Vendndodhja e shkollës duhet kërkuar në hapësirën rreth xhamisë-muze

Shtrohet pyetja se ku mund të ketë qenë ndërtesa e kësaj shkolle brenda Kalasë? Po kështu nëpërmjet dokumentacionit arkivor osman vërehet ekzistenca e Xhamisë së Kalasë së Ulqinit në shek. XVI-XVII, apo siç njihet periudha klasike osmane, dhe të jetë quajtur Xhamia e Sulltan Selimit. Referuar këtij fakti, atëherë edhe shkolla duhet kërkuar në hapësirën rreth xhamisë-muze, pasi në periudhën e hershme osmane ato kanë funksionuar si një kompleks

Mr. Ali Bardhi

(vijon nga numri i kaluar)
Nga sa pamë më lart vërehet ekzistenca e një shkolle (mektebi) brenda Kalasë së Ulqinit me emrin e Sulltan Selimit, të cilën e ka ndërtuar ndërmjet viteve 1571-1574.
Shtrohet pyetja se ku mund të ketë qenë ndërtesa e kësaj shkolle brenda Kalasë? Po kështu nëpërmjet dokumentacionit arkivor osman vërehet ekzistenca e Xhamisë së Kalasë së Ulqinit në shek. XVI-XVII, apo siç njihet periudha klasike osmane, dhe të jetë quajtur Xhamia e Sulltan Selimit (Nga dokumentacioni i mëvonshëm kjo xhami është quajtur Xhamia e Kalasë. Po kështu në Mus`hafin e kësaj xhamie, të dhuruar nga Kajmekami i Ulqinit, Hajri Begu e shohim të shënuar si Xhamia e Mezjahit-Pazarit. Shih Ali Bardhi, „Kryetari i Komunës (Kajmekami) së Ulqinit, Hajri Begu i pat dhuruar një Kur’an Xhamisë së Mezjahut – Pazarit në Kalanë e Ulqinit‟ në https://ulqini-online.com/sajti/?p=31056, 14.2.2022. Në popull kjo xhami është njohur edhe si Xhamia e Haxhi Halil Agë Skurës. Ndërsa sot banorët e Ulqinit këtë xhami e njohin si Xhamia e Kalasë). Referuar këtij fakti, atëherë edhe shkolla duhet kërkuar në hapësirën rreth xhamisë-muze, pasi në periudhën e hershme osmane ato kanë funksionuar si një kompleks.
Kjo gjë na ka shtyrë që të shfletojmë studimet arkeologjike për Kalanë e Ulqinit nga viti 1958. Te libri „Ulqini I‟ shohim një objekt me mure të prishura pranë xhamisë-muze, të cilit autorët i kanë vendosur numrin 11 dhe pohojnë se muret e tij janë nga periudha osmane e hershme dhe me funksion të paidentifikuar. Kurse objekti me nr. 12, i cili ndodhet ngjitur me objektin nr. 11, është identifikuar si shtëpi e periudhës osmane (Gjurgje Boshkoviq, Pavle Mijoviq, Mirko Kovaçeviq, Ulqini I, Beograd, 1981, f. 24. Harta ֦EПОХЕ-PLAN 2‟ dhe „НАМЕНА-PLAN 3‟ në shtojcë të librit), i cili duhet të ketë shërbyer si banesë e mësimdhënësit apo imamit. Por edhe objektet tjera përreth si ai me nr. 14 dhe disa banesa mund të kenë qenë një kompleks në funksion të xhamisë dhe shkollës, por që në të ardhmen duhen bërë studime më të hollësishme.
Ajo që autorët e librit mund t’i ketë shtyrë në mendimin që objekti në fjalë me nr.11 të ketë qenë me funksion të paidentifikuar është fakti i mospasjes së informacionit për ekzistencën e ndonjë shkolle (mektebit) në periudhën e hershme osmane në Kala, si dhe të zhvendosurit e vëmendjes në objektin dykatësh, të cilit autorët e librit i kanë vëndosur numrin 13 dhe që sot shfrytëzohet si zyrë e administratës së Muzeut të Ulqinit.
Për objektin nr. 13 studiues të ndryshëm flasin për zhvillimin e mësimit fillor (mekteb) deri në fillim të shek XX. Studiuesi Pavle Mijoviq për disa pjesë të objektit në fjalë pretendon se i përkasin mesjetës së vonshme ose periudhës veneciane, që përgjatë periudhës osmane duhet të jetë shfrytëzuar për shërbime doganore apo edhe kafehane, por një kohë duhet të jetë shfrytëzuar edhe si objekt banimi. Por autori nuk lë pa përmendur edhe të dhënat që i japin banorët e Kalasë, duke i rrëfyer se objekti në fjalë katin e parë ta kenë shfrytëzuar si kafehane, ndërsa të dytin si shkollë (mekteb) (Gjurgje Boskkoviq, Pavle Mijoviq, Mirko Kovaçeviq, po aty, f. 24-26). Edhe në skicën e Kalasë së Ulqinit të shek. XIX, të publikuar nga Drejtoria Arkivore e Turqisë e shohim të shënuar kafehanen në këtë hapësirë, e cila nga vrojtimet tona na del të ketë qenë në këtë objekt (Shih Arşiv Belgelerine Göre Osmanlı kaleleri, (Komisiyon) Devlet Arşivleri Genel Müdürlüğü, Osmanlı Arşivi Daire Başkanlığı, Yayın Nu: 144, Istanbul, 2016, f. 238. Foto nr. 3). Po kështu rrëfehen tregime të nxënësve të fundit që mësuan në këtë shkollë (mekteb), deri kur Ali Zeqiri filloi të jetojë me familje në atë ndërtesë (Gani Karamanaga, Monumentet, Ulqin, 2020, f. 13-14)
Një argument tjetër për ekzistencën e shkollës (mektebit) së modelit klasik në objektin me mure të prishura në anën jugore të xhamisë-muze me nr. 11 është prania e mihrabit, i cili ka qenë i nevojshëm në periudhën e arsimit klasik osman, ku përveç mësimeve teorike laike-fetare, njëherit zhvillohej edhe praktika.
Referuar këtyre të dhënave dhe të tjerave, rrjedhimisht del që arsimi fillor i periudhës së hershme osmane zhvillohej pranë xhamisë qendrore, e cila formonte një kompleks ndërtimesh, deri në periudhën e Tanzimatit kur do të fillojnë përplasjet e sistemeve arsimore në Perandorinë Osmane. Pra, thënë me pak fjalë arsimi fillor sipas modelit klasik ndërmjet shek. XVI deri në gjysmën e parë të shek. XIX është zhvilluar në objektin e prishur në jug të xhamisë-muze me nr. 11, ndërsa pas kësaj si shkak i reformës arsimore shkolla mund të jetë zhvendosur në katin e dytë të ndërtesës me nr. 13, ku sot ndodhet administrata e Muzeut të Ulqinit, siç rrëfehet nga banorët e Kalasë, por për këtë të fundit duhen bërë hulumtime më të specializuara. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat