(vijon nga numri i kaluar)
Shqipëruesi dhe përkthyesi i librit “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” prej origjinalit në serbisht në gjuhën shqipe, Lazër Radi, konfirmon se në historinë dhe kulturën e Malit të Zi, por edhe të Serbisë në përgjithësi, nuk ka shumë personalitete, lufta e të cilëve të integrohet aq harmonikisht me veprën letrare sesa te Mark Milani. Jetëshkrimi i tij është në të vërtetë jetëshkrimi i vendlindjes së tij, Malit të Zi, me gjithë kontradiktat që përmbante në vetvete ky kalim nga një mjedis patriarkal i veçantë në një organizim shtetëror modern.
Në përfundim mund të shtohet, pohon përkthyesi Radi, se vepra e Mark Milanit, e më të fuqishmit vojvodë të Malit të Zi, krahas vlerave historike ruan dhe vlera etno-psikologjike. Ajo, pa eufori evokon periudha të rëndësishme historike, futet nëpër rrjedhat e një bote traditash, ndjenjash, zakonesh e virtytesh mjaft të pasura e tepër të vlefshme, të cilat materializmi ideologjik i gjysmës së dytë të këtij shekulli dhe antishqiptarizmi i fqinjëve të veriut e të jugut, u përpoq gjithsesi t’i errësojë dhe ta largojë shpirtin shqiptar prej asaj etike që ka qenë dhe mbetet busulla e identitetit të një kombi, i cili përmes sakrificash të mëdha vazhdon të ecë nëpër rrugën e gjatë të kërkimit dhe shpëtimit të vetvetes.
Vepra “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, ndonëse e shkruar nga një dorë letrarisht e pastërvitur, si dhe e gjithë vepra e Mark Milanit, mbetet me mjaft rëndësi për lexuesin shqiptar. Shumë gjëra mund dhe duhen mësuar prej saj. Mark Milani, ndonëse me origjinë të largët shqiptare, mbetet rrënjësisht në kuptimin e ngushtë të fjalës një serbo-malazez i devotshëm, një njeri i mirë dhe fisnik që luftonte për atdheun e vet.
S’ka as më të voglin dyshim se i gjithë vizioni i Mark Milanit në veprën e tij është prirja e tij nacionaliste, shprehet përkthyesi Radi, dhe shton se megjithëse shpesh ai flet me admirim për fqinjët e tij malësorë, me të cilët i lidhë jo vetëm fqinjësia me punët dhe hallet e përditshme, por edhe luftërat e përbashkëta kundër turqve. Aty shfaqen shpesh edhe tendencat serbo-malazeze për t’u grabitur sa më shumë troje dhe pasuri shqiptarëve dhe për ta zgjeruar më tej sundimin mbi ta. Kjo shihet më së miri në poemën “Lahuta e Malësisë” e Atë Gjergj Fishtës, ku vojvoda shfaqet në një shtrirje mjaft të gjerë të poemës.
Vepra e Mark Milanit “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” meriton të respektohet, jo vetëm për dashurinë me të cilën ai i ka paraqitur shqiptarët, por edhe objektivitetin me të cilin i ka pasqyruar marrëdhëniet që ekzistonin midis shqiptarëve dhe malazezëve në atë kohë. Ai ka bërë të kundërtën e shumë prej poetëve dhe shkrimtarëve serbo-malazezë, si Milan Rakiq apo Jovan Duçiq, dy poetë të njohur për ndjenjat e tyre të thella pansllaviste. Si frymëzimi poetik i Rakiqit te “Simonida”, ashtu dhe përsiatjet e Duçiqit te “Qytete dhe Kimera”, mbeten dokumente muzeale, të cilat e shtrembërojnë në mënyrë drastike të vërtetën shkencore dhe nuk e kapërcejnë kufirin e panagjerizmave me një efekt rastësor dhe efemer.
Edhe shkrimtari tjetër me tendenca socialiste Dimitar Tucoviqi, ka shkruar një libër për Shqipërinë me titull “Serbët dhe Shqiptarët”, ku shfaq një vizion disi më të gjerë se dy të parët (Rakiqi e Duçiqi). Ky autor futet thellë në problematikën shqiptare dhe merr anën e tyre kur sheh se supernacionalizmi serb përpiqet me të gjitha mjetet për pushtimin e tokave shqiptare. Tucoviqi synon të demaskojë qëllimet grabitqare të serbomëdhenjve, gjë të cilën Mark Milani nuk e bën në veprën e tij. Në veprën e tij në fjalë, ai paraqitet më tepër si etnolog, pa një platformë të gjerë e të qartë duke u marrë shpeshherë thjesht me jetën dhe zakonet e shqiptarëve.
Përkthyesi i librit Lazër Rudi thekson se në parathënien e veprës “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” e shoqja e vojvodës (Mark Milanit) ndër të tjera shkruan: “Pasi njohu shqiptarët si një popull i ndershëm, trim dhe fisnik, burri im i deshi ata me gjithë fuqinë e shpirtit të tij të flakët. E duke menduar për përparimin dhe të ardhmen e popullit serb, ai u bind se interesat e serbëve dhe të shqiptarëve përputhen, se shpëtimi dhe përparimi i tyre qëndron në marrëdhëniet e mira dhe në ndihmë reciproke ndaj njëri-tjetrit”.
Mjaft interesante është edhe vepra tjetër e Mark Milanit “Shembuj burrërie e trimërie”, thekson përkthyesi Radi. Prej saj janë veçuar dhe përkthyer disa pjesë të cilat i janë bashkëngjitur veprës “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, pasi ai mendon se paraqesin mjaft interes për lexuesin shqiptar. Mark Milani i paraqet me ngjyra të vërteta mjaft ngjarje të përjetuara nga ai vetë, ose të dëgjuara nga njerëz të njohur dhe të besueshëm. Me thjeshtësinë e tij prej malësori të vërtetë, ai përshkruan burrërinë, trimërinë dhe karakterin e fortë, jo vetëm të malazezëve, por edhe të malësorëve shqiptarë, të cilët si fqinj shpeshherë edhe jeta dhe vdekja i lidhte me njëri-tjetrin.
Përndryshe veprën me titull “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” (titulli i origjinalit “Život i običaji Arbanasa”) nga autori Mark Milani, e përktheu dhe e shqipëroi nga serbishtja Lazër Radi në vitin 1992, botimi i parë i së cilës u bë në Tiranë në qershor të vitit 1995, botimi i dytë po ashtu në Tiranë në vitin 2003, të redaktuara dhe korrektuara nga Jozef Radi dhe të shtypura në Shtypshkronjën “Muza”.
Ndërkaq, redaktimi i librit u krye gjatë korrikut të vitit 2019 nga Jozef Radi, ndërsa për botim atë e përgatitën Luciano dhe Jozef Radi dhe përbëhet prej 222 faqesh. U shtyp në Shtëpinë Botuese “Jozef” në Durrës, në vitin 2019.
Teksti i përmbajtjes së librit është i ndarë në dy pjesë: Pjesa e parë – Jeta dhe zakonet e shqiptarëve, e ndarë, radhitur e sistemuar në 29 trajtesa shtjelluese, dhe Pjesa e dytë – Pjesë të zgjedhura nga e gjithë vepra, e ndarë dhe e radhitur në 20 trajtesa shtjelluese dhe në fund dy letra të Marko Milanovit. (Fund)