Vepër me vlera të larta kulturore dhe shkencore

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në prezencën e një numri të madh të adhuruesve të fjalës së shkruar letrare, në ambient dhe atmosferë vërtetë solemne, u përurua Vëllimi me kumtesa “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, i cili përmban kumtesat nga Simpoziumi i mbajtur më 8 shtator 2018, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, i organizuar nga Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin në fjalë. Përurimin e moderoi profesori, publicisti dhe veprimtari nga Vuthajt e Komunës së Gucisë, Binak Ulaj, ndërsa veprën e prezantuan epikologu Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri dhe kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Mr. Ismet Azizi. Në këtë akademi solemne folën edhe Mehmet Bardhi nga Ulqini, veprimtari Ali Daci nga Rozhaja, veprimtarët kosovarë, Mehmet Halimi e Hidajet Hyseni, dhe disa folës të tjerë të pranishëm.
Redaksia e vëllimit në fjalë për shtyp dhe recenzentët e tij, janë emra të njohur nga fusha e epikologjisë, si profesorët: Zymer Ujkan Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Nikolla Skalldaferi nga Universiteti i Milanos, Itali, dhe Rigels Halili nga Universiteti i Varshavës, Poloni, pastaj gjuhëtari i njohur, Dr. Rexhep Doci, dhe historiani Dr. Lush Culaj.
Vëllimin në fjalë për shtyp e ka përgatitur Prof. Dr. Zymer U. Neziri, i cili është edhe kryeredaktor i tij, sipas standardeve të njohura për publikimin e veprave të këtilla.
Vëllimi fillon me hyrjen, të hartuar nga ky studiues i njohur i folkloristikës në tri gjuhë: shqip, boshnjakisht dhe anglisht, që është një paraqitje shumë e thelluar për të gjitha punimet studimore për lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri. Të nëntë kumtesat e përfshira në vëllim janë të radhitura në gjashtë fusha shtjelluese: I. Histori (një kumtesë) – Kumtesa e kryetarit të shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Mr. Ismet Azizit, me titull “Sanxhku i Pazarit të Ri në fokusin e historisë”, me të cilën është hapur simpoziumi; II. Gjuhësi (një kumtesë) – Kumtesa e Prof. Dr. Rexhep Doçit, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me titull “Onomastika shqiptare – boshnjake e Sanxhakut të Pazarit të Ri, sipas këngëve të Koleksionit të Millmen Perit në Universitetin e Harvardit”; III. Hulumtime kërkimore – shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri (dy kumtesa) – Kumtesa e Prof. Dr. Rigels Halilit, epikolog nga Universiteti i Varshavës, me titull “Epika heroike legjendare në Sanxhakun e Pazarit të Ri – një krahasim midis kërkimeve të Parry-it e Lord-it dhe gjendjes së sotme”, dhe Kumtesa e publicistit nga Novi Pazari (Pazari i Ri) Dr. Harun Crnovrshaninit, me titull “Lahutarët e njohur të Sanxhakut, me vështrim të posaçëm për lahutarin Xhemajl Arnautoviqin (1925-2017)”; IV. Hulumtime kërkimore – shkencore në Universitetin e Harvardit (dy kumtesa) – Kumtesa e Prof. Dr. Nikolla Skalldaferit (Nicola Scaldaferi) nga Universiteti i Milanos, Itali, me titull “Muji dhe Gavran Kapetani, nga Salih Ugllanini (Salih Uglla), vërejtje për përfomancën muzikore” dhe Kumtesa e profesorit të folkloristikës dhe studiuesit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prof. Dr. Zymer U. Neziri, me titull “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, në koleksionin e Millmen Perit”; V. Pasqyrime të hulumtimeve kërkimore – shkencore në Universitetin e Harvardit (një kumtesë) – Kumtesa e studiuesit dhe e kandidatit doktor i shkencave të filologjisë, Mr. Fitim Veliut, me titull “Kryelahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, Salih Uglla dhe Avdullah Ferizi, në studimet e deritashme të profesor Zymer U. Nezirit, në fondet arkivore në Universitetin e Harvardit”, dhe VI. Të tjera (dy kumtesa) – Kumtesa e profesorit dhe studiuesit të njohur të folkloristikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Prof. Dr. Adem Zejnullahut, me titull “Tragjikja e vëllezërve Kastrati dhe vëllezërve Moriqi, në dy balada historike” dhe Kumtesa e mbledhësit të dalluar të folklorit shqiptar dhe botuesit të tij, sidomos Epikës heroike legjendare, studiuesit të njohur të disa fushave të albanologjisë, Prof. Asoc. Dr. Shefqet Hoxha, me titull “Jemin Zeneli (Ukëprelaj), bartës i njohur i Eposit të kreshnikëve të Hasit”.
Të gjitha kumtesat e sipërpërmendura, kanë shkurtore (abstrakte), fjalë çelësa, fusnota të plota, me të gjitha të dhënat e nevojshme, përfundime, rezyme, po ashtu në tri gjuhë, si dhe bibliografi të pasur dhe të shtruar sipas standardeve përkatëse.
Vëllimi në fjalë ka pasthënien e shkruar nga kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Mr. Ismet Azizi, pason me një fotoalbum me 31 fotografi dhe fotoportrete në teknikën kolor, nga Simpoziumi dhe mbyllet me treguesin e emrave të njerëzve dhe vendeve sipas alfabetit shqip. Vëllimi ka dy recenzentë, Prof. Dr. Rigels Halili, epikolog, Universiteti i Varshavës, Poloni dhe Prof. As. Dr. Albin Sadiku, etnomuzikolog, Instituti Albanologjik i Prishtinës, sekretarin Mr. Sc. Fitim Veliun, hartuesin e ballinës, Dr. Sc. Zeni Ballazhi. Vëllimi është shtypur në shtypshkronjën “Lena Grafit” në Prishtinë në vitin 2020, i përbërë prej 346 faqesh, i financuar nga Shoqata kulturore shqiptare – gjermane “Salih Çekaj” Pfaffenhofen A. D. ILM, Gjermani.
Vëllimi me kumtesa “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, është vepër me vlera të larta kulturore shkencore, e në veçanti është një kontribut i rëndësishëm me shumë vlerë për lahutarët e Sanxhakut, për epikologjinë dhe për albanologjinë në tërësi.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat