Vepër me peshë dhe vlerë të lartë mbi shtjellimin dhe reflektimin e identitetit kombëtar shqiptar

“Nisur nga fakti se objektiviteti është një ndër qëllimet e rëndësishme të shkencës, para se të filloja ta shkruaj këtë libër me temën e përmbajtjes së lëndës që ka, e kisha një dilemë se sa do të mund të jem objektiv. Duke e marrë parasysh ndjeshmërinë e temës së këtij libri dhe subjektivitetin që bartë unë me vete, veçanërisht si pjesë e një trashëgimie familjare që në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, nga babi im Rexhep Ujkani, gjyshi Ujkan Haziri, stërgjyshi Hazir Selmani, e në këtë vazhdë, Selman Uka, Ukë Osmani, Osman Leka, deri te Lekë Gjeka, emrin e të cilit e mbaj mbiemër me krenari”, shprehet në fillimin e parathënies së librit të vet me titull “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi – një qasje teoriko-interpretuese”, autori Fatmir Lekaj

Shaban Hasangjekaj

Autori i librit, Fatmir Gjeka, në vazhdim të pasthënies thekson se Lekë Gjeka së bashku me babin e vet, Gjekë Prënin (i njohur edhe si Gjekë Stanishi – Rugovalia), dhe vëllezërit e tij, Dedën, Lucën dhe Palin, para rreth 350 vjetësh organizuan rezistencën e parë në Rugovë kundër ekspeditave të Perandorisë Osmane, përkatësisht në fshatin Koshutan të trevës së Rugovës. Që nga ajo kohë, pasardhësit e kësaj vëllazërie (Dedës, Lekës, Lucës dhe Palit), e njohur si vëllazëria Muriqi e fisit Kelmend, e fshatit Koshutan të Rugovës, në vazhdimësi kanë dhënë disa ndër figurat e rëndësishme në kuadër të përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe barazi, përveç të tjerëve: Sali Jahën (pjesëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), Zhuj Selmanin, Kajë Galën, Kadri Bajrin, Sadik Ramën, Rizë Zymerin, Sak Faslinë, dhe shumë të tjerë, deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999. E, gjithashtu, bazuar në vijën trashëguese nga gjyshja e tij (nëna e babait të tij), Shkurte Haxhaj – Hoti, bijë e familjes së bajraktarit të Hotit të Kujit, Alush Smajl Hotit, i cili është i mirënjohur si kushtrimdhënësi i Betejës së Nokshiqit (1879), si një ndër betejat më të fuqishme të shqiptarëve nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë kundër copëtimit të territoreve shqiptare. Duke përfshirë bashkëfamiljarët e nënës së autorit të librit, Hasnije Feratit, përkatësisht Feratajt e Gucisë, të nënfisit Bokeqi të Hotit. Përveç të tjerëve, gjyshi i autorit, Ramë Ferati, u plagos në Luftën e Çeremit, më 28.02.1913. Ndërsa, bazuar edhe në aktgjykimet nga arkivi, të publikuara në librin e historianit Zekeria Cana me titull “Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913” (dokumente), rezulton se dy kushërinjtë e Ramë Feratit, pjesëmarrës në Luftën e Çeremit, An Jakup Ferati dhe Medi Omer Ferati, pasi që u arrestuan, u dënuan me vdekje. Kurse vëllai i Medit, Hysi, dhe djali i Hysit, Jonuzi, e vazhduan rezistencën në kuadër të “Lëvizjes Kaçake”. Prandaj, për ta shmangur tërësisht, ose, së paku, për ta zvogëluar sa më shumë subjektivitetin e vet dhe duke marrë parasysh ndjeshmërinë e temës së këtij libri, autori Fatmir Lekaj është bazuar kryesisht në burimet e autorëve të huaj, meqë konsiderohen burime më neutrale, madje në disa raste të domosdoshme edhe duke i cituar drejtpërdrejtë, përfshirë pjesërisht përdorimin e dokumenteve të cilësuara si burime primare dhe burime të tjera relevante – plotësuese.
Në aspektin metodologjik, autori Lekaj ka përdorur qasjen teoriko-interpretuese, si pjesë e studimeve kualitative, përkatësisht si pjesë e të ashtuquajturit rast studimor ose studim i rastit (case study), që zakonisht përdoret edhe në veprimtarinë kërkimore të shkencës politike.
Për të sqaruar në një mënyrë më koncize statusin e rastit studimor, në kuadër të veprimtarisë kërkimore të shkencës politike, fillimisht duhet nënvizuar faktin se metodologjia e shkencës politike qëndron në mes të idealeve të shkencave natyrore, në kuptimin e përqendrimit në observime të matshme për t’i zbuluar lidhjet kausale dhe për t’i kuptuar ligjet natyrore nëpërmes testimit të teorive, bazuar në metodën deduktive dhe idealeve të shkencave humane, në kuptimin e përqendrimit të të kuptuarit dhe interpretuarit të ngjarjeve dhe individëve, bazuar në metodën hermeneutike ose në metodën induktive.
