
Vepra “Vuajtja dhe qëndresa në këngë historike”, e autorit Prof. Dr. Adem Zejnullahu, paraqet një panoramë të plotë të këngës historike, sidomos asaj të viseve të Kosovës. Në të autori ka paraqitur vlerat e tërësishme historike dhe artistike të këtyre këngëve, duke e theksuar në mënyrë të veçantë funksionin shoqëror dhe misionin e tyre historik për edukimin e brezave për ta dashur dhe mbrojtur interesin jetik të popullit dhe të atdheut.
Vepra në fjalë, të cilën e botoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, e shtypur në Shtypshkronjën “KGT” të Prishtinës në vitin 2010, recensentë të së cilës janë Prof. Dr. Rrustem Berisha dhe Prof. Dr. Sadri Fetiu, kurse lektor Prof. Dr. Hysen Matoshi, është rezultat i hulumtimit dhe i studimit disavjeçar të këngëve popullore historike, të cilat kanë të bëjnë me ngjarje të rëndësishme të popullit dhe të vendit, të udhëhequra nga figurat e shquara kombëtare gjatë luftërave shekullore për çlirimin nga pushtuesit dhe për krijimin e shtetit. Disa nga këto studime janë lexuar në sesione, simpoziume, kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare, të mbajtura në Prishtinë, Tiranë, Shkodër, Ohër, Sarajevë, Tuzëll, Rozhajë, në Zagreb. etj.
Pjesa me e madhe e punimeve të përfshira në këtë vepër, janë të publikuara në revistat shkencore në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, thekson autori Zejnullahu në fillim të hyrjes së veprës, dhe shton se në këtë botim janë përfshirë edhe punime të pabotuara deri më tash.
Veprën “Vuajtja dhe qëndresa në këngë historike”, autori Prof. Dr. Adem Zejnullahu e ka ndarë dhe sistemuar në tri kaptina të zbërthyera në nga disa trajtesa shtjelluese, në të cilat është përfillur kronologjia e ngjarjeve, ndërsa secili punim paraqet një tërësi në vete. Në këtë drejtim, autori është munduar që për shqyrtim t’i marrë ato ngjarje dhe personalitete të shquara, të cilat e karakterizojnë periudhën e caktuar historike. Shkrimet i ka sjellë në këtë vepër pa ndonjë ndryshim në aspektin përmbajtësor dhe stilististik kundrejt botimeve paraprake.
Çështjet e trajtuara në këtë vepër janë të ndryshme, sikundër janë edhe vet ngjarjet dhe bartësit e tyre, thekson autori dhe shton se ato fillojnë me shpërnguljen e muhaxhirëve shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit gjatë luftërave ruso-turke të viteve 1876-1878. Qeveria serbe, atëherë shpërnguli me dhunë shqiptarët nga rrethina e Leskovcit, Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Pusta Rekës dhe e Vranjës. Pjesa më e madhe e të shpërngulurve u vendosën në Kosovë, por kishte edhe të tillë që shkuan jashtë saj, si në Maqedoni, në rrethinën e Selanikut, në Anadoll të Turqisë e madje deri në Siri.
Autori Zejnullahu konfirmon se shqiptarët e patën fatin e keq historik, ngase mbetën më gjatë nën robëri, por megjithatë nuk i ndalën luftërat të cilat u bënë frymëzim për krijime artistike, duke i paraqitur vuajtjet dhe vizionin për ardhmërinë. Shqiptarët luftuan vazhdimisht kundër pushtuesve turq, serbë e të tjerë, për të jetuar të lirë në tokat e veta etnike. Nuk ka vend në Kosovë, qoftë edhe më i vogli, që nuk e ka jetëshkrimin e dhembshëm e krenar të luftës dhe të sakrificës në përballje me pushtuesit.
Autori Zejnullahu pohon se në këngët e përfshira në vepër trajtohen figurat e shquara të historisë sonë në luftërat e shumta të zhvilluara me turqit, serbët e bullgarët, gjatë historisë. Epika historike këndon për dramën tonë të madhe kombëtare, shprehet ai. Në këtë dramë kombëtare kumtohen përpjekjet, luftërat, qëndresat, sakrificat, besa, tradhtia, fitoret, por edhe format e krimit më të rëndë siç janë përndjekjet, djegiet, burgosjet, vrasjet. Kënga dëshmon për tragjedi të mëdha, por edhe për krenari dhe dëshmi ndaj atdheut.
Sipas epikes historike, armiku, gjatë historisë, mbante gjithmonë në shënjestër viset që rezistonin më shumë dhe familjet e shquara për atdhetari e qëndresë, konfirmon autori përmes shkrimit në vepër, duke shtuar se pushtuesi ushtronte dhunë, bënte krime të rënda. Në rezistencë kundër pushtuesit u shquan personalitete me kryefamiljarë dhe prijës të krahinave, që u bënë pjesë e ndritshme e historisë sonë. Për këto figura populli krijoi këngë e rrëfime. Kështu u zhvilluan ngjarje për të cilat shkruhet këtu dhe të tjera: në Drenicën e Ahmet Delisë, Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, të Adem Jasharit, në Shalën e Bajgorës, Isa Boletinit, Sylë Malokut, Shahin Alisë, Mursel Igrishtës, Hamdi Gavazit, Ahmet Selacit, Ukshin Kovaçicës, të vëllezërve Vocolli të Sumës, në Llapin e Demë Ahmetit, Shaqir Igrishtës, Murat Xhakës, në Malësinë e Karadakut të Gjilanit, Grykën e Kaçanikut të Idriz Seferit, Islam Pirës, Abas Bekteshit, në Krahinën e Rrafshit të Dukagjinit, të Col Delisë, Sylejman Vokshit, Zhujë Selmanit, Ker Sadrisë, të Rexhë Avdisë. Në Plavën e Gucinë e Jakup Ferrit, të Ali Pashë Gucisë etj.
Protagonistët e këtyre ngjarjeve të mëdha, për të cilët u krijuan këngët, janë martirët e brezave të ndryshëm që u sakrifikuan për mbrojtjen e tokave shqiptare, për lirinë kombëtare, nderin familjar etj. Vepra e këtyre luftëtarëve e frymëzoi rininë shqiptare brez pas brezi deri në luftën e fundit në Kosovë (1999), kur përfundoi sundimi i Serbisë. Këto ngjarje dhe figura që ndërlidhen me to, u kënduan nga rapsodët dhe mbetën në kujtesën e popullit. Këngët e tilla ishin të ndaluara, por ato e bënë jetën e tyre, u kënduan dhe u emetuan në hapësirën tonë etnike.
Studimet që kanë gjetur vend në këtë vepër nuk janë shteruese për çështjet e shtruara sa i përket vënies në pah të vlerave artistike, por synojnë të kontribuojnë në theksimin e rolit të misionit të epikës historike. Ato synojnë të nxisin studiuesit e përkushtuar që t’i thellojnë dhe t’i ndriçojnë në trajtë të plotë këto këngë dhe misionin e tyre historik.
Duke i marrë parasysh vlerat e përgjithshme të kësaj vepre me studime, mund të konstatohet se vepra “Vuajtja dhe qëndresa në këngë historike” e Prof. Dr. Adem Zejnullahut e pasuron fondin e përgjithshëm të studimeve në fushën e folkloristikës shqiptare, e në veçanti atë për këngët dhe ngjarjet historike.
