Vepër monumentale, kurorëzim i punës disa dekadëshe

“Këngët, gjegjësisht baladat e koleksioneve të doktor Dodës janë të gjalla, me imazhe sintetike të mjediseve në të cilat këngëtari popullor i krijoi, duke transmetuar dhe ruajtur të gjithë sistemin shoqëror e moral të qytetërimit të mjedisit, në rastin konkret të mjediseve ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi”, ka thënë kritiku Qazim Muja

Ostros – Në sallën e mbushur përplot të Shtëpisë së Kulturës – Ostros, të mërkurën (10 gusht 2022) është bërë përurimi i përmbledhjes “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” të autorit Ismail Doda.
Të gjithë folësit kanë vlerësuar punën e jashtëzakonshme të autorit për vjeljen e thesarit popullor në trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi të sotëm.
Në vështrimin e tij për librin, kritiku Qazim Muja ka thënë se libri i profesor Dodës “është ajo arka e thesarit (apo e pajës) të asaj nuseje të quajtur ‘baladë’ që autori e zbuloi për të na njohur me vezullimin e saj verbues”.
Ai ka thënë se këngët, gjegjësisht baladat e koleksioneve të doktor Dodës “janë të gjalla, me imazhe sintetike të mjediseve në të cilat këngëtari popullor i krijoi, duke transmetuar dhe ruajtur të gjithë sistemin shoqëror e moral të qytetërimit të mjedisit, në rastin konkret të mjediseve ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi”.
Sipas Mujës, “edhe pse ato për bazë kanë dashurinë apo urrejtjen, lidhur me jetën familjare, në shumë këngë triumfon harmonia e përsosur idilike e familjes patriarkale shqiptare”.
Ai ka thënë se Doda “vëren në mënyrë fantastike sesi poeti gojor fut një formulë thurjeje që përshkruan fatin njerëzor, por edhe vdekjen, duke e rrumbullakuar dhe sqaruar me detaje psikologjike të përshtatshme në baladë, me veprimin specifik të personazheve të paraqitur, që në strukturën narrative të baladave të mbledhura dhe të klasifikuara në mënyrën më të përsosur deri më sot nga autori, shtrihen me motive të shumta si: motivi për murimin, motivi për vëllain e vdekur dhe motrën e gjallë, për rinjohjen, vëllavrasjen, tradhtinë, dëshirën e dashurinë, brumosjen historike, për të papriturat në martesë, porositë hyjnore etj., në mënyrë që, përkundër epikës, në balada ku të keqen e sjell fati, padrejtësia njerëzore apo forcat më të larta mitologjike apo hyjnore, motivimin e veprimit, veprimet e heroit dhe rezultatin e rrjedhës së rrëfimit të vet, këngëtari e justifikon edhe në pikëpamje psikologjike, mitike ose edhe magjike”.
Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Faik Nika, njëherazi kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, ka folur për rëndësinë e librit “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” në aspektin identitar për shqiptarët në Malin e Zi.
Ai ka thënë se Dr. Ismail Doda ka bërë një punë monumentale, pasi që me përkushtim e pasion, deri në vetëmohim, iu dedikua krijimtarisë shpirtërore të shqiptarëve në skajet më veriperëndimore të trojeve shqiptare, ku flitet gjuha shqipe dhe këndohet kënga shqipe.
“Dr. Doda arriti që këngët, baladat e kënduara ndër shekuj në këto treva, nga trashëgimi shpirtërore në formën e kënduar gojore t’i paraqesë në formë të shkruar, në mënyrë sa më origjinale që ka qenë e mundur, nga secili vend dhe variant, ashtu siç i ka dëgjuar”, ka theksuar Nika.
Sipas tij, Doda ka arritur ta realizojë këtë në një moment shumë delikat të krijimtarisë gojore në këto treva, “në momentet kur shumica e tyre rrezikonin të humbisnin, bashkë me rapsodët e fundit që i interpretuan ato dhe i trashëguan”.
Në aspektin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, Nika ka thënë se “kjo përmbledhje paraqet një rëndësi të jashtëzakonshme, duke vënë argumente të forta të vijimësisë së trungut të shqiptarëve nga pellazgët, ilirët, arbërit e deri në ditët e sotme që flasim dhe e ruajmë gjuhën shqipe”.
Në fjalën e tij, Dr. Ismail Doda, ka falënderuar 72 këngëtarët prej të cilëve i ka mbledhur këngët popullore (baladat), si dhe ata që e kanë mbështetur e ndihmuar në përgatitjen dhe botimin e librit.