Autori i librit në fjalë, Fatmir Lekaj, thekson se tradicionalisht rast studimor qëndron më afër shkencave humane, ku studiuesi është më shumë i shqetësuar për veçantinë dhe thellësinë sesa për gjerësinë dhe testimin teorik. Kështu që, në veprimtarinë kërkimore të shkencës politike, nuk ka konsensus të plotë sa i përket mundësisë së përdorimit të rastit studimor edhe për testimin e hipotezave – teorive. Për shembull, studiuesi amerikan John Gerring, është më pak optimist dhe konsideron se rasti studimor është më i përshtatshëm për pjesën eksploruese të kërkimit, përkatësisht për zhvillimin e nocioneve – koncepteve, hipotezave – teorive. Me fjalë të tjera, konsiderohet se vetëm studimet kuantitative që kanë pikënisjen e tyre në traditën e shkencave natyrore janë të përshtatshme për t’i testuar hipotezat dhe teoritë. Ndërsa studiues të tjerë sikurse, për shembull, studiuesi norvegjez Svein Andersen dhe studiuesi amerikan Robert Yin, janë më optimist dhe konsiderojnë se rasti studimor, përveç se mund të përdoret për t’i zhvilluar nocionet – konceptet, hipotezat – teoritë, mund të përdoret edhe për testimin e hipotezave – teorive. Andersen paraqet një kategorizim të pesë llojeve të rastit studimor, varësisht prej ambicies teorike të studiuesit. Kategoria e parë është qasja a-teorike, e cila qëndron afër formës më tradicionale të rastit studimor dhe nënkupton studimin e një fenomeni thjeshtë për shkak të vlerës së brendshme të fenomenit, pa përdorimin e teorisë. Kategoria e dytë është qasja teorike-interpretuese, e cila merr pikënisje në një kornizë teorish dhe konceptesh për të realizuar një rast studimor. Kategoria e tretë e rastit studimor nënkupton zhvillimin e nocioneve – koncepteve të reja të cilët rezultojnë shpesh si biprodukt që, për shembull, e përshkruajnë një grup, mënyrën specifike në të cilën grupi ndërvepron, ose aspekte specifike të ekzistencës së grupit.
Nocionet – konceptet e Max Weberit (tipit ideal) mbi burokracinë, është një shembull i mirë për këtë, thekson autori dhe shton se gjithashtu studimi i Robert Michelsit për ligjin e hekurt të oligarkisë, i cili është shembull i rastit studimor për zhvillim të nocioneve – koncepteve, por edhe shembull i rastit studimor për zhvillim teorik, që rrjedhimisht hyn edhe në kategorinë e katërt. Pra, kategoria e katërt është rasti studimor për zhvillimin teorik, që gjithashtu, është një formë klasike e përdorimit të rastit studimor. Në kuptimin e një lloj studimi paraprak brenda një fushe formësohen hipotezat dhe teoritë që mund të testohen më sistematikisht në kontekste të tjera. Ndërsa kategoria e pestë nënkupton se rasti studimor mund të shërbejë edhe për testimin e hipotezave – teorive. Sipas Yinit, edhe pse rasti studimor nuk ka fuqinë e reprezentimit statistikor, megjithëkëtë, në rastin studimor përzgjidhet sa më me mençuri, ka përfaqësim analitik, në kuptimin që kur një rast studimor riparaqet një rast studimor kritik, atëherë mund të shërbejë që të vërtetojë, të ç vërtetojë, të zgjerojë ose të sfidojë një kategori të përkufizuar empirikisht.
Kategoria e parë, qasja a-teorike e rastit studimor, është më pak e rëndësishme, thekson autori Lekaj, ngaqë mungesa teorike është problematike në kuadër të shkencave shoqërore, posaçërisht në kuadër të shkencës politike. Ai shton se politologët nuk janë të shqetësuar vetëm me studimin e vlerës së brendshme të fenomeneve, por edhe me studimin e fenomeneve që potencialisht kanë një vlerë të përgjithshme. Kështu që, shprehet autori, përveç kategorisë së parë, katër kategoritë e tjera që Anderseni paraqet janë të rëndësishme në kuadër të veprimtarisë kërkimore të shkencës politike sepse më pak dhe më shumë kontribuojnë për të vendosur një rast studimor në kuadër të një konteksti më të gjerë.
Përdorimi i qasjes teoriko-interpretuese si metodë në librin e autorit Fatmir Lekaj “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi – një qasje teoriko-interpretuese”, renditet në kategorinë e dytë, përkatësisht në atë që Andersen e cilëson rast studimor teoriko-interpretues, ku merr pikënisje në një kornizë teorish dhe konceptesh për të realizuar një studim. Rrjedhimisht duke marrë pikënisje në një kornizë teorish me konceptesh dhe duke u bazuar kryesisht në burimet e autorëve të huaj, pjesërisht edhe në dokumente dhe burime të tjera plotësuese.
Qëllimi i autorit, Fatmir Lekaj, me këtë libër, brumin e lëndës së të cilit e ka ndarë, radhitur dhe sistemuar në katër krerë: I. Teoritë e kombformimit dhe kombformimi i shqiptarëve; II. Nacionalizmi shqiptar pas vitit 1912; dhe III. Modelet për organizimin e bashkësive politike në mes të majoritetit dhe minoriteteve dhe organizimi i bashkësisë politike në Kosovë, botuar në vitin 2021 nga Shtëpia botuese “Amargedoni” në Prishtinë, ka qenë që të hidhet shumë dritë, sa më objektivisht sistematikisht dhe të përmbledhur mbi procesin e kombformimit dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe barazi.
Përndryshe, autori i librit në fjalë, Fatmir Lekaj, u lind në Pejë në vitin 1971, me prejardhje është nga Rugova, që më se 30 vjet jeton, punon dhe krijon në Norvegji. Fillimisht ka studiuar për të drejtat e njeriut dhe për trajtimin e konflikteve, ndërkohë edhe për shkencë politike. Ka magjistruar për shkencë politike në Universitetin e Oslos, ndërsa për studime pasuniversitare, është përqendruar në temat që kanë të bëjnë me nacionalizmin, multikulturalizmin dhe integrimin. Merret me veprimtari të kërkuesit të pavarur dhe të këshillëdhënës për çështjet e integrimit etj. Është përkthyes i kualifikuar norvegjisht – shqip dhe sekretar i Rrjetit të profesionistëve shqiptar në Norvegji.

Të fundit

më të lexuarat