Ulqin – Shkrimtari i njohur nga Kosova, Ibrahim Kadriu, ka qenë i ftuar i radhës në edicionin e 29-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, me të cilin është organizuar mbrëmje autoriale të shtunën në Librarinë “Ulqini”.
Në bisedë me udhëheqësin e mbrëmjes, poetin Argëzon Sulejmani, ai është përgjigjur në një mori pyetjesh që lidhen me krijimtarinë e tij, por edhe me letërsinë shqipe në përgjithësi. Kadriu ka thënë se shumica e veprave të tij bazohen në gjurmë historike, sepse ato i flejnë dhe tek ato e gjen motivin për të shkruar. Një vend të rëndësishëm në veprat e tij e zënë Ulqini dhe Tivari, njeriu dhe historia e këtyre vendeve.
Kadriu ka theksuar se letërsia shqipe ka arritur një nivel mjaft të mirë.
“Në përgjithësi mund të them se letërsia shqipe, ajo që krijohet nga shqiptarët, ka arritur një nivel të lakmueshëm. Unë jam krenar për këtë, kur shoh vepra të reja, vepra të autorëve të rinj, të cilët dëshmojnë talentin, dëshmojnë një rrugë të mirë në zhvillimin e letërsisë”, ka thënë Kadriu
“Në përgjithësi mund të them se letërsia shqipe, ajo që krijohet nga shqiptarët, ka arritur një nivel të lakmueshëm. Unë jam krenar për këtë, kur shoh vepra të reja, vepra të autorëve të rinj, të cilët dëshmojnë talentin, dëshmojnë një rrugë të mirë në zhvillimin e letërsisë”, ka thënë ai.
Si një ndër problemet ekzistuese, ai ka potencuar qarkullimin e librave midis Shqipërisë, Kosovës dhe qendrave tjera shqiptare. Ai këtë e konsideron si një problem të trashëguar që nga koha e sistemit monist.
“Në Shqipëri shumë pak depërtojnë librat tanë. Kurse librat e Shqipërisë i gjen kudo në libraritë në Kosovë. Nuk ekziston një lloj marrëveshjeje. Është një e metë e madhe dhe nuk e di se sa do të zgjasë. Që nga viti 1968 ne i kemi botuar librat e Shqipërisë në Kosovë, kurse shumë më rrallë kanë shkuar botimet tona në Shqipëri”, ka thënë Kadriu.
Ai ka folur po ashtu edhe për krijimtarinë si proces, shtrirjen e krijimtarisë së tij mes dy sistemeve, raportin lexues-kritikë letrare, romanin e tij të ardhshëm etj.
Për krijimtarinë e autorit ka folur shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Prof. dr. Anton Nikë Berisha, i cili ka thënë se Ibrahim Kadriu ka krijuar një vepër letrare që nuk është imitim i jetës, por është një vepër që është krijuar përmes fjalëve, natyrisht e mbështetur te ndodhitë e ndryshme.
Duke folur për veçoritë e letërsisë dhe dallimin e saj nga fushat tjera, Berisha ka thënë se në letërsi fakti artistik është i rëndësishëm.
Ai ka thënë se për dallim prej disa krijuesve të tjerë, të cilët kanë prirje për një gjini të caktuar letrare, Ibrahim Kadriu është marrë me disa lloje letrare.
“Ibrahimi e ka pasur këtë prirje, që ta shfrytëzojë vetveten për të krijuar një botë poetike… Ai u mor edhe me prozë… Proza nuk është më e lehtë se poezia, as poezia nuk është më e lehtë se proza”, ka thënë studiuesi.
Sipas tij, vepra e Kadriut që ka nxitur më shumë interesim apo kureshtje, ose që është lexuar më shumë, është romani “Misioni rus”. Ky roman, sipas Berishës, nuk është një kronikë, por një tekst i mirëfilltë artistik.
Dr. Labinot Berisha, i cili ka përgatitur për shtyp librin “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” (nga autorë të huaj dhe shqiptarë), e cila deri tani është botuar në tre vëllime, ka theksuar rëndësinë e këtij libri për studimin e veprës së shkrimtarit Ibrahim Kadriu.
Në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari Ismet Kallaba.
Ibahim Kadriu ka lindur në fshatin Zhegër të Gjilanit. Prej më shumë se 60 vitesh jeton në Prishtinë, ku ka punuar fillimisht në vitet ’60 si redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja” e pastaj në të përditshmen “Zëri”. Deri tani ka botuar mbi 80 vepra, disa prej tyre të përkthyera në nëntë gjuhë të huaja.
Mbrëmja autoriale është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” , me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Organizatës Turistike Ulqin.
i. k.