“Kam detyrë të madhe që t’i falënderoj 72 këngëtarë ose këngëtare”, ka thënë ai, duke shprehur mirënjohje ndaj tyre, por edhe ndaj prindërve të tij, prej të cilëve, siç ka thënë, ka trashëguar diçka.
Doda ka treguar për disa detaje gjatë mbledhjes së këngëve në terren.
“Të gjithë më kanë pritur, më kanë nisur, më kanë nderuar… Por meritat më të mëdha i ka një lagje, me histori të shkurtër e krenare. Ata janë Pepgjonajt e Krajës. Aty kam pasur fatin tim të madh që të zbuloj baladën ‘Mark-e Syl-e Marku’, që është motivi i katërt i rinjohjes. Nuk është në folklorin botëror. Pas një muaji këngëtari vdiq, kurse kënga u botua”, ka thënë ai.
Autori ka thënë se momenti më i vështirë ka qenë me rastin e regjistrimit të “Kangës së Pashuk Mërditës”, këngës më tragjike ndër shqiptarët.
Në emër të organizatorëve të përurimit kanë përshëndetur kryetari i Bashkësisë Lokale – Ostros, Beqir Berjashi, dhe kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba.
Berjashi ka thënë se e kanë ndier obligim që BL Ostros të organizojë përurimin e librit të Dr. Ismail Dodës, këtij personaliteti që tërë aktivitetin e vet prej më se tetë dekadave ia ka kushtuar vendlindjes dhe popullit të vet.
“Ma merr mendja që Doda, të gjitha këto aktivitete që i ka bërë, i ka bërë në kuadër të kësaj ku ka jetuar dhe vepruar. Të gjithë ia kemi një borxh vendlindjes dhe më duket që Ismaili i ka kryer borxhet me punën e tij dhe aktivitetet e tij për këto tetë dekada”, ka thënë ai.
Kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se Ismail Doda tërë jetën e tij ia ka kushtuar arsimit dhe mbledhjes e studimit të folklorit.
“Ai ka mbledhur nektarin popullor, ashtu siç e mbledh bleta, duke shkuar shtëpi për shtëpi, që nga vendlindja e tij, fshatrat e Krajës, e deri në fshatrat e Malësisë së Rozhajës. Këngët e përfshira në këtë libër janë dëshmi e së kaluarës në këto treva. Populli i ka përjetësuar në këngë ngjarjet dhe personazhet e ndryshme, prandaj përmes këtyre këngëve ne mësojmë për të kaluarën tonë”, ka thënë ai.
Kallaba ka thënë se libri “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, i cilësuar nga studiuesit dhe kritika si vepër jetësore e autorit, është kurorëzim i punës prej disa dhjetëra vitesh të Ismail Dodës.
Libri “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi (Përmbledhje) I” është pjesë e temës së disertacionit për fitimin e gradës “Doktor i shkencave”, mbrojtur me sukses nga autori në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Përmbledhja përfshin 129 balada me 8 100 vargje, të cilat autori i ka mbledhur ndër shqiptarët në Malin e Zi: në Ulqin, në Anë të Malit, në Krajë, në Tivar me rrethinë, në Malësi të Madhe, në krahinën e Plavës dhe Gucisë si dhe në Rozhajë e Malësi të saj. Këngët janë ndarë në balada legjendare, balada realiste dhe balada revoltimi, që përbëjnë edhe kapitujt e librit. Pjesë e librit janë edhe Fjalori i fjalëve të rralla (krahinore dhe të huaja), Burimet e lëndës, Këngëtarët (nga të cilët i ka mbledhur këngët), Indekset e emrave të vendeve dhe të personazheve.
Libri “Balada popullore të shqiptarëve të Malin e Zi” është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në muajin prill të këtij viti, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Libri është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Ky është libri i dytë i autorit dr. Ismail Doda, pas librit “Në prehër të jetës së re (Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII)” që e përpiloi në bashkautorësi me tani të ndjerët Lucë Lucaj, Gjergj Gjokaj dhe Gjergj Berisha. Ai po ashtu ka përgatitur për botim si redaktor shkencor librin “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar” me përmbledhje të punimeve nga Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar i organizuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi në Ulqin, më 17-19 shtator 2011.
Ndërkohë është paralajmëruar se autori po punon për vëllimin e dytë të librit “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, që përfshin studimin e baladave popullore, i cili pritet të jetë shpejt në duart e lexuesit.
Përurimi i librit është organizuar nga Bashkësia Lokale – Ostros dhe SHAI “Art Club”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat