(Gëzim Puka, Për dramën dhe teatrin, SHAI “Art Club” & Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Ulqin – Shkodër 2025)
Pedagogu i letërsisë Gëzim Puka nga Shkodra vjen para lexuesit me librin “Për dramën dhe teatrin”, një përmbledhje e punimeve të tij mbi disa vepra dramatike të vëna në skenën e teatrit shqiptar në periudha të ndryshme kohore.
Siç thotë autori në parathënien e librit, “qëllimi është për të mos i dënuar me heshtje disa vepra të mira teatrore, të realizuara ndër vite. Sjellja e tyre në skenën e diskutimit letrar është diçka e dobishme për kulturën tonë dramaturgjike dhe teatrore”.
Libri është vlerësuar nga recensentët Prof. dr. Besim Rexhaj dhe Prof. as. dr. Arben Prendi.
Në recensionin e tij, Rexhaj shprehet se “Gëzim Puka, duke i analizuar tekstet dramatike të trashëgimisë sonë letrare, duke zbërthyer aspekte dhe dimensione të ndryshme të kësaj trashëgimie, synon që, ‘duke i sjellë në skenën e diskutimit letrar’, t’i kontribuojë inskenimit të tyre, të frymëzojë producentët e regjisorët, shtëpitë teatrore, të instalojë një vetëdije mbi nevojat e komunikimit kulturor e teatror me këto tekste në rrafshe të ndryshme të ekzistencës dramaturgjike e teatrore”.
Ndërsa Prendi shprehet, ndër të tjera, se “veprat e bëra objekt i analizës na paraqesin veçori të strukturave artistike dhe të pasurimit të tekstit të dramës shqipe nga fillimet deri më sot, me tema, motive, heronj, domethënie të hapura dhe nëntekstuale, teknika artistike etj., në koherencë me zhvillimet e dramës dhe teatrit evropian perëndimor bashkëkohor”.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktorë të librit janë Prof. dr. Mimoza Priku dhe Dr. Erzen Koperaj, ndërsa faqosja dhe kopertina janë bërë nga Bledar Xama.
Libri është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Prof. as. dr. Gëzim Puka është pedagog i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Profili i tij akademik lidhet me fushat e kritikës letrare dhe të teorisë së letërsisë. Analiza, gjykimi e vlerësimi i gjinisë dramatike dhe i teatrit bashkëkohor janë anë të rëndësishme të prodhimtarisë së tij studimore e kritike. Është autor i monografisë “Në kërkim të një drame ndryshe”, që është botuar pjesërisht edhe në gjuhën angleze. Ka botuar shumë artikuj shkencorë në revista të njohura, si dhe ka kumtuar në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
i. k.
