Vepër e rëndësishme për arsimin në Krajë

Monografia “ Shkolla në Krajë 1929-2019” është homazh për të gjithë ata mësues të cilët nuk jetojnë më, por që kanë mbetur në mendjen e të afërmve , kolegëve, nxënësve dhe të gjithë neve

Gani Karamanaga

Doli nga shtypi libri-monografia e Ali Gjeçbritaj “ Shkolla në Krajë 1929-2019”. Ky libër, është gurëthemel i zhvillimit të arsimit në Krajë. Autori me kompetencë ka mbledhur, sistemuar dhe dokumentuar me dashuri punën e të gjithë atyre të cilët kanë shërbyer në arsimimin në Krajë. Duke shfletuar librin defilojnë emrat, portretet e mësuesve të parë, dhe atyre deri në ditët e sotme.
Në këtë vepër voluminoze autori ka arritur të përfshijë të gjitha fushat e veprimtarisë të shkollimit në Krajë si rajon etnik shqiptarë. Këtu përfshihen jo vetëm Kraja e Madhe, por edhe Kraja e Sipërme, në të cilën mësimi zhvillohet në gjuhën serbo-malazeze.
Në 383 amvisëri në fshatrat e Krajës para 140 vitesh jetonin 1.952 persona. Ky numër ishte shumë më i lartë sesa sot, kur në këtë zonë në shpatet e Rumisë dhe në brigjet e Liqenit të Shkodrës jetojnë rreth 1.300 banorë. Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Ostros e ndjekin pak më shumë se 80 nxënës.
Ali Gjeçbritaj e fillon këtë monografi me përshkrimin e pozitës gjeografike të Krajës për monumentet mijëvjeçare siç ishin Ublat e Krajës etj.
Vend të posaçëm autori i ka dhënë përshkrimit të Mesharit të Gjon Buzukut si libër i parë shqiptarë i botuar në shekullin XVI.
Është interesante se mësuesit e parë në Krajë kanë qenë prej Ulqinit edhe Anës së Malit. Vend të rëndësishëm ka edhe Antonija Rogin Markoviq e cila ishte e kombësisë kroate e lindur në Varazhdin më 1910. Ajo duke punuar në Krajë mësoi gjuhën shqipe, për çka ishte edhe kritikuar nga pushteti. Kjo ishte rrugëdalja e vetme e saj që të merrej vesh me nxënësit dhe me prindërit e tyre. Më kujtohet në dekadën e pestë të shekullit XX, kur mësuese Antonija u jepte mësim në gjuhën shqipe vëllezërve të mi. Zonja Antonija ka jetuar moshën e tretë dhe më kujtohet kur dilte për të shëtitur nëpër Pyllin e Pishave deri te hotel “Albatrosi”.
Ali Gjeçbritaj shkruan edhe për Prenk Jakovën i cili u lind në Shkodër në vitin 1917. Pas përfundimit të studimeve punon si mësues I gjuhës dhe muzikës në shkollat e Bërdicës (Shkodër), të Oroshit (Mirëditë), Katërkollë, Ostros edhe Krajë.
Shkolla e parë në Krajë është hapur në shtëpinë e Smajl Bajramit Maxhuraj në vitin 1929.
Po i përmend disa mësues nga Ulqini dhe Ana e Malit: Veli Hoxha, Xhemal Avdiu, Metë Kurti, Hasan Hoxha Gjeçbritaj, Rexhep Lani Gjeçbritaj, Hali Avdiu.
Është interesant se mësuesi i ri Veli Hoxha u dashurua në një vajzë nga Kraja me të cilën krijoi familjen e vet. Më vonë fillimet në arsim i kanë pasur në Krajë Ruzhdi Alibegu dhe dy motrat e tij Naxhija dhe Hinda.
Hajro Ulqinaku më tregonte se ka punuar mësues në Krajë: “Atëherë nuk ka pasur rrugë ( rruga e sotme është hapur në vitin 1972), kemi ecur këmbë nëpër mal…nxënësit e mij ishin edhe Mehmet Bardhi ,Ibrahim Berjashi…”
Edhe Shefki Karamanaga, gjithashtu fillimisht ka qenë mësues në Krajë. Mësues në Krajë tërë jetën ishte edhe Hysein Hasan Cuka.
Në monografi përshkruhen edhe mësuesit tjerë siç janë: Pjetër Pavloviqi, Faik Avdiu, Prenë Nikollë Nikaj, Hilmi Cungu, Hasan Gorana, Myrto Cufo Cura..Salo Kurmemaj, Sylo Ymer Kurti..Përmenden edhe mësuesit: Bahri Brisku, Riza Rexha, Beqir Kasneci, Durrie Shita Kasneci, Shefqet Dragaj…
Monografia “ Shkolla në Krajë 1929-2019” është homazh për të gjithë ata mësues të cilët nuk jetojnë më, por që kanë mbetur në mendjen e të afërmve , kolegëve, nxënësve dhe të gjithë neve.
Kraja ka qenë gjithmonë një rajon me rëndësi për popullin shqiptarë. Komuna e Tivarit është ndër më të zhvilluarat në Mal të Zi. Por, Kraja është lënë gjithmonë pas dore. Është koha që të bëhet rekonstruimi i rrugës prej Katërkollës deri në Krajë. Të mendohet për rregullimin e ujësjellësit, hapjes të pikës kufitare Ske – Zogaj…
Ali Gjeçbritaj me këtë, si edhe më veprat tjera zë vend krahë për krahë me krijuesit e njohur nga këto treva. Ai me punën e vet të palodhshme i mbet besnik vendlindjes.

Të fundit

më të lexuarat