prekje të diçkaje lozonjare dhe përrallore, ndaj duke i parë ato veprat e saj gjejmë paqe. Ne shohim kryesisht varka, por prapëseprapë prej tyre dalin forma peshqish dhe guaskash dhe kam përshtypjen se jemi zhytur menjëherë në botën nënujore”, ka thënë ajo, duke i uruar piktores së re suksese në studimet dhe krijimtarinë e saj të mëtejshme.
Për piktoren Mr. Bilana Kekoviq nga Qendra e Artit Bashkëkohor të Malit të Zi, me krijimtarinë e saj dhe asociacionet subjektive Lisa Nimanbegu “krijon shtresa plotësisht të reja që aktivizojnë përvojat dhe me asociacionet subjektive, krijon shtresa krejtësisht të reja që aktivizojnë përvoja dhe pikëpamje subjektive, në mënyrë që ne mund ta shohim të gjithë procesin e kërkimit dhe kuriozitetit të saj si një e tërë”.
Në katalogun për ekspozitën e piktores Lisa Nimanbegu, ajo shprehet se procesi i mendimit nuk mund të ndahet nga procesi i formës, ashtu siç nuk mund të ndahet nga zgjedhja e motiveve, kështu që atmosfera mediterane në të cilën Lisa ka lindur është më e pranishmja.
“Loja e dritës, pikturat sikurse të gjalla të detit, e frymëzuan atë të hynte në botën e pikturës, sikurse ishte frymëzimi i pashtershëm i artistëve të mëdhenj malazias si Millo Mullunoviq dhe Filip Filipoviq. Preokupimi i saj krijues dhe mbi të gjitha prekja e detit, rezultojnë pikturat që përshkruajnë peshqit e plotë, botën nënujore, barkat me vela të stilizuara si në poezinë e R. T. Erdogan ‘Varka e ankoruar në portin e ëndrrave’. Duke shikuar punimet e Lisës, tingëllojnë fjalët e Mopasanit – sa e bukur është jeta kur është nën pluhurin e artë të ëndrrave”, është shprehur Kekoviq.
Piktorja e njohur Zake Prelvukaj, pedagoge në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, shkruan në katalogun për ekspozitën e Lisa Nimanbegut se duke i përcjellur dhe analizuar pikturat e saj vëren se “pa dyshim kemi të bëjmë me një krijuese të talentuar, sepse në veprat e saj shohim një lojë jo të zakonshme figurative, por lojën e objekteve nga frymëzimet jo në natyrë e as në ajër, por në vorbullën e ujit herë të qetë e herë të trazuar”.
“Figurat krijojnë një kompozicion unik dhe origjinal me një koncept filozofik, të cilin mund ta demonstrojmë në artet bashkëkohore multidisiplinare. Me këto vepra të krijuara me invencion dhe profesionalizëm, e shoh një emër me të ardhme të ndritur në artin bashkëkohor”, është shprehur piktorja dhe pedagogia Prelvukaj.
Në fjalën e saj, piktorja e re Lisa Nimanbegu ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe ata që e kanë mbështetur në punën e saj.
Lisa Nimanbegu ka lindur në Podgoricë në vitin 2003. Ka përfunduar shkollën e mesme të artit “Petar Lubarda” në Cetinë. Tani është studente në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Rijekë. Jeton në Ulqin. Kjo është ekspozita e saj e parë personale, ndërkohë që është pjesëmarrëse në disa ekspozita kolektive.
i. k.
